MENU
klinika

Retrospektivë

Përse vuan Shqipëria?

21.09.2018 - 14:45

Problemet ekonomike nga ana historike duket sikur ripërsëriten, një lloj teorie që historia e njeh mirë. Ashtu si problemet e sotme në lidhje me ekonominë e lirë të tregut, edhe më parë sikur ndodhte e njëjta gjë. Për më tepër e shpreh numri nr. 35 i gazetës ‘’Ilirija’’ në 1909 me autor të shkrimit Tom Papa.

 

Përse vuajmë?

Qëmoti kish begati shumë vëndi ynë, jo se kish para tepër, po se pasja harçonej e tërë në vënt dhe një pjes’e pakë deltej jashtë. Qëmoti visheshin me shajak dhe fanellë të vëndit, se s’kishin qibërë as fodullëk.

Po tashti çngjan? Tashti burrat e lanë atë shajakun dhe fanellën e vëndit, u prenë kafshitën kaqë mijë zanatçinjve, dhe zun’e mvishen me robën e kalbur të frëngut, dhe me reçkat e tija.

Edhe gratë i hodhë ato robat e vëndit dhe zun’e po bëjnë fustan’e sako të mëndafshta që s’u ven asnjë muaj.

Paja (prika) e një çupeje do që më 20 gjer më 100 lira që të bënet, edhe të gjitha ç’janë? Ca recka të mëndafshta dhe jo gjë tjetër. Kështu shkon pasja jonë vetë në Europë, ata punojnë dhe fitojnë, vëndi ynë thahet dhe vjen zija.

Kam shëtitur shumë vënde të Europës dhe të Amerikës, po gjëkund s’pashë vajzë, ose grua me të mëndafshëta mveshur; qysh pra neve qënkemi më të xgjuar se këta?

Të prishurat tona mot e nga mot po hipijn, dhe vëndi po varfërohet, njerëzija shtrëngohet të marrë më të largun mërgim për t’ushqyerë fëmijën e tyre; ata që jan një çikë të pasur, as kujdesen fare për këtë rezik të math, po në gjepura politike e shkojnë kohën e vjeturë.

Aty përpara kish ardhurë një shqipëtar pej Tetove për të shiturë plaçka të vendit, kish atje cipëra mëndafshi, pëlhura, breza, tizga, lugë e shumë të tjera, dhe e pieta: ku i blini këto të mëndafshtat; I bëjnë gratë tona zotëni- m’u përgjigj. Nukë munt të rëfenj gazinë që ndjeva, kur mësova që të gjitha ato bëneshin në vënt të tyre.

Sa mirë që do të qe të mejtohemi të zëmë dhe të pushtojmë mjeshëtrinë, këtë mjeshtëri që këtej është farë në foshnjëri. Le të marrim për shëmbëll vllehtë, të gjithë gëzohen në mes të fëmijesë, dhe shumë të pakë jan’ata që marin kurbet.

Çupat tona le t’i mësojmë këtë mjeshtëri të vyer dhe të mos i mësojmë të qëndisura me tantella.

Në vençim gishtin në mëndje dhe të zëm’udhën e mjeshtërisë, fati ynë ësht’i ditur, ndryshe kemi shumë për të vuajtur, dhe kurrë nuk do të përparojmë.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN