MENU
klinika

Mesazh nga një baba i penduar

“Po nuk shpëtoi vajza, vras veten!”

01.09.2018 - 18:25

Ëndrra të lëna në mes, dhimbje që gëlon në shumë zemra familjarësh, një sëmundje e frikshme ardhur si pasojë e mosmbështetjes nga njerëzit e afërm…

Me këto sekuenca skenash të lëna përgjysmë mund të përshkruhet pothuajse në tërësi e gjithë historia e studentes 25-vjeçare nga një qytet shumë i vogël i Shqipërisë.

Kjo histori njerëzore, në thelb, si personazh kryesor ka pikërisht 25-vjeçaren, ish-studente në Universitetin Politeknik të Tiranës, në degën inxhinieri ndërtimi.

Kthesa e fuqishme në jetën e saj u shënua pikërisht 2 vite më parë.

Si shumica e studentëve shqiptarë, në vitin e parë të studimeve vuajti shumë, u përball me jetën e vështirë ekonomike dhe sociale.

Vajzës me iniciale M.L, vitin e dytë të studimeve iu desh që të punonte përreth 6 muaj dhe paralelisht të ndiqte shkollën. Disfata e saj shpirtërore më e madhe siç e përshkruan i ati ishte djegia e një viti shkollor.

Nuk mundi që të vazhdonte dot më studimet, pavarësisht së një vit më parë mesataren e kishte pasur 10.

Ajo nuk arriti t’i mbyllte dot të gjitha provimet si rrjedhojë e ankthit dhe stresit të ushtruar nga familjarët, i ati në veçanti, i cili herë pas here i kërkonte që të sakrifikohej për shkollën, pasi sipas tij do i duhej gjithë jetën.

Por ngërçi qëndronte në faktin se ajo nuk kishte me se të ushqehej. Nevojat e saj nuk plotësoheshin me të ardhurat që i jepte i ati.

Kështu, u detyrua të punonte shumë, të strapacohej me orë të tejzgjatura në punë, thjesht dhe vetëm që të ishte e zonja e vetes dhe të bënte prindërit e saj krenarë.

Por kjo ëndërr prej 25-vjeçareje nuk zgjati shumë!

Me duar ndër sy, duke fshirë herë pas here lotët që buronin nga një ngashërim i thellë dhe i dhimbshëm, i ati tregon se vajza e tij, nuk donte të ushqehej më. Fjalia që ajo e përsërit prej dy vitesh është:

“Nëse unë ushqehem do të vdes!”

“Këtë fjali e kam peng në zemër. Kurrë nuk arrita që ta kuptoja vajzën time të shkretë. I ushtroja presion psikologjik gjatë gjithë kohës. I kërkoja që të gjitha lëndët t’i kishte me 10-ta. I thoja vazhdimisht që të mos punonte. Për pak e dhunova kur mora vesh se kishte ngelur në klasë.

E kam rritur me peripeci të shumta kur hiqja bukën e gojës për ta ushqyer. Pendesa ime më e madhe është se nuk e suportova kur kishte nevojë. Unë e paragjykova fëmijën tim si të paaftë. Nuk pranoja që ajo të punonte, sepse e dija që në vijim do braktiste mësimet.

Ndërkohë që e vetmja gjë që mban shpirtin tim gjallë është fakti se ajo do bëhet një ditë mirë.

Mezi e pres këtë çast. Me aq mjaftohem tani. Jam treguar shumë i padrejtë me të… një gjë e them me bindje të plotë, nëse vajza ime ndërron jetë, po të njëjtën ditë unë do të vras veten.

Jam aq i penduar sa mezi mbushem me frymë. Duhet t’i kisha qëndruar në krah, si çdo prind që duhet t’i qëndrojë vajzës së tij. Duhet të isha i pari që duhet ta kuptoja atë plotësisht”, rrëfehet i ati.

Dalëngadalë, pas dy viteve e shtruar në një nga spitalet mendore të shëndetit mendor në Shqipëri, jeta e 25-vjeçares ka ndryshuar rrënjësisht.

Është diagnostikuar me anoreksi dhe depresion të moderuar.

Pasi ngeli në të gjitha provimet, fillimisht ajo nisi të refuzonte çdo njeri që takonte, hap pas hapi filloi të urrente ushqimin, pasi e lidhte me faktin se kurrë nuk kishte pasur mundësi të ushqehej siç duhej!

Një nga psikologet që është nën mbikëqyrje të rastit pohon se vajza refuzon në mënyrë kategorike ushqimin, ka humbur shumë peshë dhe rrezikon jetën e saj.

“Situatë vërtet shqetësuese, ushqimin e merr përmes serumit, solucionit fiziologjik, që mjekët ja japin dy herë në ditë”, rrëfen psikologia, pa dashur të bëhet publik identiteti i saj.

 

Përgatiti: Migena Dani