Partia e Gruevskit VMRO-DPMNE-ja ka thirrur mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv për të diskutuar çështjen e referendumit. Megjithatë dita e martë nuk pritet të jetë dita kur opozita do të kumtojë qëndrimin e saj nëse është për ose kundër.
Opozita ka disa ditë që zhvillon debat të brendshëm, që më pas të dilet me një qëndrim të përbashkët zyrtar.
Ndërkohë subjektet e tjera kanë nisur fushatën. Aleanca për Shqiptarët si subjekt i cili udhëheq fushatën vlerëson se në Maqedoni ka alternativë për çdo gjë tjetër, përpos për anëtarësimin në NATO dhe BE.
Lideri i Aleanca për Shqiptarët, Zijadin Sela theksoi se në fazën e ndryshimeve kushtetuese, subjekti i tij politik do të ndërhyjë me amendamente.
“Të njohura janë qëndrimet e Aleancës për Shqiptarët dhe vendimet e Kuvendit Qendror të saj. Përveç kësaj neve do të shpjegojmë edhe përse është e nevojshme që në Maqedoni bashkë me ndryshimet tjera kushtetuese që parashihen në Marrëveshjen e Prespës të arrihet edhe barazia ndërmjet komuniteteve si dhe asnjëherë nuk do të lejojmë koncepte të shtetit një-etnik. ASH kurrë nuk do të votojë në dëm të shqiptarëve”, deklaroi Sela.
Lëvizja Besa, krahu i Bilall Kasamit si subjekt pro referendumit shpreh nevojën e anëtarësimit në NATO dhe BE si shqiptar dhe jo si përqindje. Partia Besa e Kasamit do të ndërhyjë me amendamente në ndryshimet Kushtetuese, të cilat do t’i saktësojë pas referendumit.
“Ne në këtë fazë duke ofruar argumentet e duhura do të motivojmë shqiptarët e Maqedonisë që masivisht të marrin pjesë në referendum dhe të votojnë pro. Ndërkohë në fazën e dytë, atë të ndryshimeve kushtetuese, do të angazhohemi që në përputhje me përcaktimet tona programore dhe pritjeve të popullatës shqiptare, do të kërkojmë që saktësimi prej 20 për qind të zëvendësohet me shqiptar dhe gjuhë shqipe”, u shpreh Arianit Hoxha, shef i shtabit të Lëvizjes Besa .
Ndërkohë fushatën kundër referendumit për emrin e ri të Maqedonisë, do ta udhëheqë partia pro ruse e Janko Baçevit, e cila është jashtëparlamentit, e qujtur “Maqedonia e Bashkuar”.