MENU
klinika

Një epokë e re për marrëdhëniet mes tyre

Rusi-Kinë bashkojnë forcat kundër SHBA-së

12.09.2018 - 09:50

Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij rus Vladimir Putin kanë premtuar të forcojnë lidhjet mes Kinës e Rusisë dhe të kundërshtojnë unilateralizmin, pasi dy vendet kërkojnë të sulmojnë fuqinë e Shteteve të Bashkuara në skenën ndërkombëtare.

Të dy udhëheqësit u takuan për herë të tretë këtë vit të martën në Vladivostok. Bisedimet përkonin me fillimin e Vostok 2018, ushtrimit më të madh ushtarak të Rusisë që nga epoka sovjetike dhe që përfshin trupa nga Kina dhe Mongolia.

Sipas televizionit shtetëror të Kinës CCTV, Xi i tha Putinit se takimet e shpeshta midis dy vendeve reflektojnë “veçantinë” e marrëdhënies së tyre.

“Të dy vendet duhet të kundërshtojnë unilateralizmin dhe të ndërtojnë një lloj të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare” tha ai.

Epoka e re e marrëdhënieve Rusi-Kinë lind nga shqetësimet se lufta tregtare SHBA-Kinë, e shkaktuar nga politika e jashtme amerikane e Presidentit të SHBA Donald Trump, që i ka kushtuar miliarda dollar Pekinitn, mund të përshkallëzohet në një luftë të ftohtë midis dy vendeve.

Rusia, gjithashtu, ka qenë nën presion të konsiderueshëm nga SHBA. Muajin e kaluar, Uashingtoni vendosi sanksione të reja ndaj Moskës në përgjigje të sulmeve kibernetike të Kremlinit dhe përfshirjes së dyshuar në helmimin e ish-agjentit të dyfishtë Sergei Skripal në Britani në mars.

Rubla ka rënë ndjeshëm ndaj dollarit në vitin 2018, pasi sanksionet e Bashkimit Evropian dhe të SHBA kanë kufizuar rritjen ekonomike të Rusisë.

Në shenjë tjetër të përmirësimit të marrëdhënieve midis Pekinit dhe Moskës, Kina ka dërguar 3,200 trupa, më shumë se 1,000 automjete dhe 30 avionë për të marrë pjesë në Vostok 2018, stërvitjen më të madhe ushtarake të Rusisë që nga viti 1981.

Në takimin e tij me Putin, Xi tha se të dy vendet duhet të rrisin bashkëpunimin në një sërë fushash, përfshirë shkencën dhe teknologjinë, mbrojtjen, kundërterrorizmin dhe “Iniciativën e Brezit dhe Rrugës”, planin e guximshëm të Pekinit për të rritur lidhjet e saj tregtare në mbarë botën.

Të dy liderët tashmë janë takuar dy herë këtë vit, në Pekin në qershor dhe në Johanesburg në korrik. Xi i përshkroi ato takime si  “tepër të frytshme”.

Ambasadori i Kinës në Rusi, Li Hui, tha të dielën se marrëdhëniet kino-ruse ishin “në më të mirën e tyre në histori”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Disa çështje ende të pambyllura

Çfarë e pengon marrëdhënien Francë-Rusi?