MENU
klinika

Festivali i Teatrit

“Vdekja e Dantonit” shfaqja e fundit e FMT

30.09.2018 - 10:41

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit mbërrin në ditën e fundit të tij pas një rrugëtimi një javor me 13 shfaqje nga të gjitha trevat shqipfolëse, duke përmendur këtu praninë e teatrove të Ulqinit, Prizrenit, Prishtinës dhe Shkupit, i cili do të përmbyllë këtë festival të suksesshëm teatrii me shfaqjen e 14 në radhë.

Trupa e Teatrit Shqiptar të Shkupit do të sjellë në skenën e “arTurbinës”, me fillim nga ora 19:00, dramën “Vdekja e Dantonit”.

Drama “Vdekja e Dantonit” e shkruar nga George Byhner do të ngjitet në skenë nën regjinë e regjisorit Dino Mustafiç. Në skenë do të interpretojë një kast i madh dhe i përzgjedhur aktorësh: Refet Abazi, Luran Ahmeti, Gëzim Zherka, Fisnik Zeqiri, Muzbajdin Qamili, Osman Ahmeti, Hamdi Rashidi, Genci Mirzo, Amernis Nokshiqi, Aida Elezi, Mentor Kurti, Ilir Reçi, Sokol Hajrullai, Asdren Selimi, Besfort Idrizi, Berat Mahmut, Ajshe Useini, Arian Ejupi, Faton Ibrahimi, Kujtime Ahmeti, Taulant Destani dhe Orfej Asllanaj.

Georg Bihner e shkroi në vitin 1937 në periudhën e artë të romantizmit gjerman në moshën 22-vjeçare, vetëm dy vite para se të ndërronte jetë nga tifoja. Pavarësisht ideve revolucionare, autori në këtë dramë tregon edhe dyshim për mënyrën e zbatimit të ndryshimeve revolucionare, duke e parashtruar pyetjen: kur ndalon revolucioni? Ngjarja në dramë fokusohet në periudhën e sundimit dhe përçarjes së vetë revolucionarëve.

Sipas dramaturges së shfaqjes, Zjeljka Udoviçiq – Pleshtina, thelbi i ngjarjes shtrihet në konfliktin mes Dantonit dhe Robespjerit, përkatësisht mes dy botëkuptimeve të ndryshme për atë se çfarë do të duhej të ishte shteti pas revolucionit të kryer. Danton shfaqet si person dekadent, i prirë drejt hedonizmit, por qëndrimet e tij politike janë liberale dhe tolerante. Robespjer, ndërkaq, betohet për virtytin, për vete thotë se ndërgjegjen e ka të pastër, por i vret të gjithë të cilët mendojnë ndryshe sepse, virtyti duhet të sundojë me ndihmën e terrorit.

“Vdekja e Dantonit” është shfaqja përmbyllëse e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit dhe kujtojmë se po sot do të ndahen dhe çmimet për çdo kategori.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN