MENU
klinika

Dossier

Vila e Zogut në arkivat italo-shqiptare

06.09.2018 - 12:43

Arkitektura italiane ka gjurmët e saj thuajse në të gjitha qytetet shqiptare, përfshi dhe kryeqytetin qendra e të cilit u projektua nga italianët në fillimin e viteve ’30-të. Në arkivat italiane dhe ato shqiptare të gjurmuara nga studiuesit e ditëve të sotme janë gjetur shumë projekte paraprake italo-shqiptare që nuk janë ndjekur. Motivi i mos realizimit të këtyre projekteve duhet kërkuar në zgjedhjet themelore politiko-kulturore të epokës. Projektet duhet të përputheshin me zhvillimin e një plani koherent me shkallë të ndryshme: urbane, peisazhistike, arkitektonike. Në këtë frymë u arrit të ndërtohej një ndër godinat më të spikatura për frymën moderne të kohë, e ngritur në një lartësi prej 98 metrash mbi nivelin e detit në Durrës.

Vila e Mbretit Zog spikat me arkitekturën e saj ende sot e kësaj dite, paçka se rrënimi që koha i ka bërë kësaj ndërtese 90 vjeçare është i dukshëm edhe nga jasht. Pallati luksoz i konceptuar si një rezidencë verore e familjes mbretërore të Zogut ishte një dhuratë e tregtarëve të Durrësit, si shenjë e prosperitetit që vendi po kalonte gjatë periudhës së monarkisë.

Kristo Sotiri, arkitekti i diplomuar në Universitetin e Padovës në Itali, projektoi fazën e parë të vilës, ndersa zbatimi i projektit u ndoq më pas nga arkitekti italian që mban firmën edhe të një seri ndërtesash të tjera në Tiranë, Florestano di Fausto. Teknologjia e ndërtimit dhe stili arkitektonit ishte i tëri i ndikuar nga Italia megjithëse godina ka ruajtur elementët identifikues shqiptarë sikurse forma e shqiponjës që ndërtesa duket se ka kur shihet nga lart. Kolonat dhe trarët, përfshi dhe dyshemetë prej betoni të përforcuar përfaqsonin dhe zërin më të madh të shpenzimeve, ndërkohë që fasada e thjeshtëzuar dhe e standartizuar solli një reduktim të kostos.

Godina 3 katëshe me 20 dhoma dhe 3 sallone të mëdha për pritje mondane, ka tri hyrje-dalje në tri kënde që konsiderohen si strategjike per vendndodhjen e ndërtesës. Dritaret e sheshta të përfshira në strukturën e ndërtesave duken si rafte të mëdha, një element aerodimak modern, që përdorej në të gjitha pallatet mbretërore në monarkitë evropiane të kohës. Një karakteristikë e vilës është mbështetja dhe çatitë e sheshta të cilat ofrojnë kulmet të ndryshëm me shumë nivele.

Ndërtesa u përfundua në vitin 1937, disa muaj para se Mbreti Zog të martohej me mbretëreshën Geraldine, por nuk u gëzua dot nga monarkët pasi një vit më pasi dy vite më pas, Italia do të pushtonte Shqipërinë, duke i dhënë fund sundimit të Mbretit Zog.

Vila mbeti si rezidencë qeveritare për pushtuesit gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe të njëjtin funksion ruajti më pas në kohën e diktaturës komuniste. Me ndryshimin e sistemit politik, vila e Zogut, u bastis më shumë se njëherë dhe u bë pre e akteve vandale, që shkatërruan shumë vlera arkitekturore që godina kishte ruajtur me fanatizëm që prej momentit të ndërtimit.

Në fasadën e jugut, për shkak të vendbanimeve të tjera që janë krijuar përreth kodrës pas viteve ‘90, janë parë çarje vertikale diagonale që e bëjnë të pabanueshme vilën për shkak se rreziku i shembjes kanoset mbi muret e saj të amortizuar. Pa llogaritur se ndërtesa është pa dyer dhe pa dritare. Suvaja është pothuajse e rrjepur në të gjitha dhomat dhe lagështia ka krijuar harta të mëdha në tavanet e varur të pallatit. Koha dhe njerëzit janë dëshmimtarë të rrënimit të saj, por për arkitektët italianë kjo godinë mbetet në mesin e atyre që janë ndërtuar në vitet ’30 si përfaqsuesja më e mirë e arkitekturës moderne italiane të fillim shek.XX ndaj dhe vëmendja për rehabilitimin e saj konsiderohet si domosdoshmeri në kuadër të ruajtjes së memories historike.

Përgatit: B.K.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN