MENU

Skandali me ilaçet

‘Plasin’ arrestimet në spitalin e Shkodrës

20.09.2018 - 09:00

7 persona kanë rënë në pranga ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre mjekë, infermierë, farmacistë dhe drejtues spitali, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në spitalin rajonal të Shkodrës.

Ekzekutimi i masave të arrestit ndaj tyre u bë pas një hetimi dy mujor të prokurorisë Shkodër në bashkëpunim me drejtorinë e policisë.

Konkretisht:

1-Arrest me burg si dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Përparim Cela, mjek (caktuar dhe ekzekutuar)

2-Arrest me burg dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” Dh.U (shpallur në kërkim)

3-Arrest me burg dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Luan Dragusha, mjek (caktuar dhe ekzekutuar)

4-Arrest shtëpie dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Karmen Kaculini, farmaciste .(caktuar dhe ekzekutuar)

5-Arrest me burg dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Renato Kepi, infermier të hemodinamika (caktuar dhe ekzekutuar)

6-Arrest me burg dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për E.S, mjek (shpallur në kërkim)

7-Arrest në shtëpi dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Amanda Matlija (caktuar dhe ekzekutuar)

8-Arrest shtëpie dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Juliana Zhuri (caktuar dhe ekzekutuar)

9-Arrest shtëpie dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Albana Mehmetaj (caktuar dhe ekzekutuar).

Akuza ndaj tyre lidhet me tenderin e ilaçeve

Sipas prokurorisë, personat e më sipërm në kundërshtim me detyrën i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë materiale të domosdoshme mjekësore për kabinetin e hemodinamikës.

“Këta shtetas në shkelje të ligjit kanë kërkuar për blerje -tenderim, për periudhën kohore të mbetur të vitit 2016, pra, shtator-dhjetor 2016, një sasi shume të madhe 400 stendash (kateter, koronare dhe sete kirurgjikale të kardikirurgjisë etj) jashtë çdo kriteri, apo kapaciteti që ky spital ka”.

Nga verifikimet e kryera të Prokurorisë, “rezulton se për vitin 2016 janë lidhur 6 (gjashtë) kontrata për blerje barnash dhe materialesh për kabinetin e Hemodinamikës, shërbimi i kardiologjisë, me një vlerë prej 34 492 870 lekësh, përfshi këtu edhe kontratat për mirëmbajtjen e materialeve të blera”.

Por organi i akuzës thotë se “ky spital nuk ka pasur asnjë mundësi akomodimi dhe resurse njerëzore , mjek etj, të realizonte kaq shumë ndërhyrje sa stenda, e materiale të tjera ka blerë. Për këtë periudhë kohore ky spital ka realizuar vetëm 3 ndërhyrje. Pra, në fund të vitit 2016, në magazinën, farmacinë e spitalit ka pasur një gjendje stendash, 397 stenda të cilat nëse do të kishin standartet e kërkuara nga ligji duhet te plotësonin nevojat për vitin pasardhës vitin 2017, e shume vite të tjera”.

Për vitin 2017 janë lidhur 6 (gjashtë) kontrata për blerje barnash dhe materialesh për kabinetin e Hemodinamikës, shërbimi i kardiologjisë, me një vlerë prej 23 171 853 lekësh përfshirë këtu edhe kontrata për mirëmbajtjen e materialeve të blera.

Planifikimet dhe blerjet për vitin 2017 prej 700 stenda janë bërë duke mos patur parasysh gjëndjen e stokut, afatin e tyre të skadencës së materialeve, kapacitetin e spitalit, ndërhyrjet e planifikuara për atë vit etj.

Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë pasi është pranuar kërkesa e Spitalit Rajonal Shkodër janë zhvilluar procedurat e tenderimit të materialeve mjekësore dhe dokumentacioni përkatës pas shpalljes së fituesit është përcjellë në Spitalin Rajonal Shkodër me qëllim lidhjen e kontratës dhe marrjen e materialeve në dorëzim.

Prokuroria thotë se “shtetasit Edi Smajli, Renato Kepi, Juljana Zhuri, Amanda Matlija, Albana Mehmetaj me detyrë anëtarë të komisionit të marrjes në dorëzim, kolaudimit), rezulton se kanë marrë në dorëzim medikamentet për repartin e Hemodinamikës në kundërshtim me kushtet e kontratave të lidhura në vitin 2016-2017, që përcakton rregullat e marrjes në dorëzim në lidhje me datën e skadencës, konkretisht “Data e skadencës në ditën e lëvrimit të mallit, duhet të jetë sa 2/3 e kohës ndërmjet datës së prodhimit dhe asaj të skadencës”.