Në peripecitë që kalon Pjetër Bogdani, për veprimtarinë fetare dhe atdhetare është një dokument që tregon vështirësitë e tij dhe përkrahjen nga kardinali Cibo në Padova, i cili e ndihmon për të shtypur librin e vet në italisht dhe në gjuhën shqipe. Po çfarë peripecish dhe problemesh has ai në Shqipërinë e dikurshme të vitit 1685? Për këtë mund të ndiqni letrën e mëposhtme.
Lartësisë suaj, që jeni plot dhembshuri, po ju paraqes frytet e korrura prej meje në verën që shkoi, i ngrohur prej zemërgjerësisë së madhe të shumë të lartit zotit kardinal Barbarigo, në mënyrë që ju të denjoni t’i vëni këmbët e zotit tonë[papës].
I dëbuar prej shpatave të turqve nga e gjithë Serbia, u strehova në Padovën venedike ku u përqafova nga zemërgjerësia atërore të atij shumë të larti [Barbarigo].
Këtu unë, mysafir për shumë muaj, gëzova mikpritjen e shenjtë të familjes së tij dhe pashë me sy kujdesin e zyrtarëve të tij që qeverisin atë dioqezë shumë të gjerë dhe që bëjnë që ai kler aq i shumtë të ushtrohet në studime e në disiplinën kishtare.
Pata edhe në dispozicion shtypshkronjën e atij shumë të lulëzuari seminar për të qitur në dritë, në gjuhën italishte dhe shqipe librin që po jua bashkangjes dhe që unë e hartova për të rrëzuar gabimet e turqve dhe të pafeve të tjerë, të cilët trazojnë shumë të krishterët e shkretë të krahinës sime, ashtu edhe për t’u forcuar këta në të vërtetën e besimit të shenjtë katolik.
Shpresoj se zoti ynë [papa] do ta pëlqejë dhuratën e këtij libri duke parë qëllimin e rëndësishëm për të cilin është shtypur. I lutem edhe lartësisë suaj të pranoni edhe ju një kopjo të këtij [libri] dhe atë [që po dërgoj] për zotin tonë ta përcillni me shprehje të mirësishme dhe të më porositni mua pranë dashamirësisë atërore të lumturisë së tij që unë të nxjerr atë për të cilën i lutem me të bashkëngjiturin.
Ndërkaq unë jam duke u nisur sa më parë për Shkup me besim në butësinë hyjnore që të mund të hyj pa u rënë në sy turqve, përndjekësit e mi, mbase ka qenë hequr nga zyrja kryetari i tyre, pasha i Shkupit, dhe kështu do të vazhdoj mundimet e mia në qeverisjen e asaj grigje.
Zoti perëndi e shpërbleftë lartësinë tuaj për atë mbrojtje që të denjoni të keni për një prelat të varfër që, me të gjithë nderimin e bindjen, po puth purpurën e shenjtëruar të lartësisë suaj.
Venedik 19 dhjetor 1685. I lartësisë suaj etj. P. B Kryepeshkop i Shkupit
(marrë nga ‘’Dokumente te shekujve XVI-XVII për Historinë e Shqipërisë’’, v. IV- Akademia e Shkencave Shqiptare)