MENU
klinika

Një 'valë' e re migrantësh

Turqia paralajmëron Evropën

16.09.2018 - 12:05

Presidenca turke thotë se migrimi nga Idlibi jo vetëm që do ta rëndojë Ankaranë, por gjithashtu do të shkaktojë kriza të reja në Evropë.

Zëdhënësi i presidencës turke ka thënë se një ofensivë e madhe nga krahina veriperëndimore e Sirisë mund të shkaktojë një krizë të re të refugjatëve nga Turqia në Evropë.

“Pika e përbashkët e të gjithëve është se zgjidhja duhet të jetë politike dhe jo ushtarake, tha Ibrahim Kalin në kryeqytetin e Ankarasë, pas një takimi përgatitor me përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë dhe Rusisë përpara një takimi të ardhshëm lidhur me Sirinë.

Idlib

Kalin tha se qeveria e tij kërkon të mbajë statusin aktual të Idlibit, të mbrojë civilët dhe të parandalojë një krizë humanitare në Idlib.

“Natyrisht, një valë e re migracioni jo vetëm që do t’i shkaktonte probleme Turqisë, por do të shkaktonte një zinxhir të ri krizash këtu në Evropë, prandaj askush nuk e dëshiron këtë” theksoi ai.

Bombardimi i Idlibit do të jetë “i papranueshëm”, tha zëdhënësi i presidencës.

Ai gjithashtu shtoi se vizita e ardhshme e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në qytetin rus të Soçit të hënën dhe përpjekjet pas kësaj kishin një rëndësi të madhe.

Që nga fillimi i shtatorit, të paktën 30 civilë janë vrarë në Idlib dhe Hama dhe ka patur dhjetëra të plagosur, nga sulmet e qeverisë siriane dhe avionët luftarakë rusë, sipas aktivistëve në terren.

Damasku kohët e fundit njoftoi planet për të nisur një ofensivë të madhe ushtarake në zonë, të kontrolluar nga grupe të ndryshme të armatosura të opozitës.

Emigracioni

OKB paralajmëron se një sulm i tillë do të çonte në “katastrofën më të keqe humanitare në shekullin 21”.

Mijëra njerëz nëpër Idlib të premten kanë protestuar kundër një ofensive të mundshme të plotë nga forcat qeveritare dhe aleatët e tyre. Në fillim të shtatorit, forcat besnike ndaj presidentit sirian Bashar al-Assad filluan një fushatë intensive me bombardime, sulme ajrore. Bombardimet e mbështetura nga Rusia kanë rënë disi gjatë ditëve të fundit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN