MENU
klinika

Më shumë të ardhura buxhetore

Rritet eksporti i naftës bruto

28.09.2018 - 15:23

Rritja e eksporteve të naftës dhe çmimet më të larta të saj në tregjet ndërkombëtare kanë sjellë rritje të arkëtimeve nga renta minerare. Sipas Ministrisë së Financave, të ardhurat nga renta në eksport për tetë muajt e parë të këtij viti janë rritur me 17.5%. Në tetë muaj, buxheti i shtetit ka arkëtuar 1.8 miliardë lekë ose 14 milionë euro nga kjo taksë.

Të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë rritur me 230 milionë lekë, si rezultat i rritjes së sasisë së eksportuar me rreth 81 mijë ton. Ndërsa efekti i i rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare  është pozitiv me rreth 280 milionë lekë. Renta për njësi naftë bruto të eksportuar është rritur nga 2.85 lekë/kg në 3.54 lekë/kg.

Ndryshe nga nafta, mineralet e tjera kanë dhënë efekt negativ në ecurinë e të ardhurave buxhetore.

Të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie në masën 115 milionë lekë për shkak të rënies së sasisë së eksportuar, me rreth 297 mijë tonë më pak. Një efekt shtesë negativ me 126 milionë lekë ka ardhur për shkak të rënies së çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për tetëmujorin e parë të vitit, të ardhurat nga akciza kishin vlerën 29.7 miliardë lekë, me realizim kundrejt planit në masën 98%. Ndikim pozitiv edhe për akcizën ka dhënë karburanti (import+prodhim vendas), që rezultoi rreth 384 mijë tonë, me një rritje prej 0.8% krahasuar me 8 mujorin e vitit 2017.

Gjithashtu, performancë pozitive, si rezultat i rritjes së sasisë, kanë shënuar importi dhe prodhimi i birrës, me 2.4%, importi i duhanit me 4.9%, importi i vaj lubrifikant me 6.3% dhe importi i kafesë me 8.4%.  Gjithashtu, deklarimi i prodhimit vendas të duhanit praktikisht është dyfishuar në 13 tonë nga 7 tonë që kishin qenë në periudhën janar-gusht 2017.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN