Riciklimi i mbetjeve ka pësuar rënie drastike në vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në Shqipëri vitin e kaluar u ricikluan vetëm 17.4% e mbetjeve të prodhuara, me një rritje shumë të lehtë nga niveli 17.2% i vitit 2016.
Deri në në vitin 2015, shkalla e riciklimit kishte qenë mes 22% dhe 25%. Kjo tendencë ngre pikëpyetje nëse një lejim më i gjerë i importit të mbetjeve do të inkurajonte mbledhjen për riciklim të mbetjeve të prodhuara në vend. Pavarësisht projekteve të veçanta, si ai i ndërmarrë nga Bashkia Tiranë, për ndarjen e mbetjeve në burim, statistikat zyrtare tregojnë se mbledhja dhe riciklimi i mbetjeve në nivel kombëtar nuk është aspak në rrugë të mbarë. Aktualisht, importi i mbetjeve nuk është plotësisht i ndaluar, por mund të bëhet vetëm për mbetjet jo të rrezikshme dhe me leje të posaçme nga Këshilli i Ministrave.
Sipas Instat, mbetjet e materialeve që mund të riciklohen përbëjnë rreth 40% të totalit të mbetjeve, çka tregon se potenciali riciklues është larg shfrytëzimit të plotë. Më pak riciklim nënkupton më shumë ndotje të mjedisit, por, nga ana tjetër, edhe më pak punë për industrinë ricikluese në vend. Vitin e kaluar Shqipëria prodhoi mbi 1.8 milionë tonë mbetje, nga të cilat vetëm 69% u menaxhuan në çfarëdo lloj forme. Por, edhe mbetjet e trajtuara në pjesën dërrmuese të tyre, afro 78%, thjesht depozitohen në landfille.