MENU
klinika

Festivali i Teatrit

“Senatori Fox”, përtej fasadës dhe intrigave të pushtetit

25.09.2018 - 17:03

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit vijon pasditen e sotme rrugëtimin me shfaqjen “Senatori Fox”, të sjellë në skenën e Universitetit të Arteve, nga trupa e Teatrit “Petro Marko” të Vlorës.

Komedia “Senatori Fox” e shkruar nga dramaturgu brilant Luigi Lunari, vjen në skenë nga regjisori Roland Minga, skenografi të Drini Shehut dhe e interpretuar nga aktorët e Teatrit “Petro Marko”: Astrit Mamaj, Artan Islami, Jorgaq Tushe, Matilda Avduli, Bruna Belaj dhe Lavdimir Abilaliaj.

Senatori Fox është satirë që vë në dukje ngjashmëritë e politikanëve të sotëm europianë me ata shqiptarë. Historia e Senatrorit Fox është histori që na përket nga afër të gjithve. “Mesazhi që kam dashur gjithmonë të përcillet nga kjo shfaqje ka qenë pikërisht ajo që shohim ne përditë, por e sjellë me finesë artistike në skenë. Përtej fasadave të politikës gjithmonë në korridoret e ngushta e të errëta ndihet kalbësia e intrigave të lojës për pushtet. Aty ngjizen: mashtrimi, parapaskenat, korrupsioni e që më pas vishen bukur e serviren në politikën e ditës si ngjarje të jashtëzakonshme”, është shprehur regjisori Roland Minga për Konica.al.

“Përmes zgjidhjeve skenografike të cilat transformohen bashkë me thellimin e intrigave të pushtetit, impostimit të karaktereve mesazhi vjen si një satirë therëse, me personazhen që shkojnë në përqeshje të vetvetes, por pa kaluar cakun artistik të komedisë fine. Nga pikëpamja interpretative, aktorët vijnë me një lojë realiste, gjithashtu me theksime të nuancave të karaktereve që përfaqësojnë. Bashkë me muzikën e kompozuar nga Artur Dhamo, krijohet një bashkësi elementesh artistikë të cilët sjellin në skenë “Senatorin Fox” me dritë-hijet e jetës politike.” tha regjisori Minga.

Përsa i përket vlerësimeve dhe cmimeve të Festivalit, trupa e Teatrit “Petro Marko” vjen me ambicien për të “rrëmbyer” cmime në kategori të ndryshme, sepse në këndvështrimin e regjisorit dhe kritikës pas premierës në Vlorë pak muaj më parë, “Senatori Fox” është një punë artistike e denjë në cdo element të saj për t’u vlerësuar me cmim në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN