MENU
klinika

Nga 16 në 14 banka

Veneto shkrihet me Intesa, NBG me ABI Bank

06.09.2018 - 17:53

Banka e Shqipërisë miratoi zyrtarisht të enjten finalizimin e procesit të përqendrimit në sistemin bankar shqiptar. Këshilli Mbikëqyrës miratoi përthithjen e Veneto Banka nga Intesa Sanpaolo – Shqipëri dhe përthithjen e NBG Bank Albania nga Banka Amerikane e Investimeve.

Vitin e kaluar, banka italiane Intesa Sanpaolo bleu disa prej aktiveve të Veneto Banca në Itali. Mes aseteve të blera, ishte edhe filiali shqiptar, Veneto Banka. Ndërsa në fillim të këtij viti, u zyrtarizua blerja e degës shqiptare të Bankës Kombëtare të Greqisë nga Banka Amerikane e Investimeve. Pas blerjes së plotë të kapitalit aksioner, përthithja e bankave të blear ishte një hap i pritshëm dhe logjik, për një treg të vogël, si ai shqiptar. Shkrirja e Veneto me Intesa Sanpaolo, në fakt, është një proces që ka nisur prej muajsh, shoqëruar me shkurtime në stafin e bankës së përthithur. Kjo ka shkaktuar një reagim të ashpër publik të punonjësve që humbën vendet e punës, por, megjithatë, kjo nuk e ka ndalur rsitrukturimin e vendosur nga Intesa Sanpaolo në funksion të shkrirjes mes dy bankave. Bashkimet e mësipërme e ulin nga 16, në 14 numrin e bankave tregtare në tregun shqiptar. Procesi i përqendrimit të tregut pritet të vazhdojë edhe më tej. Të paktën dy banka të tjera, Banka Ndërkombëtare Tregtare dhe Banka e Kreditit të Shqipërisë janë në kërkim të blerësve; nuk përjashtohet që blerësit të jenë banka konkurrente, sidomos në rastin e bankës me kapital malajzian.

Në mbledhjen e të mërkurës, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi edhe Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2018.

Banka e Shqipërisë vlerëson se veprimtaria e sektorit bankar u paraqit e qëndrueshme, me tregues të mirë të performancës dhe të rezistencës financiare. Rënia e vlerës së aktiveve në valutë të sektorit bankar për shkak të mbiçmimit të ndjeshëm të kursit të këmbimit të lekut, ndikoi në tkurrjen e lehtë të vlerës së totalit të aktiveve të sektorit. Gjatë kësaj periudhe, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë nuk pati ndryshime të ndjeshme.

Aftësia e sektorit bankar për të përballuar këto rreziqe, në kushtet e niveleve të larta të likuiditetit, kapitalizimit dhe përfitueshmërisë, vlerësohet e fortë.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN