MENU
klinika

Rritje me 20%

2.1 milionë turistë në gusht

24.09.2018 - 13:29

Në muajin gusht Shqipërinë e vizituan 2.1 milionë vizitorë të huaj. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i turistëve regjistroi një rekord historik dhe u rrit me 21% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Muaji që shënon edhe pikun e sezonit veror e ka përmirësuar edhe më shumë bilancin e sezonit veror për këtë vit. Instat raporton se në tetë muaj Shqipërinë e vizituan 7.86 milionë shtetas të huaj, në rritje me 13% krahasuar me tetëmujorin e vitit të kaluar.

Numri i vizitorëve të huaj vazhdon të dominohet nga kosovarët, që gjatë gushtit e vizituan Shqipërinë 40% më shumë krahasuar me një vit më parë. Për tetë muaj, Shqipërinë e vizituan afro 1.6 milionë kosovarë, në rritje vjetore me 17%. Pas rënies së vitit të kaluar, duket se këtë vit fluksi i vizitorëve nga Kosova është sërish në rritje. Kjo shpjegohet së pari me turizmin, por edhe me një lëvizje të shtuar mes dy vendeve për qëllime biznesi.

Pas Kosovës, ndjekin Maqedonia, Greqia dhe Italia. Mes vendeve të tjera, këtë vit vërehet një rritje e ndjeshme e numrit të vizitorëve nga Gjermania dhe Polonia. Për tetë muajt e parë të vitit, numri i vizitorëve nga Gjermania është rritur me 37%, ndërsa nga Polonia me 28%.

Ndërkohë, turizmi i shqiptarëve jashtë vendit këtë sezon veror duket të jetë ngadalësuar ndjeshëm. Gjatë gushtit, udhëtuan jashtë vendit 688 mijë shqiptarë, në rritje me vetëm 1% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa për gjithë tetëmujorin e këtij viti, shqiptarët ka bërë afro 3.6 milionë udhëtime jashtë vendit, në rritje vjetore me 3%.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN