MENU
klinika

Ulpiana

Vendi ku këmbehen nderime perandorësh

01.09.2018 - 14:03

Një nga qendrat më të rëndësishme për hapësirën mbarëshqiptare ndodhet në Kosovë, 12 kilometra në jug-linde të Prishtinës, afër Grançanicës, disa kilometra larg tabelave në gjuhën serbe të vendosura në rrugën kryesore të qytezës. Mirë do ishte të kishin dhe gjuhë ndërkombëtare si dhe gjuhën shqipe.

Kosova në lashtësi ka nxjerrë shumë perandorë, shumë e kanë vizituar, shumë kanë ngritur qytete, dhe qyteterim atje. Në perandorinë Romake perandorët me origjinë ilire mendohet se janë:

Decius – 249-251, Hostilianus – 251, Claudius II “Gothicus” 268-270, Quintillus – 270, Aurelian – 270-275, Probus – 276-282, Diokleciani – 284-305, Maximianus “Herculius” – 286-305, Galeriusi – 305-311, Konstandini I – 306-337, Maximinus Daia – 308-313, Jovian – 363-364, Valentinianus I – 364-375, Valens – 364-378, Gratian – 375-383, Valentinianus II – 375-392. Marcianus – 450-457, Anastasius I – 491-518, Justin I – 518-527, Justinian I – 527-565

Rrugës për në Ulpianë

Qyteza e Graçanicës është një komunitet ku mbizotërojnë serbët me afro 70% dhe shqiptarët janë me 23%. Pjesa tjetër është e pakicave rome, boshnjake, turke. Kolonët serbë, të vendosur pas viteve 1960 bashkëjetojnë aty me shqiptarët. Ambienti nuk shpreh ndonjë gjësendi karakteristike dalluese.

Megjithatë, nuk e ke vështirë të dallosh se flitet sllavisht nga banorët e shumtë. Romët dhe turqit janë gjithashtu pakicë.
Edhe romët mund t’i ndeshësh me gjuhën e tyre, gjysmë shqip, gjysmë gjuhën rome, ashkalie. Ashtu si ka qenë dikur perandoria Romake, perandori për të gjithë anëtarët e saj, si në Romë, si Angli e Shqipëri, një qytetërim mbizotërues. Në dallim nga fshatrat e Shqipërisë Graçanica i ka rrugë të mira, të drejta.

Pozicionimi i Kosovës në rrafshanltë që shtrihet në të shumtën e hapësirës në fushë e ndihmon që shumë fshatra të jenë të shtruara. Ato nuk të lodhin, as me makinë, as me sy. Shtëpitë për t’u ndërtuar dhe mirëmbajtur duan mendje dhe të holla.

Në Graçanicë duket sikur të hollat ka punuar me mendje për shtëpitë e banorëve, sa më në kryeqytet të afrohesh, në Prishtinë, duket sikur shtëpitë duan të holla, në periferi të Prishtinës pallatet që po ngrihen ngjitur me njëra-tjetrën duken sikur kanë dashur vetëm të holla, por jo mendje.

Betonizimi është një sëmundje qytetëruese që po e shpejton posturbanizimin shqiptar që do të bëhet si New York-u.

Dikur thuhej se ‘’Provincialët ndjekin modën, moda ndjek parizienet’’, cfarë duam të jemi ne provincialë, apo pariziene?!

Ulpiana, ku ka qiell dhe mrekulli antike

Vendosur disa kilometra larg Graçanicës parku arkeologjik i Ulpianës ta heq këtë ngushtësi në mendje dhe të rikthen jetën natyrale, atë të vërtetën, raportin e njeriut me njeriun, me natyrën, fushën, horizontin e lirshëm të syrit me të mbjellat e shumta, shtëpitë karakteristike, korrektësinë dhe respektin e njerëzve, bujarinë e tyre.

Edhe Graçanica ka qenë dikur qytet, dhe nga më të rëndësishmit që quhej Ulpianë.

Parku arkeologjik i Ulpianës është i rrethuar me tokat e fshatarëve që janë shumica serbë. Ka tek-tuk toka të blera nga shqiptarët.

Ky rrethim me tel gabioni fsheh nga pas mollë, kumblla për syrin e këmbësorit dhe për fantazmat antike që vërtiten parkut dhe duan t’i tregojnë vizitorëve që jemi të lashtë sa gjithë bota. Jo vetëm të lashtë, po dhe të zhvilluar.

Anës rrugës për të shkuar në vendndodhje të shoqëron dhe misri i mbjellë që tashmë është për t’u korrur. Parku arkeologjik mund të përmblidhet shpejt me sy në tre destinacione dhe shumë i bukur për t’u vizituar.

Mendohet se e gjithë fusha e Graçanicës që është disa qindra hektarë tokë, si dhe vetë qyteza është e mbingritur në rrënojat e qytetit të lashtë të Ulpianës dhe, nuk është çudi, shumë qytete moderne janë ngritur në këmbët e qyteteve antike. Edhe vetë Roma moderne nën gërmadhat e Romës së lavdisë së dikurshme.

Ulpiana mendohet se e ka shtrirjen kohore që në kohën e bakrit dhe të bronxit, atëherë kur të gjithë e quanin Dardania, dhe me plot gojën duhet të quhet ‘e shenjtë’. E shenjtë për vlerat dhe për gjetjet arkeologjike, për kulturën, për vërtetësinë.

E vendosur në udhëkryqin e një gadishulli që dikur quhej Ilirik, Ulpiana ishte pozicioni më i mirë i ngritjes së qytetërimit shqiptar në kohën e perandorisë Romake, në mes të shumë udhëkryeqeve, midis shumë kulturave, në atë kohë kur të gjithë pjesëtarët e perandorisë quheshin nënshtetas.

