Në shumicën e rasteve ataku kardiak shkaktohet nga ateroskleroza e cila ngushton arteriet koronare gradualisht, ndërkohë që papritur gjatë këtij evolucioni të sëmundjes mund të krijohet një koagul gjaku i cili bllokon arterien koronare në mënyrë totale duke kufizuar sasinë e gjakut që shkon në muskulin e zemrës.
Kur pacienti vjen në urgjencë ndërkohë që është duke pësuar një atak kardiak, mjekët mund ta trajtojnë pacientin me disa ilaçe të cilët shkrijnë trombet.
Gjatë 90 minutave të para ky ilaç do të shkrijë trombin e krijuar në 75% të pacientëve duke rikrijuar fluksin e gjakut dhe duke minimizuar dëmtimet në zemër.
Për shkak se ky është një preparat tepër i fuqishëm që shkrin trombet kudo që të jenë në organizëm, atëherë efektet anësore të tij mund të jenë hemorragjitë. Si rrjedhim, pacientët duhet të jenë tepër të kujdesshëm kur ta marrin në mënyrë që të kenë rreziqe sa më minimale për hemorragji.
Ky preparat nuk mund të jepet në pacientë të cilët kanë pasur hemorragji cerebrale në kohët e fundit, presion të lartë të gjakut ose në pacientë me ulçer gastrike hemorragjike. Megjithatë, kur përdoret me kujdes në pacientë të seleksionuar në 6-12 orët e para që nga fillimi i atakut kardiak, përmirëson jashtëzakonisht rezultatet klinike dhe hemodinamike.
Në rast se bllokimi vazhdon të jetë prezent, masa të tjera duhet të ndërmerren në mënyrë që të rikrijohet fluksi i gjakut nëpër arterien koronare të dëmtuar.
Një opsion është terapia intervenuese ose teknikat e përdorimit të katetereve. Kur një arterie koronare ka një shkallë ngushtimi të rëndë, më shumë se 70%, por më pak se 100%, kardiologët mund të jenë të aftë ta zhbllokojnë duke përdorur kateteret me ballon.
Ndonjëherë edhe arteriet që janë totalisht të bllokuara mund të rihapen duke përdorur kateteret.
Në këtë procedurë, një kateter i cili i ngjan një fijeje makarone futet në sistemin arterial, zakonisht nga arteria femorale që ndodhet në rreze të kofshës së pacientit.
Në majë të këtij kateteri ka një ballon i cili shfryhet dhe balloni lokalizohet pikërisht ne vendin e ngushtuar të arteries koronare.
Në këtë moment balloni fryhet dhe pllaka arterosklerotike shtypet në drejtim të murit të arteries koronare. Mund të duhet të fryhet disa herë.
Një nga disavantazhet e përdorimit të ballonit është restenoza. Është raportuar që 40% e pacientëve që i janë nënshtruar kësaj procedure, brenda një viti ose edhe më pak, arteria është mbyllur, ose e restonuar përsëri, gjë e cila mund të ndodhë për arsye të ndryshme.
Kjo do të nënkuptonte që një procedurë tjetër me ballon ose edhe vetë kardiokirurgjia do të ishin të domosdoshme për këta pacientë.
Këto dhjetë vitet e fundit, një pajisje e vogël e quajtur ‘stent’ u zhvillua për të luftuar restenozat pas hapjes së tyre me kateter me ballon. Stentat iu ngjajnë një tubi metalik në formë rrjete dhe normalisht janë fleksibël. Në këtë procedurë, stenti vendoset mbi ballon dhe të dy vendosen në segmentin e lezionuar.
Kur fryhet balloni stenti zgjerohet dhe lidhet me muret e arteries koronare. Ai qëndron në pozicionin e tij ndërkohë që hiqet kateteri me ballon.
Avantazhi i tij më i madh qëndron në reduktimin e mundësisë që arteria të mbyllet përsëri, megjithëse kjo procedurë nënkupton vendosjen në arterien koronare të një trupi të huaj. Kateteret me ballon nuk janë e vetmja formë e terapisë intervenuese. Një tjetër është një trapano tepër e vogël e cila quhet rotablator.
Kjo pajisje, me pak fjalë thërrmon pllakën aterosklerotike nga arteria koronare. Në kushte të caktuara, lazeri mund të përdoret për të vaporizuar një pjesë të materialit aterosklerotik.
Këto pajisje normalisht nuk përdoren në arterien koronare që është totalisht e bllokuar, veçanërisht nëse ai bllokim ekziston që prej shumë kohësh.
Mundësia e përdorimit të katetereve varet nga grada e bllokimit. Në disa raste, kur kateteret shtyhen me forcë përtej bllokimit, ata mund të përforcojnë vetë arterien koronare duke shkaktuar një komplikacion tepër të rëndë.
Normalisht kur ekzistojnë lezione në arterien kryesore të majtë, kardiologët nuk preferojnë ta dilatojnë me kateter për shkak se një pjesë e materialit mund të dalë nga pllaka në formë të lirë duke shkuar në qarkullim dhe duke bllokuar kështu fluksin e gjakut në ventrikulin e majtë duke shkaktuar mundësinë e një ataku kardiak fatal.
Megjithatë ekzistojnë qendra dhe studime mbi përdorimin e katetereve me ballon për trajtimin e lezioneve në arterien kryesore të majtë në disa kushte të veçanta.