MENU
klinika

Deklarata e presidentit turk

Turqia në mbrojtje të Sirisë dhe Jeruzalemit…

24.09.2018 - 12:43

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha dje se Turqia do të vazhdojë të rrisë numrin e zonave të sigurta brenda Sirisë në lindje të lumit Eufrat.

Në fjalimin e tij drejtuar komuniteteve turke dhe myslimane në Nju Jork, organizuar nga Komiteti Kombëtar Drejtues Turk, Erdogan tha se lufta e Turqisë do të vazhdojë deri në përfundimin e kërcënimit terrorist dhe do të zhdukë bandat terroriste që synojnë të shkatërrojnë të ardhmen e Sirisë.

Në një fjalim më vonë në fondacionin TURKEN, Erdogan tha se ushtria turke “pastroi” një zonë prej 4.000 kilometrash katrorë nga ISIL dhe YPG, grupe terroristësh.

“Ne do të ndërmarrim hapa të ngjashëm në lindje të Eufratit,” tha Erdogan, duke deklaruar se Ankaraja i ka kthyer zonat në zona të sigurta për popullin sirian.

Duke u kthyer në Jeruzalem, Erdogani u zotua të mbronte qytetin nga pushtuesit. “Ne nuk do ta braktisim Jeruzalemin, nuk do ta lëme vetëm përballë pushtuesve dhe atyre që kryejnë terror ndaj palestinezëve”, tha ai.

Jerusalemi mbetet në zemër të konfliktit Izrael-Palestinë, me palestinezët që shpresojnë që Jeruzalemi Lindor, tani i pushtuar nga Izraeli, mund të shërbejë përfundimisht si kryeqyteti i një shteti palestinez.

Presidenti turk kritikoi gjithashtu Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për shërbimin e interesave të “fuqive të caktuara” në vend që të punonte për të siguruar paqen dhe stabilitetin global.

Ndërkohë, Erdogan foli për gazetën ruse Kommersant mbi zhvillimet në Siri. Opozita siriane duhet të jetë pjesë e zgjidhjes politike në Idlib, tha ai më 23 shtator. Erdogan tha se Turqia u dha përparësi civilëve, ruajtjes së zonave dhe mbrojtjes së grupeve të moderuara të opozitës që nga fillimi i çështjes Idlib. Përfshirja e opozitës ishte e nevojshme për të përmbushur rendin e ditës në bisedimet e Gjenevës dhe Astanës në mënyrë të shëndetshme, tha ai, duke iu referuar marrëveshjeve të mëparshme në Siri nga OKB dhe Turqia, Rusia dhe Irani.

Në artikull, Erdogan u shpreh se Turqia kurrë nuk do të bëjë lëshime për organizatat terroriste.

“Ne presim që Rusia të mbështesë Turqinë në përpjekjet e saj kundër grupeve terroriste, veçanërisht PKK, PYD dhe YPG,” tha ai. Erdogani vazhdoi të thotë se vendet në të njëjtin rajon duhet të përpiqen për sigurinë e njëri-tjetrit.

Duke vlerësuar marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Moskës, Erdogan tha se Turqia po ndërmerr hapa për të përmirësuar lidhjet humanitare dhe kulturore, si dhe projekte të përbashkëta energjitike dhe investime reciproke me Rusinë.