Kjo tokë pjell, jo vetëm kumblla dhe mollë, por edhe perandorë ilirë. Jo vetëm i lind, po edhe i nderon ata. Ajo duhet vizituar që ta besosh.

Lokaliteti antik romak dhe bizantin i Ulpianës ishte i shtrirë në pika kyçe gjeostrategjike, në udhëkryqe rrugësh antike që lidhte lindjen me perëndimin.

Në shekullin e parë të erës sonë, zhvillohet dhe sofistikohet vendbanimi i gjerë dhe i hapur, i organizuar me karakteristikat tipike romake. Rreth 169 të e.s mendohet se është themelimi i saj nga perandori Marcus Ulpius Traianus. Ajo fiton emrin ‘Municipium Ulpianum’.

Në shekullin e III dhe të VI të e.s ishte një nga qytetet më të zhvilluara të Dardanisë në të gjitha aspektet.

Në këtë kohë fiton titullin e dytë, ‘Municipum Ulpiana Splendissima’ – municipi i Ulpianës madhështore apo të shkëlqyeshme, duke u karakterizuar me rrjete të rrugëve të drejta, sistem ortogonal, ujësjellës, objekte të banimit si dhe me objekte publike, sakrale, profane e utilitare, gjithnjë duke qenë qendër urbane me rëndësi metalurgjike, zejtare, tregtare e bujqësore gjatë 5 shekujve të parë të mijëvjeçarit.

Gjatë sundimit të perandorit Justinian, perandor me origjinë dardane, në shekullin VI, riemërohet në ‘Justiniana Secunda’ në afërsi të Ulpianës në emër të dajës së tij. Qyteti i rrethuar me mure të gjëra deri në 3m dhe me nga dy kulla gjysmërrethi në çdo 27,5 m ka trajtë të parregullt katërkëndëshi.

Zë sipërfaqe prej afro 40 ha. Në shek. VI ishte ngritur një vendbanim i fortifikuar, që do identifikuar me qytetin Justinopol, të cilin perandori më origjinë dardane, Justiniani e ngriti për nder të dajës së tij Justinit.

Qyteti ka planimetri katërkëndëshi. Mendohet se shtrihet në një sipërfaqe prej 16 ha. Ulpiana bashkë me Justinopolin, para lagjet, varrezat etj. zë sipërfaqe prej rreth 120 ha. Brenda qytetit

UlpianëS, pranë portalit verior I është zbuluar portiku me dyqane zejtare të shek. III – IV, një pjesë e rrugës veri – jug (cardo maximus) e shtruar me pllaka gurësh, një kanal masiv për bartjen e ujërave të reshjeve atmosferike, horrea (drithniku) dhe bazilika e kohës së Justinianit.

Kjo bazilikë gjendet në linjë të njëjtë me një bazilikë tjetër paleokritstiane në Graçanicë, mbi themelet e së cilës nga gurët e ripërdorur, ku shihen fragmente mbishkrimesh të stelave dardane, në shek. XIV u ngrit manastiri i Graqanicës.

E gjithë kjo panoramë sa të ha syri vështrim në rrethrrotullim hapsinor është qytetërim shqiptar që duhet zbuluar. Mendohet se vetëm 3% e gjithë mbetjeve arkeologjike dhe lokalitetit është zbuluar derimë tani.

Shteti po mendon seriozisht për këtë park arkeologjik për të filluar gërmime të reja. Ai e ka marrë seriozisht, por të hollat duan edhe mendje, ashtu si shtëpitë me sistem, rregull e bukuri të gjithë fshatrave të Kosovës, Ulpiana do përkujdesje të vazhdueshme.

Megjithatë duhet një marrëveshje e gjerë e komunitetit me shtetin për të rindërtuar një kryevepër të Kosovës që do ta kishte nderin të quhej metropol arkeologjik ‘Multicipum tercium Ulpianium’ në nder të shtetit të Kosovës që po ringrihet kulturalisht.

Ulpiana është një xhevair i vendosur jo vetëm në Graçanicë, por në emrat e përveçëm të shumë njerëzve, në rrugë e shkolla, hotele, në ndërtesa, në histori, në memorjen kolektive dhe kombëtare shqiptare.

Ajo duhet të jetë pikë referimi për gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Rreth 20 mijë hyrje-dalje vizitash ka pasur në qershor-korrik të 2018.

Agjendat e përbashkëta arkeologjike midis Kosovës dhe Shqipërisë e ndihmojnë që ajo të vizitohet edhe nga ture vizitorësh të organizuar. Megjithatë duhet të mendohet për ture ballkanike vizitash e më tej. Do një organizim marketing më të plotë nga ana e strukturave shtetërore.

Një ekip shqiptaro-francezësh po punon për të nxjerrë në dritë materiale të tjera arkeologjike që datojnë në kohën e qytetërimit romak. I gjen aty duke punuar me dëshirë dhe përkushtim pavarësisht vapës së fund-gushtit. Ajo ka një plan projekti prej 4 vitesh. Më parë kanë qenë dhe arkeologët gjermanë.

Vlerat që parku përcjell janë të mëdhaja po dhe të paçmueshme. Shumica janë vizitorë të huaj dhe shqitparë të Kosovës që kthehen nga emigrimi për turizëm kulturor.

Ashtu si shqiptarët e Kosovës vizitojnë Shqipërinë, edhe shqiptarët e Shqipërisë duhet të vizitojnë vendin e tyre ku lindin perandorë, në Dardania, që me plot gojën duhet të quhet ‘sacra’.

Përgatiti Eugent Kllapi