MENU
klinika

Arkitekti dhe piktori i madh shqiptar

Rrënimi i shtëpisë së Kolë Idromenos

16.09.2018 - 09:48

Në G’juhadolin e Shkodrës, lagjen historike e karakteristike qindravjeçare të qytetit që lidh Katedralen me “Dugajët e Reja” ndodhet diku strukur një shtëpi e veçantë. Ka qenë banesa e arkitektit, piktorit e skulptorit shkodran Kolë Idromeno.

Nuk shquhet për vlera të spikatura arkitektonike, megjithatë mbetet fakt se shtëpia e arktiektit tanimë është kthyer në lokal. Pa piktura brenda saj por plot tryeza e karrige. Pa skulptura por me një banak modest pas të cilit shërbehet birrë.

Ajo çfarë Idromeno ka lënë pas, pa asnjë mëdyshje mund të shërbenin si punime ekspozuese të një Muzeumi të madh i cili do të frekuentohej nga të gjithë e në çdo kohë. Aty mund të ekspozohej “Motra Tone”, “Dy Rrugët”, plani i “Kafes së Madhe”, arkitetkura e Katedrales së Shkodrës, arkitektura e qendrës së qytetit, skulptura e të tjera punime të artistit më të madh shqiptar të arteve figurative.

Por jo! Ngjitur derës së asaj shtëpie janë mjaftuar me një pllakë! Vetë kaq ka bërë Bashkia për artistin e saj të madh.
Hapja e lokaleve është një tendencë që gjithnjë njeh rritje.

Sipas “INSTAT”, pavarësisht se mbyllen vazhdimisht biznese, lokalet janë amtivitetet tregtare që nuk njohin perëndim për sa kohë kanë frekuentues të shumtë e të rregullt. Parë në këtë aspekt, duke studiuar tregun, kthimi i shtëpisë së Idromenos në një kafene është më fitmiprurës se sa një muze. Në fund të fundit, në Shqipëri njerëzia më shumë pi kafe se sa shkon muze.

Njeriut që jetën ia kushtoi artit dhe vetë jetoi në një shtëpi modeste, sot po i shkatërrohet gjithçka shteti ka në dorë. Idromenos së madh i është shkatërruar varri, për të cilin do të shkruajmë një herë tjetër. I është shkatërruar shtëpia. Edhe rruga që ai vetë dizenjoi duke i dhënë emrin e tij, është shpërfytyruar nga tavolinat e kafeneve.

Kështu Idromeno ka mbetur pa shtëpi të denjë, pa varr të denjë dhe pa një muze, mininumi që do t’ia kishte ofruar çdo vend një figure aq të shquar sa Idromeno. Çdo vend përveç vendit tonë!

 

A. D