MENU
klinika

Deklarata e Lu-së

‘Peshqit e mëdhenj’/ Lu: Punë e papërfunduar

13.09.2018 - 22:01

Ambasadori tashmë në ikje i SHBA-së në Shqipëri, Donald Lu, ka folur mbi punët e tij të papërfunduara në vendin tonë.

Peshqit e mëdhenj, thotë ai, në studion e ‘Real Story’ janë çështje shumë e rëndësishme për popullin shqiptar, dhe mbeti e papërfunduar.

“Nuk do të thoja që është një dështim, por është diçka ende e papërfunduar. Kam folur çdo javë mbi gjuetinë për peshqit e mëdhenj dhe dua ende të flas sepse është vërtet e rëndësishme për popullin shqiptar.”

Duke përmendur një detaj në çorapet e tij lidhur me peshqit, Lu vlerësoi punën e organeve kundër krimit në Shqipëri.

“Vesha çorapet e mia të posaçme që t’i shihni. Është me rëndësi për popullin shqiptar që të dijë se qeveria e tyre, policia e tyre, prokuroria e tyre janë vërtet seriozë për luftën kundër krimit të organizuar. Pata një bisedë shumë të mirë me drejtorin e përgjithshëm të policisë Ardi Veliu javën e shkuar. Kanë punuar shumë fort së bashku me prokurorët për të ngritur task-forcën për forcën e ligjit. Po punojnë sot shumë ngushtë me ligjzbatues amerikanë, gjermanë, Italianë, francezë, gregë, spanjollë dhe kjo ka çuar në suksese reale. Kemi parë arrestimin e Arbër Çekaj, arrestimin e Met Kananit; janë dy trafikantë droge të arrestuar në Spanjë. Vetëm këtë javë pamë trafikantë të arrestuar në Itali dhe Gjermani. Kjo është e rëndësishme por duhet të jetë vetëm fillimi. Ka shumë më tepër punë për të bërë dhe më vjen pak keq së nuk do të kem mundësi të jem këtu për t’i parë gjithë rezultatet e asaj pune”, ka thënë Lu.

kolana e librave

Gjithashtu ai përmendi zhgënjimin e tij lidhur me disa prej çështjeve kriminale si ajo e Klement Balilit, Shullazit apo edhe atë të Lul Berishës.

“Unë, për vete, jam i skandalizuar që dy vjet e gjysmë pasi qeveria greke nxori urdhër-arrestin, ende nuk e kemi kapur Klement Balilin. Jam i skandalizuar që Lul Berisha lirohet herët nga burgu dhe që mund të ecë i lirë nëpër rrugët e Durrësit. Dhe jam i skandalizuar që këtë javë që keni gjyqin e Shullazit, ku Shullazi vetë ka kërcënuar gjykatës dhe prokurorë, aq sa prokurorët as nuk shkojnë në gjyq. Si ka mundësi që ky vend të ecë përpara kur ndodhin këto gjëra? E di që Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku dhe Ardi Veliu do të gjykohen mbi faktin nëse do të jenë të aftë t’i vënë këta kriminelë pas hekurave”.

Në deklaratat e tij të fundit në emisionin “Real Story”, para largimit të tij nga Shqipëria diplomati amerikan Lu nuk nguroi që të bëjë një krahasim mes ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe kryeprokurores Arta Marku.

Pasi e vlerësoi si person serioz dhe profesioniste që është përpjekur të bëjë detyrën e saj. Ndër të tjera ai u ndal dhe tek Adriatik Llalla;

Donald Lu: “Nuk kam asgjë personale kundër Z. Llalla. Mendoj se shumë shqiptarë dhe unë personalisht ndjejmë se Z. Llalla përfaqëson zyrtarët e shumtë që janë përpjekur të pengojnë zbatimin e reformës së gjyqësorit. Gjithashtu, Sekretari i Shtetit e ka shpallur Z. Llalla si zyrtar të lartë të korruptuar. Prokurorët, në Shqipëri, po e hetojnë aktualisht për pastrim parash, korrupsion dhe shpërdorim detyre. Kemi përgëzuar vendimin e gjykatave për të sekuestruar asetet e tij shumë të mëdha të pashpjeguara dhe kemi nxitur gjyqësorin në vend që të kufizojë lëvizjet e tij në mënyrë që të mos i largohet drejtësisë.”