Përsëri ai, Cristiano Ronaldo nuk ka ndërmend të ndalet, duke lënë pas episodin dhe lotët e kartonit të kuq në Champions League në mesjavë ndaj Valencias. CR7 ka shënuar golin e tretë dhe tashmë duket se është zhbllokuar totalisht.
Juventus ka fituar 2-0 në transfertë ndaj Frosinones falë golit të sulmuesit portugez dhe Bernardeschit, duke konfirmuar edhe njëherë se nuk njeh pengesa, me 5 fitore në 5 javë dhe kryesuar bindshëm me pikë të plota.
Ashtu siç pritej, Juventus e nis lojën duke ushtruar presion ndaj kundërshtarit duke e mbajtur në gjysmëfushën e tij. Ronaldo mund të kishte kaluar të tijtë në avantazh po të mos kishte qenë për mbrojtësin që e largoi nga vija fatale.
Ronaldo’s third goal for Juventus..pic.twitter.com/K5fs9GqV9A
— ASG (@ahadfooty_II) September 23, 2018
Ndeshja i përket vetëm miqve por mundësitë e pastra për gol mungojnë për shkak se Frosinone mbrohet me 10 lojtarë brenda zonës duke mos lejuar hapësira. Juve tenton me krosime brenda zonës, me kombinime apo me goditje nga distanca, por asgjë nuk ka efekt.
Pas pushimit është e njëjta histori, madhe Ronaldo humbet dy mundësi të tjera, sidomos një rast ku donte të bënte gol me thembër por që pritet nga portieri. Minutat kalojnë dhe Frosinone-s i rritet vetëbesimi teksa lojtarët vendas besojnë se mund të marrin një barazim nga ndeshja me Juve-n.
Por në minutën e 82’ godet Cristiano Ronaldo. Pasi merr një pasim të bukur brenda zonës, portugezi godet me të parën duke zhbllokuar rezultatin. Një gol i merituar për miqtë që sigurojnë fitoren me golin e Bernardeschi-t në kohën shtesë pas një kundërsulmi.