MENU

NALTËSIMI I ISKANDERIT” nga Benjamin Disraeli

Skëndërbeu dhe dashuria për të bijën e Hunyadit

03.09.2018 - 10:00

Nga Mal Berisha/

Benjamin Disraeli, Earli i Beaconsfieldit, (1804-1881) ka qenë një shkrimtar i njohur anglez, autor i më shumë se njëzet librave dhe shumë traktateve e letrave politike si dhe një politikan konservator i shquar britanik.

Ai shërbeu dy herë si Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe (shkurt–dhjetor 1868 dhe 1874–1880), dhe i vetmi pasardhës i një familjeje hebraike, ndonëse i shndërruar në të krishterë, i ngjitur deri në atë post të lartë, në tërë historinë e atij vendi. Përveç veprës “Naltësimi i Iskanderit”, botuar në vitin 1833, ai ka shkruar edhe shumë të tjera.

Ndër to janë Vivian Grey (1826-27), Udhëtimi i Kapitenit Popanilla (1828), Duka i Ri, (1831), Contarini Fleming (1832), Përrallat e Çudirave të Alroyt (1833), Një vit në Hartlebury (1834), Martesa e tmerrshme (1834), Ixion në Qiell (1834), Epiku Revolucionar (1834), Henrieta Temple (1837), Venetia ose e bija e poetit (1837), Tragjedia e Kontit Alarkos (1839), Conings by ose Gjenerata e Re (1844), Sybil ose dy kombet (1845), Alroi (1846), Lothair (1870), Tancred, (1871) Endymion (1880), Falconet, (1880).

Disraeli ka luajtur një rol kyç në kthimin e Partisë Konservatore angleze në një parti moderne, duke i dhënë ato përcaktime politike të cilat respektohen edhe sot e kësaj dite. Ai mbahet mend si politikani britanik me ndikimin më të madh në çështjet botërore të kohës së tij për konservatorizmin e tij unitarist “të një-kombi” ose asaj që njihet me emrin “Demokracia Tory”. Ai e bëri Partinë Konservatore të identifikohej me lavdinë dhe fuqinë e Perandorisë Britanike.

Disraeli botoi më 1833 librin e tij, “The Rise of Iskander,” një vepër letrare që i kushtohet heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Novela “Naltësimi i Iskanderit” është pikësëpari një vepër letrare. Natyra e saj është thellësisht romantike dhe nuk kishte sesi të ishte ndryshe pasi në kohën e botimit, Evropa ishte në kulmin e lulëzimit të romantizmit si rrymë letrare. Kjo shfaqej edhe në muzikë, në pikturë dhe në jetën intelektuale, në ndjenjat e njeriut, imagjinatën dhe mjeshtërinë artistike të autorëve.

Nëse gjejmë elementë helenë në vepër, mendoj se kjo nuk vjen nga ndonjë prirje e autorit për t’i devijuar së vërtetës, por më shumë për arsye se periudha e romantizmit është ajo gjatë së cilës interesi dhe simpatia për kulturën e lashtë greke dhe atë romake u rrit shumë. Kjo ishte edhe një pararendje ndaj neoklasicizmit e frymëzuar veçanërisht nga arkeologu, helenisti dhe historiani gjerman, Johann Joachim Winckelmann (Johan Joakim Vinkelman).Ishte pikërisht Anglia vendi ku lindi një rrymë e veçantë letrare dhe kulturore që njihet si Helenizmi Viktorian (kjo përkon me mbretërimin e Mbretëreshës Viktoria).

Në atë kohë studimi, njohja dhe zotërimi i kulturës klasike greke shihej si e vetmja mënyrë për t’u afirmuar në botën intelektuale dhe elitare angleze. Është koha kur fisniku Thomas Bruce (Tomas Brus) i njohur më mirë me emrin Lordi Elgin, Ambasador i Britanisë së Madhe në Perandorinë Osmane, me lejen e autoriteteve mori thuajse gjysmën e skulpturave që gjendeshin në rrënojat e ndërtesave antike greke dhe e mbushi me to Muzeun Britanik. Ai kishte një pasion të jashtëzakonshëm për artin antik grek prandaj e zhvendosi Partenonin nga Athina në Londër. Një faktor tjetër që ka ndikuar te Disraeli në shkrimin e kësaj vepre është edhe fakti që në kulturën viktoriane, helenizmi ose klasicizmi grek ka të bëjë me mitizimin e një fenomeni apo të një figure historike, apo edhe vetë shndërrimin e tyre nga plani i së vërtetës historike në një plan të përjetësisë universale mitologjike.

Këtë e vërteton edhe konstatimi i tij për qytetet e mëdha përfshirë këtu edhe Athinën:
“Një qytet i madh, pamjet e të cilit nguliten në kujtesën e njeriut mbart tiparet e ideve madhështore të realizuara: Roma përfaqëson pushtuesin, mbi kullat e Jerusalemit rrinë pezull fetë, ndërsa Athina mishëron vetitë e larta të artit të botës antike.”

Ky është pra Naltësimi! Naltësimi nga realiteti te historia dhe që këtej te miti. Naltësimi që vjen nga helenizimi viktorian i kulturës angleze ku bie në “rrjetë” edhe Heroi ynë Kombëtar,

Skënderbeu, i kthyer në një personazh të cilin Disraeli e bën të veprojë në terrenin epirot, shqiptar por në një rast edhe në atë helen.
Po si u njoh Disraeli me veprën e Skënderbeut?

Kur ishte i ri, ai bëri një udhëtim të gjatë në Mesdhe, nga qershori i 1830-s deri në tetorin e 1831s, që nga Spanja, Malta, Shqipëria, Greqia dhe Lindja e Mesme. Ky udhëtim la kujtime të pashlyera në tërë jetën e tij të mëvonshme. Nga Korfuzi ai udhëtoi në Artë dhe në Janinë.

Arsyeja e udhëtimit të Disraelit ishte të dërgonte një letër të Sir Frederick Adamit, guvernator i Ishujve Jonian, te Veziri i Madh. Ai u mrekullua në veçanti nga bota shqiptare e atyshme dhe kostumet e tyre. Që nga Janina ai i shkroi letra familjes dhe të atit të cilat janë studiuar dhe botuar me vëmendje të posaçme nga dr. Robert Elsie. Ndër tjera Disraeli i shkruante babait të tij:

“I shtrenjti im baba! I shkrova Ralfit nga Malta ndërsa ty nga Korfuzi…Të përmenda në letër se kishte një mundësi që t’i bëja vizitë Vezirit të Madh në vendndodhjen e tij në Janinë, kryeqyteti i Shqipërisë.

Pastaj vazhdon:

“Mëngjesin tjetër bëmë një vizitë te guvernatori Kalo Bej, i cili njëherë e një kohë kishte qenë më i pasuri i vendit ndërsa tani ai është njëri prej fisnikëve më të fuqishëm shqiptarë.”

Dhe më tej:

“Kostumet shqiptare, janë pambarimisht të larmishme në kombinacionet e tyre.”

Edhe pse ka ruajtur një pjesë të madhe të elementëve të së vërtetës historike, ai për arsye artistike e ka shtrirë terrenin e veprimeve të heroit të tij, Iskanderit edhe jashtë trojeve të Epirit. Kështu në fillim të veprës ai na shfaqet në një skenë antike të Akropolit në Athinë, i veshur me kostum shqiptar. Pastaj në Krujë, Petrelë, Kallishtë, etj. Kjo vepër letrare e Disraelit është shumë e rëndësishme për shumë arsye.

– Së pari dhe mbi të gjitha atë e ka shkruar një njeri shumë i madh: Benjamin Disraeli, trashëgimia e të cilit është e gdhendur në veprën letrare dhe në jetën politike të një vendi që i ka dhënë botës aq shume: Britania e Madhe.

– Së dyti libri është shkruar në një kontekst historik kur shqiptarët sapo fillonin rizgjimin e tyre kombëtar, ku figura e Skënderbeut ishte pishtari që do t’ua ndriçonte rrugën dhe do t’i frymëzonte.

Të kemi parasysh se vetëm tre vjet pas botimit të këtij libri, Jeronim De Rada, nga Shën Mitër Korona botonte Këngët e Milosaos duke shënuar kështu fillimin e Rilindjes sonë Kombëtare (1836).
Figurat Historike: Në këtë novelë lëvizin si personazhe historike figurat e tre njerëzve më të shquar të kohës së vet, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i Shqipërisë, Janosh Hunyadi (Huniadi) i Hungarisë dhe Princi Mehmet i II–të, Sulltani i ardhshëm Fatih, pushtuesi i Kostandinopojës në vitin 1453. Ekzistenca historike e këtyre figurave e bën librin interesant dhe i shton vlerat njohëse të ndërthurura me krijimin artistik.

Personazhet Artistike: Iduna, vajza e Janosh Hunyadit, Nikeasi, një emër anonim grek, Princ i Athinës të cilët gjenden thuajse në çdo faqe të librit. Në sfond historik përmendet Sulltan Murati II, pengmarrësi i djemve të Gjon Kastriotit dhe adoptuesi i më të voglit të tyre, Gjergjit apo Skënderbeut, si dhe personazhe të tjera plotësuese. Në skenë janë Kryeeunuku i Princit Mehmet, Kaflis, Eremiti, Prifti Kozma, etj. Fusha e veprimeve është e tëra në Ballkan dhe përkon me emra të vërtetë gjeografikë. Për ta bërë veprën më shqiptare aty gjenden emra vendesh në Shqipëri si vetë Shqipëria, Epiri, Kruja, Petrela, Kallishta. Këto tregojnë plotësisht se veprimet kryhen në territorin, i cili ka qenë përjetësisht shqiptar nga një hero po ashtu shqiptar – Skënderbeu edhe pse i quajtur Iskander.

Çdo kritik i kësaj vepre e ka lidhur heroin me vendin e tij të lindjes, Shqipërinë dhe dramën e tij të tmerrshme të humbjes nga sulltan Murati të tre vëllezërve. Po ashtu, meqë libri ka dalë në dritë disa vjet pasi Lordi Bajron kishte botuar poemën e Childe Haroldit, ky i bëri të njohur shqiptarët në botën e asaj kohe dhe veçanërisht në atë anglishtfolëse. Kjo është arsyeja se përse kritikët e lidhin edhe më shumë këtë vepër dhe autorin e saj me popullin tonë.

Pra, parë në një këndvështrimi pozitiv, duhet thënë se kjo vepër ka luajtur një rol të rëndësishëm në evidentimin e shumë fakteve historike të kohës, kur Shqipëria u vu nën rrezikun e zhdukjes nga harta e Evropës për shkak të pushtimeve osmane. Po ashtu në këtë vepër evidentohet qartë mbrojtja që asaj i bëri Skënderbeu, i cili nuk e harroi atdheun e vet. Libri ka një natyrë shumë edukative-patriotike pasi në vazhdimësi përmend ndjenjat atdhetare, thirrjen e brendshme që Skënderbeu kishte për atdheun, detyra më fisnike që ai i kishte vënë vetes në jetë, përplasja me fatin e vet për të mbrojtur dheun e të parëve.

Studiuesi polak Dr. Andrzej Diniejko, i Universitetit të Varshavës në Poloni, lektor i lartë i letërsisë dhe kulturës angleze në studimin e tij për këtë vepër thotë:
“Është lehtësisht e kuptueshme se subjekti i këtij libri është bazuar në jetën e prijësit të krishterë shqiptar Skënderbeg (Iskanderi) i cili drejtoi me sukses rezistencën kundër zgjedhës otomane nga viti 1440 e më pas. Shqipëria dhe ikona e saj kombëtare Skënderbeg u popullarizuan në fillim në letërsinë angleze prej Lordit

Vepra e Disraelit është shumë e qëlluar, e bukur në formë dhe e mbushur me fakte historike edhe pse në të është futur një linjë tjetër nëpërmjet të personazhit të Nikeasit. Nganjëherë autori e alternon subjektin duke e paraqitur Skënderbeun, i cili vepron në një terren tërësisht të njohur shqiptar dhe e tërheq lexuesin drejt një përzierje etnike të heroit dhe një shtrirje më të gjerë gjeografike të vendit për të cilin ai lufton.

Më pas libri tregon aventurën “romantike” të Skënderbeut, i cili pasi ikën nga ushtria otomane, iu bashkohet forcave të krishtera. Dhe këtu shfaqet talenti i Disraelit si shkrimtar dhe jo si historian. Zonjushe Iduna e bija e Hunyadit kapet peng nga Turqit dhe mbahet në Sarajet e Adrianopojës. Ajo sëmuret keqas dhe Princi i kurorës otomane, Mehmeti, i biri i sulltan Muratit vendos një shpërblim prej njëqind qesesh floriri për atë që e shëron nga ajo “sëmundje” e çuditshme.

Skënderbeu sapo e ka çliruar vendin e tij. Ai gjendet në Krujë pasi ka kapur tërë territoret e Epirit thuajse në një muaj, ka marrë pa luftë Petrelën dhe ka përzënë të tëra forcat otomane që mos t’i gjendeshin nëpër këmbë në betejat të cilat e dinte mirë se do t’i kishte me turqit. Pas një muaji ai kthehet në Krujë dhe hap postën me letra të cilat i kishin ardhur deri në atë kohë. Ai mezi priste lajme nga Hunyadi. Pranë tij është edhe miku i tij më i ri grek Nikeas, i cili ka ardhur në Krujë që të gëzojë fitoren e Skënderbeut mbi turqit osmanë.

Skënderbeu në një çast stepet kur lexon lajmin se vajza e Hunyadit, zonjushe Iduna është marrë peng nga turqit dhe gjendej e zënë robinë në Adrianopojë. Kjo e bën atë të ndryshojë planet e çastit bazuar në respektin që ushqente ndaj prijësit hungarez dhe një aleance të krishterë që ata kishin bërë. Por në të njëjtën kohë ai habitet kur miku i tij grek, Nikeas, i lutet që të bëjë çfarë të mundet që të shpëtohet ajo vajzë për të cilin Nikeasi na paskërkish pasë ushqyer një dashuri të pafundme, por të parrëfyer ndonjëherë mikut të vet, Skënderbeut.

Disraeli, në vijim të filozofisë së tij naltësuese të figurave sipas principeve të neoklasicizmit, zbulon këtu disa prej cilësive më të larta të Skënderbeut. Atij I duhet të zgjedhë dhe të vendosë midis mbrojtjes së vajzës dhe nderit të mikut, një virtyt shqiptar që mbizotëron, dhe përgjegjësisë, patriotizmit dhe ndjenjës së dashurisë për vendin e tij.

Kjo vepër ka një rëndësi të veçantë pasi shënon një trajtim letrar të temës së Skënderbeut në prozën angleze. Në 550-vjetorin e vitit të Skënderbeut, nxjerrja në dritë në gjuhën shqipe e kësaj vepre plotëson dijet tona për heroin tonë, dhe tregon sesa shumë e kanë admiruar të huajt atë, madje edhe figura të tilla të shquara të njerëzimit si kjo e Benjamin Disraelit.