MENU
klinika

Takimi në Bukuresht

Sejko: Borxhi privat nën kontroll

24.09.2018 - 12:02

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në takimin e 40-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit, i zhvilluar në Bukuresht, Rumani. Takimet e Klubit të Guvernatorëve shërbejnë si një platformë diskutimi mbi zhvillimet e fundit të vendeve anëtare, ku bankat qendrore prezantojnë eksperiencat e tyre, mekanizmat dhe politikat që përdorin për t’u përshtatur me ndryshimet dhe zhvillimet e tregjeve financiare dhe sektorin bankar, me qëllimin kryesor ruajtjen e stabilitetit financiar.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mbajti një prezantim mbi stabilitetin financiar dhe perspektivat e rritjes së borxhit të korporatave në vendet në zhvillim, duke u ndalur në mundësitë dhe sfidat midis tyre.

Guvernatori Sejko u shpreh se stabiliteti i sistemit financiar dhe ecuria e ekonomisë reale janë të ndërvarura nga njëra-tjetra, dhe kjo lidhje përcaktohet kryesisht nga niveli dhe cilësia e kredisë për korporatat financiare, si edhe nga kuadri ligjor për zgjidhjen e këtij borxhi.

Më tej, Guvernatori shtoi se për të vlerësuar rreziqet për stabilitetin financiar, është e rëndësishme të sigurohen më shumë të dhëna për natyrën e këtij borxhi. Kjo merr rëndësi të veçantë në kushtet aktuale, kur një normalizim i politikës monetare në nivel global mund të sjellë pasoja për ngarkesën e borxhit të korporatave financiare në vendet në zhvillim, si dhe në cilësinë e tij. Ai u shpreh se më shumë mbetet për t’u bërë për të rritur elasticitetin e institucioneve financiare dhe tregjeve financiare.

Duke u kthyer tek rasti i Shqipërisë, Guvernatori përmendi përpjekjet për të vlerësuar ngarkesën me borxh të ndërmarrjeve nëpërmjet vrojtimeve të kryera nga Banka e Shqipërisë. Ai theksoi se të dhënat tregojnë që ky borxh mbetet në nivele të kontrolluara, ndërkohë që sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe likuid, i aftë të absorbojë rreziqet potenciale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN