Në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” u zhvillua Edicioni i 3-të i Cespic Summer School “Lufta, rindërtimi dhe krijimi i paqes nga rrënjët e luftës deri në vendosjen e një Paqeje të qëndrueshme”.
Kjo Shkollë Verore ka për qëllim të japë njohuri shkencore mbi shkaqet e luftës dherindërtimit. Leksionet mbahen nga profesorë të universiteteve të huaja të njohur në nivel ndërkombëtar, pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.Këtë vit, bashkëpunimi i CESPIC me Institutin e Ekonomisë dhe Paqes në Sidnei dhe Qendrës Confronti në Romë solli në Tiranë, profesorë të njohur nga universitete prestigiose.
Prej 30 gushtit deri në 6 shtator 2018, në CESPIC Summer School leksionet u mbajtën nga profesorët e Universiteteve të Warwick, Essex, Universiteti i Thesalisë, Bath, Napolit, Veronës dhe Instituti i Kërkimeve për Paqen në Oslo (PRIO).
Në përputhje me traditën e Shkencës së Paqes, programi i Shkollës Verore të CESPIC ishte ndërdisiplinor, duke përfshirë ekonomi, shkenca politike, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe histori. Summer School është menduar për studentët dhe të diplomuarit që tregojnë interes për studimin shkencor të Paqes dhe janë të gatshëm të vazhdojnë studime universitare të përparuara ose për profesionistë të ardhshëm në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në ndërtimin e paqes.
Çfarë është CESPIC?Qendra Europiane e Shkencës për Paqe, Integrim dhe Bashkëpunim (CESPIC) lind si një strukturë brenda Universitetit Katolik ZKM me synimin për të zhvilluar dhe mbështetur Shkencën e Paqes.
Aktiviteti i CESPIC bashkohet me vizionin e paqes së themeluar mbi tre shtylla konceptuale: paqen brenda shoqërisë, paqen midis shteteve, paqen e kuptuar si një e mirë publike globale. Qendra përveç se merr pjesë në nisma ndërkombëtare që trajtojnë çështjet e paqes, organizon edhe konferenca të ndryshme në bashkëpunim me ente dhe institucione të tjera.
Në kuadër të këtyre veprimtarive, më 25 qershor 2018, CESPIC organizoi një tryezë të rrumbullakët ku mori pjesë Steve Kellelea, themelues i Institutit të Ekonomisë dhe Paqes dhe dy herë kandidat për çmimin Nobel për paqen. Me këtë rast u prezantua për herë të parë në Shqipëri dhe Ballkan, Raporti për Paqen Globale.