Nga Eugent Kllapi
Moderniteti i shoqërisë shqiptare në rrugën për të pasur një demokraci normale po has në disa vështirësi të cilat nuk debatohen fort, por mbahen në nënfshehtësi. Psikologjikisht ato që ne mbajmë në nënfshehtësi janë të vërtetat më të dhimbshme.
Parim për një shoqëri moderne demokratike është barazia në shance pa dallime klasore, gjinore, etnike. Për të përmbushur kërkesat e nevojshme në jetë, pikësëpari dhe pafundësi pikash njeriu duhet të ketë një punë, një profesion, një familje, një ndërveprim të rregullt shoqëror ku të ndihet i respektuar në harmoni dhe besim në vete. Përkundër këtij parimi thelbësor shikojmë të kundërtën e asaj që proklamohet. Baza dhe fillesa e një individi në një shoqëri kapitaliste, por dhe përbushja e tij, është puna. Çfarë mund të shohim në Shqipërinë e sotme?
Kryesisht modeli ekonomik që është formuar është shoqëria e shërbimeve, jo shoqëria e prodhimit. Bujqësia është në stanjacion, industria lehtë e përpunuese thuasje nuk ekziston falë ndalim-prodhimit të bujqësisë që duket si ndalim qëndrimi. Kryesisht nevojat bazë kryhen nga importi.
Në përgjithësi ekonomia e shërbimeve ka tiparin mekaniko-automatik të bërjes së punëve. Që nga revolucioni në automatikë pas revolucionit mekanik revolucioni elektronik solli tërësisht modelin e shërbimeve në metropolet dhe qytetet moderne.
Teknologjia ndihmon në këtë proces. Kjo nuk do të thotë që kërkohen punëtorë mekanikë, por kërkohen individë automatë për kryerjen e punëve, që do të thotë që kërkesat për punësim, nuk varen më shumë nga arsimi i lartë në profesionalizëm, sesa nga elektronizimi a automatizimi i mjeteve të prodhimit, që kërkon individë të përqëndruar rreth një procesi automat, me status të ulët profesional. Jo më kot kërkohet ose shikohet me mëdyshje specializimi, ekspertiza, profesionalizimi, sesa përvoja në punë që zhvleftëson jo rrallë certifikimin dhe në pamje të parë duam shoqëri me stade të specializuara.
Kjo është në paradoks me zhvillimin e arsimit postuniversitar, sa më tepër dëshirojnë shqiptarët arsimim të kualifikuar, aq më tepër ky lloj arsimi ku baza është kritika dhe ekspertiza nuk i hyn në punë ndokujt punëdhënësi.
Për paradoks, gjithë bisnesmenët, apo kapitalistët e rinj me një kulturë të re kapitaliste, kur shikojnë që u troket në derë një ekspert, i kthejnë kurrizin. Ka dalë dhe shprehja e famshme ’’Je tepër i kualifikuar, nuk bën për ne’’.
Shërbimet zakonisht parapëlqejnë imazhin, formën sesa përmbajtjen, shkëmbimi motivon bindjen, propagandimin shabllon sesa idetë novatore të individëve, krijimet e tyre. Ato nuk përfillen nga një kuadër i përcaktuar i bisneseve si mënyrë të sjelluri i kompanive, për këtë mendojnë kompanitë nëna që prodhojnë platforma strategjike ideore. Vetëm një 10% e tyre kanë fatin të konkurojnë me kualifikimin, pjesa tjetër bëhen specialistë të shumtë.
Çfarë ndodh tjetër? Nga një anë kërkohet me ngulm CV, nga ana tjetër kërkohet përshtatja, po jo dija apo notat e diplomave. Nuk i intereson asnjërit dijet, përvec bisnesmenëve ‘’hallexhinj’’ që kërkojnë me ngulm specialistin.
Në qoftë se shikojmë prurjen e studentëve që dalin me të drejtë në tregun e punës për një vit në rang kombëtar nga universitetet publike dhe private, që janë me disa dhjetra mijëra, sa të papunë presin në tregun aktual të punës, sa të tjerë në target-mosha të ndryshme që kërkojnë punësim, do të shohim një zhdrejtësim të madh midis kërkesës dhe ofertës midis punëdhënësit dhe punëmarrësit. Çfarë problem ka kjo, ekonomia e lirë e tregut e përcakton këtë?
Kur kemi një fazë aktuale të kapitalizmit, e cila ka ndërtuar sistemin demokratik me monopole, oligopole, duopole a forma të përqendrimit të kapitalit rikthehemi në teorinë e Marksit mbi kritikën që i bën ai ekonomisë së lirë të tregut në stadin e demokracisë klasike, ose të hershme(fazat e para të saj).
Për t’u kuptuar, kjo nuk është kritikë e demokracisë së konsoliduar nga ai, por ka tipare të hershmërisë së kapitalizmit të egër, ose formë klasike e të bërit kapitalizëm në një demokraci difektoze dikur ne vendet europiane dhe amerikane. Po e shtjellojmë pak më qartë problemin aktual me një citim të marrë nga një studiues filozof Karl Poper.
Në librin e tij ‘’Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj’’(v2) fq 231-236, Poper citon Marksin fije e për pe në metodën e të bërit kapitalizëm, ku sipas Marksit në sistemin e hershëm kapitalist ndodh që kapitali ‘’përqëndrohet në pak duar’’ dhe akumulimi i kapitalit do të thotë, a) ‘’rritje e prodhimtarisë; rritje e pasurisë;dhe përqëndrim i pasurisë në pak duar’’. b)’’rritjen e mjerimit dhe e varfërisë; punëtorët mbahen me pagat sa për të ekzistuar ose vdesin urie, kryesisht nga fakti që punëtorët e tepërt, të quajtur ‘ushtria rezervë industriale’ mban pagat në nivelin më të ulët të mundshëm’’ ‘’që ndodh si centralizim i kapitalit’’.
Karl për Karl shprehin mendimet e tyre. Poperi e kritikon Marksin në librin e tij ku shprehet se kjo lloj ekonomie kapitaliste e zhdrejtësuar rregullohet nga ’’taksa e pronës,’’, ‘’ligji antitrust’’ në shoqërinë anglosaksone, po në rastin konkret i jep të drejtë për përqëndrimin e kapitalit. Deri këtu Marksi bie dhe zënë fill të tjera problematika.
Nga mendimtarë të shkencave politike si Poperi ‘’problem më i madh nuk është mbledhja e të ardhurave më shumë se shpërndarja e të ardhurave’’. Pra, shpërndarja, atje ku duhet në shtresat më të nevojme dhe në ekonominë që prodhon, jo vetëm prodhim, por stabilitet, që ndërhyn si mekanizëm rregullues.
Në këtë formë të ‘’shoqërisë së shërbimeve’’ nxjerrin krye probleme pafund në aspektin social, kulturor, ekonomik, politik. Do më interesonte aspekti social-kulturor.
Në shoqërinë e shërbimeve siç thamë më sipër shikohet imazhi, forma, një perceptim i ulët i realitetit dhe jo kritikë, spekticizëm, karakter të tipit automat, robotik në kryerjen e punëve, më shumë se mendimi ka rëndësi tastot e tastierave, programi, më shumë se thellimi në logjikë ka rëndësi bukuria, performanca e së gjithës te individi.
Shtohen kërkesat e detyrueshme punën në 30 radhë për një punë të rëndomtë, por në dukje është një barrierë për këdo (mund të shihet te njoftimet e punëve në faqet online), dhe në shumicën e rasteve fiton ndërhyrësi, miku.
Jo më kot shumica e ushtrisë së radhës së parë të shërbimeve si bletë punëtore apo milingona luftuese janë femra. Nëqoftëse do të merret një investigim i thellë, do të shikohet që radha e parë e të punësuarve në shoqërinë e shërbimeve ka femra si në institucionet publike dhe organizatat private, ku mund të gjenden, psh, telekomunikacion, postë, bibloteka, media, fasonë, tatime, arsim në marrëdhëniet publike të shumë intitucioneve, shitëse butikësh etj. Me këdo të takohemi në hapin dhe në zyrat e para, do të shihet kjo tendencë.
Që të sqarojmë nga aspekti psikologjik për punësimin është e vështirë, por si shembull, po të marrim një person të respektuar me formim 9-vjecar dhe t’i japim një afat kohor të themi 1 muaj, ai e mëson procesin e punës njësoj si një person me dy mastera shkencorë, kritika, dijet, teoritë nuk luajnë rol në rastin konkret, luan rol instikti, perceptimi, intuita, në mësimin e një programi apo kategorie pune. Këto quhen dije sipërfaqësore. Nga kjo nuk është rastësi që nuk kërkohen notat, po kartoni si kallëp dhe formë legjitimuese, më shumë se lloji i kartonit preferohet njeriu i bindur, i pashëm, i rregullt, më shumë se çertifikimi kërkohet ndërhyrësi, miku që shton mundësinë në punësim.
Nga ana tjetër, shumica e ekonomisë së shërbimeve që jep shumicën e kontributit ekonomik janë femrat. Nga një anë femrat fitojnë pavarësinë, burimin e të ardhurave, integritetin, statusin e dëshiruar, nga ana tjetër duket sikur gjithë përjekjet për një shoqëri të barabartë për parimin e thënë në krye sikur mungojnë.
Shumica e drejtuesve të tyre janë meshkuj, ose të drejtuesve të drejtuesve. Në këtë situatë ngjet që miku, imazhi, lehtësia e përzgjedhjes, formimi në përgjithësi mesatar (sepse kështu e kërkon tregu) të jetë femër e vendosur, të marrë risqe, në mos të jetë femër-burrë për një karrierë të gjatë. Sa ka dëshirë, nuk mund të ketë të drejta (sigurime, sindikata,aksione që kryejnë rolin e tyre në shoqëri) pasi ‘’ushtria industriale’’ nga jashtë pret, të bën presion të fortë, imazhi falë teknologjisë përsoset, lakmia për të mirën shtohet, egërsia për rivaletet edhe më, mënyrat për të mbajtur pozicionin falë tipareve sipërfaqësore janë më të mëdha se tiparet përmbajtësore të logjikës së njeriut-punëtor automat. Femra-burrë varet nga ligjësitë patriarkale për siguri, që kërkon elita e ofertës në treg të cilët janë meshkuj, ose siç thamë e drejtuesve që detyrojnë të jenë në shumicën e rasteve meshkuj.
Ajo nuk kërkon që t’i lërë vendin mirë e bukur në moton e barazisë dhe lirisë, pavarësisë, kjo nuk ka barazvlefshmëri në ekonominë e tregut, i mbivendoset kësaj ekonomia e tregut të zhdrejtësuar. E njëjta situatë është dhe për meshkujt në odisenë e grup moshave për punësim, në mos steriotipet janë të përcaktuara si për punën e femrës dhe të meshkujve. Në këtë situatë, marrëdhëniet shoqërore, sentimentale, familjare krijojnë disbalancë. Etja për status, dëshira për pushtet nga rivaliteti, mundësia për kapjen e më të mirës që nuk mbaron kurrë, sa afrojnë statusin e përbashkët e largojnë atë.
Sigurisht, marrëdhëniet nga sjellja psikologjike më shumë do të zgjedhin materialitetin për të qënë se qenia për t’u përmbushur. Qenia per t’u përmmbushur do të ketë referencë bazë materialitetin, pa të holla nuk ka asgjë. Familjet e papërmbushura, ose po, do të reklamojnë idealin, shkollimin, fëmijët do të zgjedhin atë që bëjnë prindërit, imazhin, performancën, automatizmin, mikun, materialin për të pasur se për të qenë.
Me të njëjtën forcë që duam të heqim shoqërinë difektoze patriarkale, sikur prodhojmë shoqëri të fshehtë patriarkale. Statuset nuk ndryshohen, punëtorët ngelen nën vrazhdën e punësimit të cunguar, drejtuesit nën statusin e drejtimit pasardhës.
Me të njëjtën forcë që duam shoqëri moderne normale pjellim anormalitet, më shumë se shkollimi do të preferonim mikun, imazhin, sipërfaqësoritetin, bindjen, përuljen, kufizimin e dijes.
Me të njëjtën forcë që do të donim të jemi shoqëri moderne e përparuar në shkencë, dhe kjo duket edhe nga dëshira për arsimimin, prodhojmë shoqëri të nivelit të shërbimeve. Në këndvështrimin e kapitalistit bisnesmen kjo duket normale, këto janë ligjësitë nuk po shkel gjësendi ligj, dhe ai kontribuon. Ai është në të drejtën e tij.
Por në të kundërt drejtuesi, e shpreh hapur qe nuk ka specialist për punën e tij, nuk ka formim te punëtorët. ‘’Ka punë po s’ka specialistë’’. Në vendet e zhvilluara ka stazhe për punë të specializuara, ka trajnime, specializime, në mos shkollë të specializuar që u bëjnë punonjësve drejtuesit e bisneseve.
Jo vetëm kaq, po ka partneritet siç përflitet privat-shtet mbi politika përzgjedhëse që në bankat e shkollave. Bisnesmeni që do mund ta gjejë madje që në bankën e shkollës, të kërkojë një njeri të kualifikuar me mesatarë 8 e sipër. Pse nuk ngjet kjo në ditët sot po ankohen disa bisensmenë?! A janë apo jo të aftë?! Rëndësi më e madhe për ta është punëtori, ai ngre bisnesin e tij, ai është a-ja dhe zh-ja e kapitalizmit sot për sot.
Shumica e shoqërisë ka aftësi normale mendore dhe ideore, nga kjo masë të themi 10% është pararojë e zhvillimeve, ku u jepen kushtet, rrethanat, situatat për ta kaluar lumin, u jepet mbase fati.
Në vrullin e të papunësuarve gjithkush mund të mendojë, të kem mikun më parë se të kem shkollimin, certifikimin, dijen, apo mjetet e kontrollit, praktikën? Të kem bukurinë apo arsyetimin, fatin që më është dhënë?!
Si i bie në këtë rast, sikur të isha djalë, apo sikur të isha vajzë?!