MENU
klinika

Nga Project Syndicate

Venezuela në rrezik/ Është koha që bota të veprojë…

27.09.2018 - 11:25

Me inflacionin në rritje, rrënimin e infrastrukturës, krimin që vazhdon të përhapet dhe uria që shtohet, gjendja e Venezuelës nuk tregon aspak shenja përmirësimi. Pyetja për pjesën tjetër të botës është se sa më të këqija duhet të jenë kushtet që ata të ndërhyjnë?!

New York Times kohët e fundit raportoi se administrata e presidentit amerikan Donald Trump kishte mbajtur takime me oficerë ushtarakë të Venezuelës të cilët po komplotonin për të përmbysur qeverinë e Nicolás Maduro. Në fund, politikëbërësit e SHBA mbështetën idenë, por, jo çuditërisht, reagimi ndaj artikullit ishte kryesisht negativ.

Për të qenë të sigurt, ka arsye bindëse për të kundërshtuar një grusht shteti të mbështetur nga SHBA në Venezuelë.

Shumë prej atyre që mund të përfshihen do të kishin reputacion të keq, duke marrë parasysh lidhjet e tyre me tregtinë e drogës dhe të dhënat për shkeljet e të drejtave të njeriut. Një grusht shteti pothuajse me siguri do të dështonte, duke i dhënë një qeverie justifikim të ri për të goditur kundërshtarët e saj.

Nicolas Maduro

Një opsion tjetër do të ishte një ndërhyrje e armatosur e udhëhequr nga fqinjët e Venezuelës. Ato janë ndikuar negativisht nga fluksi i refugjatëve, i cili tashmë është 2-4 milionë dhe po rritet me një normë prej 50,000-100,000 në muaj.

Por ky skenar, gjithashtu, mund të përjashtohet, për shkak të paragjykimit rajonal ndaj ndërhyrjeve ushtarake dhe faktit se fqinjët e Venezuelës nuk kanë mjetet për ta kryer një operacion të tillë. Venezuela është afërsisht sa dyfishi i madhësisë së Irakut, ka rreth 100,000 qytetarë të armatosur dhe oficerë të inteligjencës kubane që e ndihmojnë regjimin. Ndërhyrja nuk do të ishte zgjidhje.

Ata që kritikojnë ndërhyrjen, favorizojnë vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj zyrtarëve të lartë.

E ardhmja e Venezuelës është e pasigurtë. Ekonomia ka rënë ndjeshëm në pesë vitet e fundit, prodhimi i naftës është ulur, infrastruktura po shkatërrohet. Varfëria është përhapur shumë në një vend që dikur ishte ndër më të pasurit në rajon dhe kishte rezerva të mëdha nafte. Krimi është shtuar, sistemi i kujdesit shëndetësor nuk funksionon dhe uria është përhapur ndjeshëm.

Maduro, i cili kohët e fundit fitoi një mandat të dytë gjashtëvjeçar si president, ka krijuar një asamble që po shkruan një kushtetutë të re që do të çimentonte më tej diktaturën.

Ka një pyetje që është ngritur publikisht në muajt e fundit: Edhe sa gjëra më të keqija duhet të ndodhin në Venezuelë që bota të jetë e gatshme të veprojë? Edhe sa njerëz duhet të humbasin jetën?

Për pyetje të tilla duket se nuk ka përgjigje.

Ndërkohë, megjithatë, shtrohen qartësisht së paku tri çështje:

Së pari, përgjegjësia për të mbrojtur doktrinën-të cilën Asambleja e Përgjithshme e OKB-së unanimisht e miratoi në vitin 2005, si përgjigje ndaj mosveprimit të botës, pasi gati një milion burra, gra dhe fëmijë u vranë në Ruandë-ka “vdekur” në thelb. Bota ka bërë shumë pak për të ndihmuar Sirinë, ku më shumë se 500,000 njerëz kanë humbur jetën dhe shumica e popullsisë është detyruar të largohet nga shtëpitë e tyre.

Kjo është një tragjedi e madhe, jo vetëm për shkaqe të dukshme humanitare, por edhe për shkak se doktrina prezantoi një parim të rëndësishëm: sovraniteti përfshin detyrime, dhe kur këto detyrime nuk përmbushen, qeveritë humbin disa nga të drejtat e tyre sovrane.

Venezuela

Së dyti, qeveritë po e humbasin luftën kundër krimit, bandave dhe karteleve.

Amerika Latine është shtëpi për më pak se 10% të popullsisë së botës, por përbën rreth një të tretën e të gjitha vrasjeve.

Së treti, Amerika Latine duhet të reformojë organet ekzistuese rajonale, duke filluar nga Organizata e Shteteve Amerikane, ose të zhvillojnë forma të reja të bashkëpunimit rajonal.

Kjo është një nevojë për të rishikuar sigurinë e rajonit. Kërcënimet ndaj stabilitetit të brendshëm janë të mëdha dhe në rritje. Është koha që liderët e rajonit të përballen me situatën…

Richard N. Haass, Kryetar i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, më parë ka shërbyer si Drejtor i Planifikimit të Politikave për Departamentin e Shtetit të SHBA (2001-2003) dhe ishte i dërguari i posaçëm i Presidentit George W. Bush në Irlandën e Veriut dhe Koordinator për Ardhmërinë e Afganistanit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Aq e rëndë sa kriza në Mesdhe

Venezuela, kulmi i krizës së migracionit

Gabimet që janë bërë...

Nënvlerësimi i Trump nga Erdogan