MENU
klinika

Liria e besimit në Zot

Simon Jubani dhe Mesha e Parë

13.09.2018 - 12:02

Nga Andreas Dushi

Pas një ndalimi prej thuajse tre dekadash të çdo funksioni e shërbese fetare nga komunizmi, një burrë shtatlartë kapi një rreze besimi e lirie dhe e lëshoi mbi Shkodër duke bërë të agojë drita e shumëpritur e Zotit.
Ky burrë ishte dom Simon Jubani. Qysh në fëmijëri, qe antikonformist që nuk respektoi rregullat që i binin ndesh parimeve të tij. Antikonformizmin e ruajti edhe si meshtar e në fund, edhe si i burgosur. Kur një herë në burg e rrahën aq sa i thyen dhëmbët, dom Simoni iu drejtua gardianëve “Se jeni gjakatarë e kam dit, por se jeni edhe dentistë, sot e mora vesh!”

Ngjarja më e rëndë e jetës, sipas miqve të afërm, ishte vdekja e të vëllait, priftit dom Lazër Jubani i cili në 1982 u helmua nga sigurimi i shtetit me arsenik e pas tij, vdekja e së ëmës e cila përjetoi kalvarin e vuajtjeve të djalit të vogël dhe vdekjen e të madhit.

Por as këto e as vitet e kaluara në Burrel nuk ia dolën ta thyenin dom Simonin. Ai vazhdoi të qëndronte stoik dhe burgun e konsideroi një universitet ku mësoi “me shkrue e me folë Latinisht, greqisht, italisht, frëngjisht, anglisht që ma vonë më shërbyen me i ba miq Shqipnisë në tanë rruzullin toksor, tue i tregue se cka ka ndodhë në vendin tem, tue fitue kshtu epitetin ‘Profeti’…”.


Kur doli nga burgu, 26 vjet pas arrestimit, shtëpia e dom Simonit u kthye në një kishë të fshehtë. Nga të katër anët e vendit, besimtarët vinin dhe takonin meshtarin më sypatrembur i cili kremtonte meshë, rrëfente, pagëzonte dhe kungonte këdo që kishte nevojë dhe dëshirë. Nga kjo shtëpi do të dilte edhe ditën e të parës meshë publike të kremtuar kundër çdo rregulli shtetëror, por konform lirisë, së drejtës, shpresës, besimit dhe dashurisë.
Atmosferën e asaj meshe e përshkruan Át Zef Pllumi në librin “Dhetë vjet liri”:

Ditë mbas dite, edhe ndër vorre agoi dita 4 nandor 1990. Njerëzit, që ishin tue punue aty, shkuen te dom Simon Jubani, i cili e kishte shpinë shumë afër vorrezave, edhe i kërkuen të vinte me kremtue meshen.
Mbas kësaj grishje, dom Simonin s’pat burrë me e përmbajtë. Mori ngutshëm koten e stolen e ata çka duhej për me kremte e, pa pvetë aspak se nuk kishte paramente të tjera, shkoi me vrap nder varreza e celebroi Meshen e parë me 4 nandor.

Fatkeqësisht mungojnë filmime apo fotografi nga kjo meshë e parë “e papritur”, e menduar dhe celebruar në çast, e kremtuar me datën 4 nëntor të vitit 1990.

Në Shkodër u përhap me shpejtësi lajmi se me 11 ndër vorrezat katolike të Rrmajit do të kremtohej meshë. Fjala kapërceu Shkodrën e shkoi deri në jug të Shqipërisë nga ku, me datë 11 erdhën dhjetëra besimtarë.

Një grup klerikësh nuk donin që kjo meshë të kremtohej në atë datë, pasi me 25 të po atij muaji do të mblidhej Këshilli i Evropës ku për herë të parë ishte ftuar edhe Shqipëria. Sipas tyre, materialet filmike të kësaj meshe do të përdoreshin atje nga komunistët për të treguar se në Shqipëri kishte liri fetare.

Por dom Simoni nuk lëkundej nga vendimi. Aq më tepër tani që lajmi kishte marrë dhenë dhe kisha po meremetohej së jashtmi nga piktorët e skulptorët më në zë shkodranë, për t’i dhënë sadopak hijeshi atij momenti aq të rëndësishëm.

Në një kohë pak të zymtë, nën një qiell me re të zeza, në një altar ngritur mes varrezave, ngjitur me çatinë e një kishëze gjysëm të shkatërruar, para 50 mijë besimtarëve dom Simon Jubani kremtoi meshën më të madhe që Shkodra dhe Shqipëria mban mend.

Përshpirtëria e njerëzve, lutjet drejtuar në çdo gjuhë e çdo mënyrë dhe dëshira për një Shqipëri ndryshe nga ç’kish qenë deri atëherë bashkë me shpresën se me ndihmën që vjen prej Zotit ky ndryshim do të ndodhte janë përbërësit e një tabloje të shenjtë e cila mbeti e ngulitur në mendjet e pjesëmarrësve dhe u shkruaj me gërma të arta në historinë e Shkodrës dhe të besimit shqiptar në veçanti.

Dom Simon Jubani mbetet një ndër figurat më të mëdha të lirisë dhe demokracisë i cili falë këtij besimit ia doli të shembë barrierë e ngritua nga frika!

Ajo që erdhi më pas është histori.