MENU
klinika

Vendet ku shkon në burg

Sa të ashpër jemi me evazionin fiskal?

06.09.2018 - 11:08

Në mandatin e parë, qeveria e majtë ndoqi një politikë të “kërbaçit” dhe ashpërsoi ndëshkimet për krimet e lidhura me evazionin fiskal dhe kontrabandën. Duke kërkuar mbështetje apo kundërshti për një politikë të caktuar, është e natyrshme të kërkohet një krahasim me praktikat e vendeve të tjera. A është Shqipëria i vetmi vend që të fut në burg nëse shmang taksat? Sigurisht që jo, por nga ana tjetër, në legjislacionin e vendeve më të zhvilluara burgu nuk është ndëshkimi kryesor i parashikuar për evazionin apo mashtrimin fiskal. Shumica e vendeve aplikojnë penalitete të llogaritura si përqindje kundrejt shumës së taksës apo tatimit të papaguar. Ç’është më e rëndësishme, legjislacioni në përgjithësi ruan një lloj përpjestimi mes masës së shkeljes dhe ndëshkimit. Legjislacionet më të rrepta parashikojnë gjoba që mund të shkojnë deri në katër herë shumën e taksës së papaguar, por jo gjoba që mund të tejkalojnë gjithë qarkullimin vjetor të biznesit.

Vendet ku burgosesh për evazion

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ofron një informacion mjaft gjithëpërfshirës lidhur me penalitetet që parashikon legjislacioni i 53 vendeve të ndryshme në rastet e evazionit fiskal. Në shumicën e vendeve, burgu nuk parashikohet si ndëshkim për shangien e taksave, qoftë edhe në rastet kur kjo mund të jetë e qëllimshme.

Nga 53 vende të marra në analizë, evazioni mund të ndëshkohet me burg në 13 prej tyre. Këtu duhet qartësuar se jo çdo formë evazioni fiskal konsiderohet si veprimtari kriminale dhe dënohet me burgim; kjo formë dënimi aplikohet në rastet kur provohet se evazioni ka qenë në vlera të mëdha dhe i qëllimshëm, apo për forma të mashtrimit me taksat dhe tatimet.

Vendet ku legjislacioni parashikon dënim me burg për këto vepra penale janë SHBA, Kanadaja (për administratorët e bizneseve), Gjermania, Franca, Danimarka, Finlanda, Luksemburgu, Polonia, Lituania, Turqia,  Singapori, Kili, dhe Afrika e Jugut. Dënimi maksimal i parashikuar për mashtrimin me taksat ose mosdeklarimin e qëllimshëm është deri në 5 vjet burg dhe aplikohet në Gjermani, Francë dhe në Afrikën e Jugut.

Mbizotëron sanksioni financiar

Në shumicën e vendeve, fshehja e të ardhurave ose mospagesa e taksave ndëshkohet me sanksione financiare, që llogariten si përqindje ndaj vlerës së shumës së fshehur. Në disa raste, kësaj shume i shtohet interesi mbi shumën e papaguar të tatimit. Për shembull, në Hungari gjoba mund të shkojë deri në 50% të shumës së tatimit të papaguar, por për principalin (jo për gjobën) paguhet edhe interesi për vonesat. Meksika aplikon një interes mujor prej 1.13% për shumën e papaguar të taksës, të cilës i shtohet edhe indeksimi me normën e inflacionit dhe një penalitet që mund të shkojë nga 55% deri në 75% të vlerës së taksës së papaguar. Në rastet më të rënda, penaliteti mund të shkojë deri në 400% të vlerës së shmangur, siç parashikohet në legjislacionin fiskal të Luksemburgut. Në shumë vende, legjislacioni bën dallime të dukshme mes evazionit të qëllimshëm dhe atij të paqëllimshëm. Për shembull, në Australi nuk aplikohen gjoba, nëse vlerësohet se shmangia e taksave ka qenë e paqëllimshme dhe se tatimpaguesi ka treguar kujdes të mjaftueshëm në përgatitjen e deklarimeve tatimore.

Vendet më afër Shqipërisë në përgjithësi aplikojnë penalitete në formën e gjobës mbi shumën e taksave të papaguara. Për shembull, Italia aplikon një penalitet nga 100% deri në 200% të diferencës mes vlerës që tatimpaguesi ka paguar dhe asaj që duhej të paguante. Greqia ka një sistem që mbështetet te penaliteti i llogaritur si interes mujor. Për shumën e papaguar të taksave, individi ose biznesi paguajnë një interes prej 2%, por në total, penaliteti nuk mund të jetë më i lartë se 200% e detyrimit fiskal.

 

Kodi Penal shqiptar, ndëshkime “drakoniane”

Ndryshimet  në Kodin Penal të dy viteve më parë parashikojnë dënime mjaft të rënda për forma të veçanta të kontrabandës dhe evazionit fiskal. Kontrabanda e mallrave të akcizës dënohet me burgim deri në shtatë vjet. Kur kjo vepër penale kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet. Përcaktimi ligjor klasifikon si kontrabandë jo vetëm fshehjen e mallrave, por edhe deklarimin e pjesshëm apo të pasaktë të tyre të llojit apo të vlerës së mallrave. Përveçse shumë i ashpër, ky përcaktim ligjor nuk jep asnjë diferencim apo përshkallëzim për fshehjen apo mosdeklarimin. Gabimet apo pasaktësitë e mundshme në dokumentacionin e deklarimit mund t’i çojnë sipërmarrësit në burg deri në shtatë vjet. Jo vetëm kaq, por Kodi Penal parashikon dënim deri në tre vjet burg edhe për ata që tregtojnë, transportojnë apo përpunojnë mallra që dihen se janë kontrabandë. Kjo e zgjeron mundësinë e ndjekjes penale dhe të burgut edhe te persona të tjerë, që nuk janë direkt përgjegjës për evazion apo kontrabandë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Kostot e prodhimit të produkteve po rriten më ngadalë

Si pritet të jenë çmimet për festa?

Lehtësohen lejet e ndërtimit në fshat

Detaje nga projektligji i qeverisë për faljen e gjobave

Balluku zbulon objektivin për 2025-ën

10 milionë pasagjerë brenda vitit në Rinas

Dhjetëra njësi administrative pa fëmijë

Si po shuhet Jugu i vendit! Popullsia, drejt plakjes