Shitjet me pakicë në ekonominë shqiptare u rritën me 2.4% në tremujorin e dytë të vitit. Të dhënat e Institutit të Statistikave dëshmojnë një rritje ndjeshëm më të lartë krahasuar me tremujorin e parë, megjithatë, një ndikim të konsiderueshëm në ecurinë e shitjeve me pakicë vazhdon të ketë tregtia e karburanteve.
Shitjet në këtë segment u rritën me 5.3% në tremujorin e dytë. Po të përjashtojmë tregtinë e hidrokarbureve, rritja e shitjeve me pakicë do të ishte e përgjysmuar, me 1.2%. Në tremujorin e dytë rritja e shitjeve ishte më e ekuilibruar mes produkteve ushqimore dhe jo-ushqimore. Përkatësisht, shitjet e produkteve ushqimore u rritën me 1.4%, ndërsa ato jo ushqimore me 1.2%. Në parim, rritja e shitjeve në mënyrë lineare, pavarësisht elastitcitetit të kërkesës, mund të interpretohet si zhvillim pozitiv. Megjithatë, ritmet e rritjes ngelen ende modeste dhe mjaft të kushtëzuara nga ecuria e çmimeve dhe shitjeve në degën e karburanteve.
Shitjet me pakicë janë ndër treguesit kryesorë të tërthortë të ecurisë së konsumit privat në ekonomi, ndaj kjo rritje e zbehtë vë në pikëpyetje optimizmin për një kontribut më të lartë të këtij komponenti në rritjen ekonomike. Konsumi është shtylla kryesore e rritjes së ekonomisë shqiptare, me mbi 80% të kontributit total.