Në brigjet e liqenit të Shkodres ashtu si në 5 vitet e shkuara, u zhvillua edhe këtë fillim shtatori “Thriathlon labeat”, një kompeticion tre garësh në not, ciklizëm dhe vrapim. Bashkia e qytetit dhe “Albania Water Sport” e shtrinë hartën gjeografike të pjesmarrësve, jo vetëm për nga moshat, por edhe prej vendeve të origjinës.
Synimi i organizatorëve është promovimi turistik, sportiv e kulturor i Shkodres, por në të njëjtën kohë ruajtja e një tradite të hershme që ky qytet ka patur me sportet ujore.
“Në Shirokë, përpara viteve ‘90 organizoheshin rregullisht gara në sporte të ndryshme ujore ku Vllaznia ishte kampione. Kjo është arsyeja pse çdo vit organizohet ky kompeticion” – shpjegoi kryebashkiakja Voltana Ademi, duke theksuar se qëllimi është të rigjallëroje jeten turistike e sportive në këtë zonë me tradita të hershme.
“Më vjen mirë që mblidhemi çdo vit në Shirokë, në këtë zonë kaq të bukur, me bukuri të rralla natyrore dhe me një liqen fantastik. Jemi këtu jo vetëm me qëllimin e mirë për të promovuar sportin, por edhe për të promovuar liqenin e Shkodrës. Besoj se vetëm në këtë mënyrë mund t’i kthejmë lavdinë. Vit pas viti duhet që në Shirokë të organizohen gara të tilla, gara noti, me kanoe, me varka të ndryshme, ashtu siç ndodhte përpara shume vitesh”
Të tilla aktivitete tentojnë të promovojnë liqenin e Shkodrës dhe bëhet thirrje për pjesmarrje në garat e notit apo ato me varka, por si është gjëndja e kësaj pasurie ujore?
Çdo dite e më shume liqeni i Shkodrës po shkon drejt kënetizimit. Pamja e trishtë tregon për një bimësi të dendur që mbizotëron në sipërfaqe të mëdha, duke krijuar idenë e një kënete, ku vështirë se mund të arrish të hysh e të lahesh nëse futesh nga brigjet e liqenit.
Mbeturinat dhe ujrat e zeza janë shndërruar në ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në pjesën më të madhe të tij. Liqeni vijon të jetë në një gjendje të mjerueshme, ndërsa bashkia bën thirrje që të zhvillohen sportet ujore në ujrat e tij. Çuditë në Shkodër nuk kanë fund!
Përgatiti K.Zh.