MENU
klinika

Albert Çaçi

Rusi-Israel, një ekuilibër i rrezikuar

23.09.2018 - 14:20

Rrëzimi i  avionit rus  IL-20  në Siri dëshmoi edhe njëherë se sa vulnerabël është situata në këtë vend. Kjo ngjarje ju rikujtoi të gjithëve se nga një incident dhe gabim në llogaritje mund të shpërthejë një luftë deri edhe botërore, madje  edhe nukleare .

Nën presionin e  një sulmi israelit nga ana e detit me katër F-16,  bateritë e vjetra  S-200 të Sirisë goditën gabimisht avionin për luftë elektronike IL-20   me 15 ushtarakë rus në bord.  Menjëherë pas kësaj gjeneralët rusë deklaruan se përgjegjës është Israeli dhe se ata do të hakmerren me raprezalje. Një gjuhë e vrazhdë  që rusët nuk e kanë përdorur ndonjëherë që mbas rënies së BS por që e rriti jashtëzakonisht tensionin.

U desh një telefonatë urgjente e Netanjahut, ku sipas medias israelite edhe mund të ketë kërkuar falje që Putin të dalë në konferencë për shtyp dhe të ulë tonet duke e konsideruar  një ngjarje  tragjike duke frenuar kështu gjeneralët e tij.

Që situata vazhdon të jetë shumë e rrezikshme e dëshmon edhe  fakti se me kërkesën e Israelit të enjten komandanti i aviacionit israelit shkoi në Moskë ku iu shpjegoi rusëve versionin e tyre mbi  dinamikën e ngjarjes.

Rusët e kanë të qartë se avionin e kanë rrëzuar sirianët por ata nuk i falin Israelit faktin që njoftuan rusët për sulmin vetëm 1 minutë përpara dhe nuk iu dha mundësi të largonin IL-20 nga zona e sulmit. Ka një marrëveshje midis dy paleve që deri tani kishte funksionuar, që Israeli duhet të njoftojë 30 minuta përpara çdo sulmi rusët. Jo se S-400 nuk i evidentuan avionët israelitë që në nisje me radarët e tyre  por në një distancë prej më pak se 100 km koha e largimit të avionit rus ishte e pamjaftueshme.

Kjo është nga ato ngjarje që nuk mund të harrohen  lehtë dhe padyshim ka konseguenca shumëplanëshe.

Pyetja e parë që bëhet është se përse rusët nuk përdorin asnjëherë sistemin e tyre S-400? Rusët disponojnë në Siri një sistem mbrojtës për trupat dhe bazat e tyre të përbërë nga dy unaza. Njëra me S-300 kundër avionëve të gjeneratës së katërt (F-16,F-15-F18) dhe tjetra me S-400 kundër atyre të gjenaratës së pestë stealth (F-22,F-35,B-1,B-2) dhe raketave balistike. Madje edhe sistemet detare  S-350 nga anijet  mund ta mbyllin çdo sulm nga deti. Putini e ka patur shumë  të qartë se futja e këtyre sistemeve do të sillte rrëzimin e avionëve perëndimorë dhe lufta do të përshkallëzohej në të tjera dimensione dhe që Rusisë nuk do t’i interesonte.

Israeli ka kryer mbi 150 sulme ajrore në Siri që kur Rusia është vendosur në aty por ata  nuk janë kundërpërgjigjur asnjëherë. Madje edhe ndaj sulmeve të SHBA me raketa rusët nuk reaguan duke e lënë Sirinë të kundërpërgjigjet me sistemet e saj kundërajrore.

Jo rastësisht sulmi i Israelit erdhi vetëm 3 orë mbas arritjes së marrëveshjes midis Putinit dhe Erdoganit mbi armëpushimin  ne Idlib  duke shmangur kështu një gjakderdhje të civilëve dhe dyndje emigrantësh drejt kufirit turk. Putini e ka të qartë se tashmë mbas 3 vitesh në Siri po e fiton  këtë luftë dhe nuk do që kjo fitore t’i shpëtojë nga dora.

Një reagim virulent  ndaj Israelit mund të çojë  në një përshkallzim që mund komplikojë gjithë situatën duke sfumuar fitoren por edhe duke kërkuar impenjime të reja forcash dhe mjete financiare.

Rusia ka marrëdhënie speciale me Israelin. Mbi një milion hebrenj rus janë vendosur në Israel mbas 1990. Israeli nuk bashkohet asnjëherë në sanksione kundër  Moskës. Netanjahu ka ndërtuar marrëdhënie të veçanta me Putinin kur për dy vjet ka vizituar Moskën në mënyrë të paprecedentë  9 herë megjithëse Putin nuk ka vizituar akoma Israelin pas vendosjes ruse në Siri.

Moska e ka toleruar Israelin të kryejë mbi 150 sulme pasi e di mirë  që objekt i sulmeve israelite nuk janë trupat ruse dhe as  ushtria e Asadit por trupat iraniane dhe të hesbollahëve  që po i afrohen gjithmonë e më shumë kufirit verior israelit. Putinit i ka interesur në heshtje që Israeli të godasë trupat iraniane pasi Moska nuk e shikon me sy të mirë vendosjen arrogante të Iranit në Siri, pasi kërkon që ajo të jetë dominuesja e Sirisë pas luftës.

Tani rrëzimi i IL-20 ndryshon pozicionet. Vetë mediat israelite theksonin se ai që do ta vuajë më shumë konseguencat do të jetë Israeli.

 Putini nuk do të lërë pa shfrytëzuar këtë rast pa nxjerrë përfitime maksimale. Ashtu siç administroi rrëzimin e avionit rus SU-24 nga Turqia që në fund të fundit solli largimin e Turqisë nga bashkërendimi me perëndimorët (edhe për shkak të kurdëve) dhe që po çon drejt përfundimit të luftës  ashtu do të kërkojë që nga kjo ngjarje të përfitoje sa më shumë.

Veprimi i parë i  Moskës ishte vendosja e një non-fly zone që nga data 20 shtator  në gjithë zonën e Mesdheut Lindor përballë bregdetit të Sirisë dhe Libanit  duke bllokuar tashmë cdo mundësi të Israelit për sulme. Israeli tashmë  do të duhet të kryejë  sulmet nga ana e Jordanisë ose  direkt nga territori i tij nëpërmjet Golanit por edhe që këtu sistemi i S-400 nuk do t’i tolerojë më. Rusia tashmë ka vendosur nën kontrollin e saj gjithë hapsirën ajrore të Sirisë. Israeli e ka të qartë tashmë se në  çdo sulm të ardhshëm  në Siri do të ketë të bëjë me hakmarrjen e gjeneralëve të Moskës  për rusët e humbur  në IL-20.

Kjo për Israelin ka konseguenca të mëdha  stategjike pasi iranianët dhe hesbollahët mund të kenë fushë të lirë veprimi në territorin sirian dhe ky është preokupacioni më i madh për Israelin dhe për të cilën ai ndërmerr sulmet.

Media israelite në fakt vlerësonte pozicionin e moderuar  të Putin por ishte koshiente se në vazhdim roli i Rusisë në bllokimin e avancimit iranian të zhvilluar deri tani do të zbehet ndjeshëm  dhe kjo shqetëson më  shumë Israelin.

Lëvizja e Moskës nga ky pozicion shqetëson edhe SHBA pasi prish shumë ekulibra. Shprehja e ngushëllimeve nga Pompei dhe afrimi i ndihmës per rikuperimin e trupave të ushtarakëve të IL-20  nga ana e SHBA shpreh edhe shqetësimin se ndryshimi i pozicionit te deritanishëm të Moskës në raport me Israelin  mund të sjellë komplikacione shumë të rrezikshme.

SHBA nuk mund të lejojnë që pasdaranët dhe hesbollahët të kërcënojnë direkt në kufirin verior të Israelit.

Fakti që Moska arriti me shumë vështirsi t’i largojë Iranianët 100 km nga kufiri israelit ka qenë i vlerësuar si nga Israeli, që pranojë që në kufirin siriano-israelt të jenë vetëm trupat ruse, ashtu edhe nga SHBA.

Për fat të mirë deri tani ka mbizotëruer bonsensi dhe janë shmangur  vendimet e rrezikshme emotive  dhe ndoshta dilpomacia mund të tentojë një rikuperim. Por në vetvete ngjarja nuk mund t’i lërë gjërat siç ishin më parë. Kuadri tashmë ka ndryshuar dhe padyshim që do të ketë ripozicionime.

Kjo ngjarje dëshmon edhe një herë se sa imperative është mbyllja e këtij konflikti 6-vjeçar që për nga impenjmi i kaq shumë aktorëve me interesa kaq  të ndryshme përbën  një nga rreziqet më të mëdha të botës sot.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Gabimet që janë bërë...

Nënvlerësimi i Trump nga Erdogan

'Lufta' për gazin

Marrëveshja e Kaspikut

Analiza/ Albert Çaçi

Plani i shekullit