MENU
klinika

E rëndë!

Tualeti apo celulari është më i pistë? Përgjigja do u shtangë!

30.09.2018 - 13:58

Dhe mitet vazhdojnë…

Nëse ha mëngjes a më ndihmon që të bie në peshë?

Ju mbase keni dëgjuar që të hash mëngjes të ndihmon të humbasësh peshë dhe ke menduar: të jetë e vërtetë apo mbase jo?

Por ekspertët e argumentojnë në këtë mënyrë: nëse një person ha mëngjes atëherë ai nuk do të jetë i uritur gjatë drekës dhe ditës në vazhdim dhe kështu do të marrë më pak kalori sidomos pasdite dhe në darkë kur edhe sasia e tyre duhet të ulet.

Disa mendojnë se kaloritë janë kalori, nuk ka rëndësi kur i merr.

Në një studim të rëndësishëm ku u përfshinë dy grupe personash, një grup që nuk hante mëngjesin dhe një grup që nuk hante darkën u panë rezultate shumë të mira tek grupi i dytë që hante mëngjes, por nuk merrte darkën dhe kjo e lidhur jo vetëm me stabilitetin në peshë, por edhe në uljen e ndryshimeve inflamatore në gjak.

Nëse sekrecionet nga hundët janë në ngjyrë jeshile a do të thotë kjo që kam infeksion?

Shumë njerëz mendojnë se nëse sekrecionet e hundëve janë në ngjyrë jeshile atëherë është koha për të shkuar tek mjeku për të marrë recetën me antibiotikë.

A po e mbroni shëndetin tuaj duke vepruar në këtë mënyrë? Hmmmm jo e vërtetë! Po pse?

Në shumicën e rasteve këto sekrecione nga hundët vijnë si rezultat i infeksioneve virale që nuk mjekohen me antibiotikë. Gjithashtu ngjyra jeshile e sekrecioneve nga hunda nuk tregon infeksion bakterial, por edhe disa viruse i japin këtë ngjyrë atyre.

Po infeksion atëherë kur kam dhe kur duhet të shqetësohem?

Nëse keni këto shenja atëherë po!

Keni temperaturë të lartë që nuk ulet;

Sekrecionet tuaja janë të trasha dhe duken si qelb;

Ju jeni i sëmurë më tepër se 10 ditë;

Simptomat tuaja vijnë duke u rënduar edhe pse ju jeni duke marrë mjekim për virozën.

A i bën konsumimi i sheqerit fëmijët hiperaktivë?

Është një situatë kur pas një feste ku fëmijët kanë ngrënë shumë ëmbëlsira nuk dëgjojnë që të largohen, të venë për të fjetur dhe nuk i dëgjojnë urdhërat e prindërve.

A ju duket e njohur kjo situatë? E keni kaluar edhe vetë?

Kjo situatë ka dy drejtime për t‘u sqaruar.

E para nga ana e ekspertëve që kanë bërë studime të rëndësishme duke krahasuar dy grupe fëmijësh, ata që kanë marrë ëmbëlsira me sheqer dhe grupi tjetër që nuk ka marrë. Nuk janë gjetur diferenca në drejtim të hiperaktivitetit tek fëmijët.

Por ndikimi që ka sheqeri sintetik tek fëmijët dhe tek të rriturit është shumë i dëmshëm në drejtime të tjera të shëndetit ndaj quhet ndryshe në popull “helmi i bardhë”.

E dyta lidhet me mitin që qarkullon në popullatë që fëmijët që hanë sheqer bëhen hiperaktivë. Kjo sigurisht do ndryshojë me kohën, por fakti që fëmijët nuk duhet të marrin sheqer sintetik duhet të jetë e përhershme.

A mund të infektohem nga ndenjësja e tualetit?

Shumë njerëz ndihen të frikësuar që të përdorin tualetet publike pasi mund të marrin infeksione në to. Në fakt një sërë objektesh që ne na e lehtësojnë jetën janë gjithashtu burim i rëndësishëm i një sërë mikrobesh. Kështu janë paratë, dorezat e dyerve, çelësat e makinave, celulari etj.

Ato sigurisht ndodhen edhe në tualet, por si mendoni ju cili është më i ndotur tualeti apo celulari juaj?

Sigurisht kjo pyetje do t’iu trondisë dhe do t’iu bëjë të mendoni se cili është objekti që vëmë afër faqes orë e çast dhe bile me orë të tëra, duke e prekur miliona herë dhe pa larë duart…Por besojeni ose jo celulari është më i ndotur!

Por pyetja që njerëzit bëjnë vazhdimisht është a mund të marrim infeksione seksualisht të transmetueshme gjatë përdorimit të tualetit?

Sigurisht që jo. Sepse këto mikrobe transmetohen nga njeriu tek njeriu dhe sapo bien në kontakt me një sipërfaqe të ftohtë, të thatë, të ngurtë ato nuk rezistojnë.

Nuk është raportuar deri sot asnjë rast në mjekësi që infekionet seksualisht të transmetueshme të jenë marrë gjatë përdorimit të tualetit.

Por ka edhe disa mikrobe që mund të transmetohen nëpërmjet përdorimit të tualetit, por lajmi i mirë është që ky rrezik shkon në zero vetëm nëpërmjet larjes së duarve.

Por mos harroni që këto mikrobe duhet që të kenë një portë hyrjeje në organizëm që të shkaktojnë sëmundje dhe nëse lahen duart mirë atëherë rruga e hyrjes në organizëm pritet.

A shkakton kërcitja e gishtërinjve artrit?

Ju shpesh kërcisni gishtat duke u bërë i bezdisshëm për të tjerët, por sigurisht kjo nuk ju shkakton artrit. Shpesh ju ndodh që kur ju ecni të ndjeni një zhurmë që në gjuhë popullore themi ju kërcasin kockat.

Në fakt janë bulat që krijohen në lëngun që ndodhet në artikulacionet tuaja.

Por duke kërcitur vazhdimisht gishtat ju rrezikoni që t’i dëmtoni ato ndaj është një zakon që duhet ta lini sa më shpejt.