MENU
klinika

Drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore

Rritja ekonomike, mos e nënvlerësoni teknologjinë

18.09.2018 - 15:14

Drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore, Patrizio Pagano, tha gjatë një prezantimi të mbajtur në Bankën e Shqipërisë, se pesimizmi për një stanjacion të rritjes në ekonomitë e zhvilluara me shumë gjasa, është i gabuar. Sipas tij, studimet ekonomike nuk duhet të nënvlerësojnë potencialet e teknologjive ekzistuese si burime të rritjes së ardhshme ekonomike.

“Pas recesioneve, studimet ekonomike përgjithësisht karakterizohen nga parashikime të zymta. Por, përvoja ka treguar se këto parashikime zakonisht kanë rezultuar të gabuara, sepse ato kanë nënvlerësuar potencialet e teknologjive ekzistuese. Pas depresionit të madh, studimet e ishin pesimiste rreth rritjes së ekonomisë dhe e cilësonin atë si të varur nga konsumi, ndërsa investimet ishin të pamjaftueshme për një rritje afatgjatë. Por, ato studime nënvlerësuan ndikimin që do të kishte në ekonomi energjia elektrike dhe gjithë shpikjet dhe shërbimet e lidhura më të. Në mënyrë të ngjashme sot po nënvlerësohen potencialet që ka teknologjia e informacionit dhe komunikimit, për të prodhuar shërbime të reja që do të mbështesin rritjen ekonomike,” tha Pagano.

Studimi i përgatitur nga Patrizio Pagano dhe ekonomisti i Bankës së Italisë, Massimo Sbracia, synon të bëjë një analizë rreth perspektivave afatgjata të rritjes së ekonomisë botërore. Në këndvështrimin e ofertës, shumë studime vlerësojnë se impakti i teknologjive të informacionit dhe komunikimit ka arritur maksimumin si nxitës i rritjes ekonomike. Tashmë, zhvillimi në këtë sektor po orientohet më shumë në pajisjet e konsumit. Por, konkluzionet e studimit të Paganos nuk ndajnë këtë pesimizëm dhe mbështesin idenë se potencialet e teknologjisë për të qenë një mbështetës i rritjes ekonomike janë të paparashikueshme.

Që prej vitit 2014, Patrizio Pagano është drejtor ekzekutiv në Bankën Botërore për shtatë vende, mes të cilave Italia, Greqia dhe Shqipëria. Para se t’i bashkohej Bankës Botërore, Pagano ka punuar në Bankën e Italisë, në Divizionin e Ekonomive të Zhvilluara dhe Financës Ndërkombëtare. Sipas informacionit zyrtar të Bankës Botërore, Pagano është autor dhe bashkëautor në shumë artikuj makroekonomikë, të financës, tregtisë, ndërsa mban një doktoraturë nga Universiteti i Pavias në Itali.