MENU
klinika

Rreziku i investimit

Sa është norma optimale e fitimit në Shqipëri?

03.09.2018 - 12:45

Në një ekonomi gjithnjë e më të globalizuar, një ndër çështjet më delikate për investitorët është llogaritja e rrezikut të investimit. Ekonomi të ndryshme kanë rreziqe të ndryshme të lidhura me qëndrueshmërinë politike, ligjore, ekonomike apo të tregut që ofron secili vend.

Mbi bazën e këtyre vlerësimeve, tentohet të llogaritet një prim i rrezikut të kapitalit, që, në thelb, mat rrezikun e të investuarit të parave në një ekonomi. Për shembull, një kompani që ka aktivitet në Austri, para se të vendosë të shtrijë biznesin e saj në Shqipëri, do të bëjë një vlerësim të kujdesshëm të rrezikut të të investuarit dhe normës optimale të fitimit që synon nga ky investim. Për të dhënë një informacion krahasues për riskun e investimit, ekonomisti Aswath Damodaran ka kryer një studim interesant, përmes të cilit llogaritet primi i rrezikut të kapitalit në shumicën e ekonomive botërore. Damodaran është një ekonomist me origjinë indiane dhe profesor i Financës së Koorporatave në Shkollën e Biznesit Stern, pranë Universitetit të Nju-Jorkut. Pjesë e këtij studimi është edhe Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Primi i rrezikut të kapitalit në Shqipëri, 12.56%

Sipas studimit të Damodaran, primi i rrezikut të kapitalit në ekonominë shqiptare llogaritet në 12.56%. Në një kontekst gjithëpërfshirës krahasimi, ky vlerësim përfaqëson padyshim një rrezik mjaft të lartë të investimit të kapitalit. Mjafton të thuhet se mesatarja botërore, sipas studimit, është 9.95%. Megjithatë, në raport me ekonomitë e rajonit, mund të thuhet se vlerësimi i Shqipërisë është në nivele të përafërta.

Primin më të ulët të rrezikut në rajon e kanë Maqedonia dhe Mali i Zi, me 11.21%. Shqipëria dhe Serbia janë në vijën e dytë të renditjes me 12.56%, ndërsa pozicionimin më të dobët e ka Bosnje-Herecegovina, ku primi i rrezikut të kapitalit është 15.56%. Në thelb, Shqipëria renditet në vlerat mesatare rajonale dhe rreziku i investimit është i krahasueshëm me vendet e tjera.

Përcaktimi i primit të rrezikut të kapitalit mbështetet mbi disa faktorë, ku themeli i parë është rating (vlerësimi) sovran i ekonomisë. Studimi ka marrë për referencë vlerësimin e Moody’s, ku Shqipëria qëndron në nivelin B1. Ky vlerësim përkthehet në një prim rreziku prej 4.5%. Në vetvete, vlerësimi sovran ka një peshë të konsiderueshme dhe përcakton diferenca thelbësore. Kështu, për vendet me rating Aaa, primi i rrezikut bazuar në këtë faktor është 0. Më tej, primit të rrezikut që rrjedh nga rating i shtohet primi i rrezikut të secilës ekonomi. Ky prim rreziku përcaktohet kryesisht mbi bazën e rrezikut të falimentit për çdo vend dhe në rastin e Shqipërisë, teknikat e përdorura nga studiuesi e kanë nxjerrë këtë indikator në 6.75%. Së fundmi, dy primeve të para, të vlerësimit sovran dhe rrezikut të ekonomisë, i shtohet edhe primi i rrezikut të tregjeve të maturuar, që mbështetet në indeksin e S&P 500. Duke shtuar edhe këtë element të fundit, totali i rrezikut të kapitalit në ekonominë shqiptare ka rezultuar 12.56%.

Rreziku i investimit dhe pritshmëria e fitimit

Primi i rrezikut të investimit natyrshëm shërben si bazë për normat e pritshme të kthimit nga kapitali që vendos një investitor. Në një ekonomi me rrezik të lartë, një investitor do të tentojë norma më të larta fitimi, për të mbuluar rrezikun e marrë përsipër. Përkundrazi, në një ekonomi me rrezik të ulët, një kthim më i ulët nga kapitali do të ishte i pranueshëm, duke marrë parasysh qëndrueshmërinë dhe rreziqet më të ulëta që paraqet një vend i zhvilluar, në afatin e gjatë. Targetimi i një norme të kënaqshme kthimi nga kapitali do të përfshinte primin e rrezikut, sipas vlerësimit më lart, plus kthimin nga investimi pa rrezik, që përgjithësisht vlerësohet kuponi i obligacioneve qeveritare. Aktualisht, kuponi i obligacioneve 10 vjeçare është 6.8%.

Duke mbledhur kthimin e investimit pa rrezik (kuponin e obligacioneve, 6.8%) dhe primin e rrezikut të kapitalit (12.56%), kthimi optimal nga kapitali për ekonominë shqiptare do të ishte rreth 19.36%.

Deri para pak vitesh, ndërmarrjet me fuqi të ndjeshme në tregje si telekomunikacionet apo sektori bankar mund të arrinin kthime edhe më të larta se kaq; por, një kthim i tillë nga kapitali në kohën e tanishme është mjaft i rrallë, edhe në sektorët më fitimprurës. Pavarësisht se një kthim nga kapitali 19%-20% do të ishte një objektiv shumë ambicioz për kohërat që po kalon ekonomia, është e kuptueshme që kush investon në ekonominë shqiptare ka pritshmëri për kthime të larta, duke pasur parasysh primet relativisht të larta të rrezikut. Sipas një studimi të Bankës Botërore, kthimi nga kapitali për sektorin privat në Shqipëri vlerësohet të ketë rënë me 30% në periudhën 2000-2012. Rënia e kthimit nga kapitali natyrshëm që ul interesin për të investuar në një ekonomi, për më tepër në një mjedis ekonomik botëror është është ende i zymtë. 15 vjet më parë, një bankë apo kompani telekomunikacionesh nga Europa Perëndimore e shihte Shqipërinë me shumë interes si destinacion investimi, për shkak të potencialeve të mëdha të fitimit. Sot, shumë nga këto kompani janë të predispozuara për t’u larguar nga Shqipëria apo nga vendet përreth, sepse tregu nuk ofron më fitime të mjaftueshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Investimet e huaja në Shqipëri

Kapitali grek ruan “fronin”