MENU
klinika

Festivali i Filmit

Rama: “Marubin” do e mbështesim vit pas viti

23.09.2018 - 18:14

Kryeministri Rama ishte mbrëmjen e djeshme i pranishëm në ceremoninë përmbyllëse të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, eveniment i cili u zhvillua në mjediset e Akademisë së Filmit “Marubi”.

Rama ishte në shoqërinë e bashkëshortes së tij, Linda Rama, për të ndjekur filmin e fundit të Festivalit, i cili ishte një dokumentar interesant i sjellë nga Askold Kurov, një regjisor me origjinë nga Uzbekistani. Titulli i dokumentarit ishte “Gjyqi – Shteti rus kundër Oleg Sentsov” dhe fliste për regjisorin Oleg Sentsov i cili u bë simboli i qëndresës në Ukrainë në cështjen e aneksimit të Krimesë. Ai u arrestua pa të drejtë me akuzën e terrorizmit.

Kryeministri i vendit pas filmit mbajti një fjalim përshëndetës ku vlerësoi filmin e shfaqur, gjithashtu dhe Festivalin që sipas tij është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit në Shqipëri. Rama deklaroi se është i kënaqur që Akademia “Marubi” është duke punuar në normalitet edhe pse shumë sfida mbeten përpara dhe shumë punë duhet bërë që “Marubi” të ngjitet në nivelin që i takon.

Fjala e Kryministrit Rama:
(Përshëndetja në shqip)
Shumë falemnderit për ftesën për fjalën. Në fakt është hera e parë që vij këtu jo sepse nuk kam dashur të vij më parë, por nuk janë përputhur kushtet kur kanë qënë datat, të themi më të rëndësishme të festivalit. Edhe në këtë rast e vërteta është që ftesën e kisha për hapjen, por ishte e pamundur dhe i thashë Kujtimit që do të vij në mbyllje dhe Kujtimi u gëzua për faktin që kjo koinçidonte me filmin që pamë.

Nga ana tjetër më vjen shumë mirë që odiseja e Akademisë është mbyllur në aspektin e torturës burokratike, dhe Akademia e ka kapërcyer atë hendekun mes të shkuarës dhe të ardhmes në aspektin e statusit të vet e të vazhdimsisë së vet. Sigurisht që odiseja vazhdon në aspektin e sfidave të edukimit, organizimit, krijimit por kjo është pjesë e jetës së një Akademie Filmi, dhe më vjen shumë mirë që kemi mundur të ndihmojmë, edhe pse e vërteta është që do kisha dashur që të kishim qënë dhe më të shpejtë, por nuk ka qënë e lehtë si punë pasi nuk është e lehtë të bësh bashkë shumë mëndje brenda për brenda administratës, dhe të kapërcesh ato pengesat që zakonisht të ngrenë, sepsetë thuash jo në administratë është gjëja më e lehtë dhe është refleksi më primar për çdo rast kur do të bësh diçka që është ndryshe.

Dhe e fundit, më vjen shumë mirë që paralelisht me aktivitetin e Akademisë e cila ka një status shëmbullor sepse është një shkollë publike me administrim privat, zhvillohet edhe festivali, i cili ka nisur si një përpjekje shumë e vështirë dhe me pak në fillim, por faktikisht rritet çdo vit.

Ne do të përpiqemi ta mbështesim festivalin brenda mundësive vit pas viti, pasi mendojmë që në këtë sferë, nuk e bën sasia por cilësia e audienës dhe mundësia që krijon ky lloj festivali për të bashkuar bashkë njerëz që ndajnë disa dëshira një çik si të veçanta dhe shumë të nevojshme për shoqërinë e sotme.

(Përshëndetja në anglisht për të huajt e pranishëm)
Dëshiroj thjesht t’ju falenderoj për këtë film të mrekullueshëm, i cili në besimin tim është i bërë shumë mirë, për të sjellë një histori të vërtetë në vetvete shumë më të madhe sesa një film i thjeshtë. Dhe në të njëjtën kohë dua tu kërkoj ndjesë anglisht-folësve mes nesh për fjalimin tim të gjatë në shqip, por thjesht unë nuk thashë gjëra shumë intersante për t’u përkthyer, por thjesht i shpreha simpatinë time Akademisë dhe vullnetin tim për ta mbështetur Akademinë në sfidat e saj tani që sfidat me burokracinë kanë mbaruar dhe jam i lumtur që kam dhënë një kontribut sado të vogël, pasi ajo që Kujtimi po kujtonte është e vërtetë dhe shpresoj se në një festival do të shoh filmin e kësaj historie sepse është një film në vetvete. Dhe në fakt ajo nuk është një vuajtje nën një rregjim autoritar por është një vuajtje nën rregjimin e idiotësisë, injorancës dhe mediokritetit i cili kthehet aq më shumë në një autoritarizëm kur ndodh që të kombinohet me pushtetin. Ju falenderoj.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët