MENU
klinika

Superiorja, java 4

Tirana çlirohet, 3 gola për 3 pikë

16.09.2018 - 20:52

Tirana ka arritur që të marrë një fitore shumë të rëndësishme, por me jo pak vuajtje. Të besuarit e Ze Marias triumfuan 3-1 ndaj skuadrës së Luftëtarit. Një ndeshje shumë emocionuese që prodhoi gati gjithçka.

Sfida nisi me gol që në minuta e para, teksa në minutën e tretë, Daja ftoi Blazhevskin, i cili i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes dhe i vetëm me Ruçin nuk e kishte të vështirë që të gjente golin e tij të parë.

Nuk qëndruan indiferent miqtë nga Gjirokastra, të cilët 10 minuta më vonë gjetën ekuilibrin. Maldin Ymeraj ndoqi një aksion dhe provoi me një goditje akrobatike, topi u devijua nga Doka dhe përfundoi në fundin e rrjetës së Ilion Likës.

Sërish Tirana gjeti forcat për të shënuar golin e dytë. Këtë herë, pas një harkimi nga këndi, topi u devijua nga një prej lojtarët bluzi dhe shkoi në shtyllën e dytë, ku Turtulli “i harruar” e shtyu topin drejt portës së Luftëtarit. Edhe pse kishte raste për shënim nga të dyja skuadrat, pjesa e parë nuk solli më gola.

Pjesa e dytë solli të tjera emocione. Hoxhallari, vetëm 10 minuta pasi kishte nisur fraksioni i dytë mori kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Luftëtari u përpoq që ta shfrytëzonte këtë moment, por Blazhevski mund të kishte shënuar dhe golin e tretë, nëse do të kishte qenë më i saktë.

Situatën për gjirokastritët e ndërlikoi Janiçiç, i cili mori kartonin e dytë të verdhë, duke ekuilibruar forcat në fushë. Luftëtari e rriti presionin, por pa mundur që të barazonte, ndërsa bardheblutë në kundërsulme ishin mjaft të rrezikshëm dhe shënojnë të tretin me Grecën. Në fund festojnë vendasit suksesin e parë këtë edicion, duke e lënë krizën në kampin kundërshtar.

Tirana-Luftëtari 3-1

3′ Blazhevski, 24′ Turtulli, 90’+3′ Greca / 14 (ag) Doka

Tirana: Lika: Turtulli, Doka, Hoxhallari, Imami, Daja (90’+3′ Greca), Maveje, Hasani, Kobina, Bllazhevski (86′ Ngoo), Oduamadi (61′ Berisha). Trajner: Ze Maria.

Luftëtari: Ruçi, Liçaj, Janiçiç, Rapa, Xhekson, Ramadani, Aleksi (80′ Hyseni), Radoviç (75′ Demo), Ymeraj, Miloslavjev (66′ Dunga), Shkurtaj. Trajner: M.Kostiç.

Kartonë të verdhë: Hoxhallari, Daja / Janiçiç, Milosavljev. Ramadani

Kartonë të kuq: Hoxhallari 55′ / Janiçiç 71′

Gjyqtar: Eldorjan Hamiti

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN