MENU
klinika

Stefan Çapaliku

“Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, botohet në Francë

28.09.2018 - 12:25

Një tjetër lajm i mirë për letërsinë shqipe vjen nga Franca. Cikli romanesk i autorit Stefan Çapaliku është botuar në frëngjisht nën përkthimin e Ardian Marashit nga shtëpia botuese “Meet”.

Lajmin e bën të ditur vetë autori shkodran Stefan Çapaliku përmes faqes së tij në rrjetin social Facebook.
“Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, i cili, është botuar deri më tash në dy vëllime që do të vazhdojë edhe me një vëllim të tretë. Vazhdimësia ndjek një logjikë kohore, kurse element konstant mbetet narratori, i cili duke dëshmuar për jetën e vetdhe jetën rreth tij, e subjektivizon rrëfimin dhe i jep status të një fiksioni autobiografik. Jo rastësisht, paragrafi i parë i romanit mbaron duke e theksuar unin. Autori bëhet narrator, narratori – fokalizator, vokalizator dhe personazh, njëkohësisht. Pra, si zakonisht në rrëfimet autobiografike, i njëjti person kryen pesë funksione: shkruan, rrëfen, fokuson, tonalizon dhe vepron. Romanin nuk e bëjnë të veçantë këto pesë funksione, atë e bën të veçantë strukturimi, që shfaqet si temë dhe teknikë.

Romani, edhe pse ndjek një kronologji, nuk ka një linjë rrëfimi. Ai e shpërfill kompozicionin tradicional për t’i lënë hapësirë eksperimentit dhe për t’u ndërtuar si një album narrativ me imazhe të ndryshme nga jeta e një kohe dhe e një qyteti. Kjo ndarje ka për bazë televizorin si religjion të ri. Shkodra me rreth njëqind mijë banorë kishte vetëm pesë televizorë. Pra, një televizor për njëzet mijë veta. Kështu, televizori kthehet në qendër të rrëfimit. Ai imponon sjelljet e njerëzve, diskutimet e tyre, ai ndryshon jetën e familjes, të lagjes dhe të qytetit. Jeta ndikohet thellësisht nga televizioni, i cili ka forcën e transformimit të shoqërisë. Njerëzit mblidhen te shtëpia që ka televizor dhe shikojnë emisione të ndryshme informative, sportive, apo argëtuese. Televizori nuk fiket për gjashtë vjet rresht, derisa vdes një anëtar i familjes

Televizori e gjallëron shtëpinë dhe qytetin, por vjen një ditë kur lirisë së tij i vjen fundi. Vendosja e zhurmuesve që ndalojnë ndjekjen e kanaleve të “botës së degjeneruar” është dritarja e fundit e mbyllur në ngrehinën komuniste:
“E tmerrshme. Po tashti? Çfarë ndodh tashti? Të shohim Tiranën?!!! Vetëm Tiranën?!!! Asgjë tjetër?!!! Aha…Domethënë kësaj i thonë të shohim veten. Të mos kemi më dritare me xhama, por në vend të xhamave të kemi pasqyra e të kënaqemi duke parë shëmtinë tonë.”

Dhe kështu, mungesa e kanaleve të huaja televizive i jep kohës epitetin e një faze post-television, kohë kjo kur, në mungesë të filmave të huaj, realiteti fillon të bëhet prapë “interesant”, madje më dramatik se filmat. Një nga këto momente “interesante” ndodh në sheshin e qytetit kur i ekspozojnë kufomat e të vrarëve në kufi, për t’ua futur frikën në palcë qytetarëve të lodhur dhe të mërzitur nga izolimi.

Romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” është rrëfim për njeriun e vogël në kohën e Njeriut të Ri. Njeriu i vogël, me jetën minore, të zakonshme, të pabujë, ishte njeriu që shihte jetën e vet, punën e vet, njeri i parëndësishëm në rrjedhat politike të vendit. Mirëpo, ky njeri po i humbte cilësitë e tij për shkak të ideologjisë komuniste që proklamonte Njeriun e Ri, njeriun pa të kaluar, njeriun në shërbim të Partisë. Dhe pikërisht te kjo përplasje mes dy tipave të njeriut qëndron tema tragjike e romanit. Shqiptari rrezikon t’i humbë vetitë e tij dhe të kthehet në njeri robot që i bindet vetëm sistemit. Pra, njeriu rrezikon të dehumanizohet për shkak të ideologjisë së barazisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Botim në italisht dhe bullgarisht

“Epika e yjeve të mëngjesit”