MENU
klinika

Çfarë i shqetëson CEO-t shqiptarë?

Rritja e taksave është halli i madh

13.09.2018 - 18:25

Rritja e taksave është shqetësimi kryesor për drejtuesit e bizneseve në Shqipëri. Sipas anketimit të kryer nga kompania e shërbimeve financiare Pricewaterhouse Coopers, 85% e menaxherëve shqiptarë e shohin këtë si kërcënimin kryesor për perspektivën e rritjes së biznesit të tyre.

Nuk është hera e parë që rritja e taksave rezulton në krye të listës së problemeve, në anketimet me investitorët vendas dhe të huaj. Ndoshta edhe për shkak të mungesës së një kulture historike taksimi dhe një periudhe të gjatë të karakterizuar nga informaliteti i lartë, sipërmarrjet shqiptare janë shumë të ndjeshme sa herë që duhet t’i paguajnë më shumë shtetit. Po të shohim rezultatet e anketimit të PricewaterhouseCoopers në nivel global, shqetësimi kryesor i menaxherëve të bizneseve në Botë është pasiguria gjeopolitike, e ndjekur nga mbirregullimi dhe nga kërcënimet kibernetike. Ndërsa drejtuesit shqiptarë janë më pak të shqetësuar nga zhvillimet e mëdha globale dhe më shumë për çështjet e brendshme, siç është rritja e ngarkesës fiskale në vitet e fundit. Megjithatë, edhe ata janë të ndjeshëm ndaj çështjeve si e ardhmja e Eurozonës. Ky renditet i dyti mes kërcënimeve potenciale për rritjen e biznesit të tyre. Për shkak të lidhjeve të ngushta ekonomike dhe tregtare, menaxherët shqiptarë janë mjaft të vetëdijshëm për varësinë e ekonomisë shqiptare nga Eurozona. Në të njëjtin nivel me të ardhmen e Eurozonës, shqetësim serioz nga 82% e të anketuarve perceptohet edhe infrastruktura e pamjaftueshme bazë.

Prej më shumë se 20 vitesh PricewaterhouseCoopers zhvillon një anketim global me drejtuesit e kompanive, ku ata japin opinionin e tyre në lidhje me klimën e biznesit, arritjet e vitit dhe sfidat operacionale në afatin e shkurtër dhe të mesëm. Këtë vit, për herë të parë, ky anketim përfshiu dhe 34 drejtues të kompanive të rëndësishme në Shqipëri. Bazuar në rezultatet këtij anketimi, drejtuesit e kompanive në Shqipëri kanë pritshmëri të larta sa i takon rritjes së bizneseve të tyre në terma afatshkurtër e afatmesëm. 85% e drejtuesve shqiptarë presin që të ardhurat e biznesit të tyre të rriten në tre vitet e ardhshme.  Ndërsa tendenca ndërkombëtare e zhvillimit fokusohet te blerja e kompanive konkurruese, drejtuesit në Shqipëri janë më të prirur drejt rritjes organike, bazuar në përmirësimin e produkteve dhe forcimit të pozicionit në treg. 65% e CEO-ve shqiptarë të anketuar besojnë se rritja e biznesit të tyre do të vijë në mënyrë organike dhe jo nga shit-blerjet. Për të rritur konkurrueshmërinë, gjysma e drejtuesve shqiptarë të biznesit kanë deklaruar se do të ulin kostot.

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN