MENU
klinika

Analizë nga Albert Çaçi

Pse ky vringëllim armësh? Çfarë mesazhi jep Putin?

05.09.2018 - 17:02

Javën e ardhshme, në 11-15 shtator, do të zhvillohen manovrat ushtarake Vostok-2018 në Lindjen e Largët të Rusisë.

Do të jenë manovrat më të mëdha që ka kryer ndonjëherë Rusia, biles më të mëdha edhe se ato të Vostok -1981 të kryera nga ish- BRSS.

Në to do të marrin pjesë 300 000 ushtarë, 38 mije tanke dhe mjete të blinduara, 1000 avionë luftarake dhe helikopterë dhe gjithë Flota detare ruse e Paqësorit dhe një pjese e Flotës së Veriut.

Praktikisht 1/3 e gjithë ushtrisë ruse do të marrë pjesë në këto manovra.
Në këto manovra do të marrin pjesë edhe 2 divizione të Kinës dhe një i Mongolisë.

Për tu theksuar që për herë të pare Kina sposton jashtë territorit të saj për këto manovra 30 avionët e saj më të mirë duke përfshirë J-20 dhe J-11 si dhe dhe 3200 ushtarë.

Po përse gjithë ky vringëllim armësh? Cfarë mesazhesh do të jap Putini?

Nqs manovrat e vitit 1981 donin të kërcënonin Kinën (që atëherë ishte shumë e dobët ekonomikisht dhe ushtarakisht) për të mos u afruar më tej me SHBA, këto sot cfarë mesazhesh japin për ekuilibrat në Paqësor ?.

Realisht sot situata gjeopolitike botërore ndodhet përpara ndryshimeve shumë të mëdha.
Struktura aktuale ku janë mbështetur aleancat e mbas Luftës së Dyte Botërore nuk po i përgjigjet më kuadrit të ri boteror.

Fuqi potente ekonomike dhe ushtarake si Kina dhe India po kërkojne pozicionet dhe hapsirat e tyre ne skakierën e re gjeopolitike dhe kjo pranohet me vështirësi nga aktorët e tjerë.
Në këtë kuadër Rusia ndodhet në një situatë mjaft të komplikuar.

Marrëdhëniet me Perëndimin tashmë janë kompromentuar gati në mënyrë të pariparushme mbas ngjarjeve në Ukrainë dhe marrjes së Krimesë në 2014.

Në fakt Rusia dhe pjesa dërrmuse e popullsisë së saj e konsideron veten si pjesë të Europës.
Gjithe historia kultura, zhvillimi ekonomik është e lidhur me Europën.

Rusët asnjëhere nuk e kanë konsideruar veten si aziatikë .
Por tashmë situata gjeopolitike po ndryshon me shpejtësi dhe Rusia tashmë në vështirësi po e sposton gjithnjë e më shume aksin e saj gjeopolitik dhe gjeoekonomik drejt Lindjes.

Embargua e fortë e vendosur nga SHBA dhe BE po e detyron Rusinë të forcojë lidhjet ekonomike me Kinën.

Vetëm në 8 muajt e parë të këtij viti shkëmbimet tregtare midis dy vendeve kaluan 100 miliard dollarë nga 20 miliard që ishin para 5 vitesh dhe synojne të arrijnë 200 miliard dollarë deri ne vitin 2020.

Ndërtimi i dy gazsjellsave që përfundojnë vitin tjeter do të lidhin dy vendet për 30 vitet e ardhshme në fushën energjetike në një marrëveshje prej 400 miliard dollarë.

Të dy vendet po adaptojnë një politikë shkëmbimesh në monedhat vendase për të shmangur sanksionet në dollarë. Asnjëherë në historinë e saj Rusia nuk ka qënë kaq e lidhur me Kinën ekonomikisht.

Rusia tashmë është e bindur që përballimi i presionit të fuqishëm të SHBA po bëhet gjithmonë dhe më i vështirë dhe sic duket ka vendosur që të krijoje këtë aleancë strategjike me Kinën.

Ajo ka hezituar shumë deri tani për këtë aleancë që është shumë problematike për Perëndimin në skakieren gjeopolitike boterore.

Rusia, me këto manovra do të dëshmojë se nuk është e izoluar por përkundrazi është një forcë ushtarake shumë potente dhe së bashku me Kinën mund të krijojnë një pol të fuqishëm politiko-ekonomiko-ushtarak, që mund të ndikojnë gjithë politikën botërore për gjithë shekullin në vazhdim.

Kina, nga ana e saj, duke shfrytëzuar situatën e komplikuar ekonomike pas sanksioneve kërkon me cdo kusht një aleancë strategjike me Rusinë dhe mundësisht një aleancë ushtarake të njëjtë si NATO-n që Rusia deri tani ja ka refuzuar.

Kina sot nuk është akoma gati të përballojë ushtarakisht SHBA në Paqësor dhe në botë dhe i duhen të paktën edhe 5 vjet me këtë ritëm armatosje që ajo po kryen. Dhe nje aleancë me Rusinë i garanton asaj sigurinë e përballimit të cdo lloj konflikti.

Kina ka kërkuar vazhdimisht nga Rusia teknologjinë e saj moderne ushtarake por Moska gjithmonë ka hezituar pasi nuk ka dashur të acarojë Perendimin.

Tashme poziconi i Rusisë është qartësuar dhe Kina po mundohet të përfitojë sa më shumë. Pas marrjes së avionëve SU-35-S dhe raketave S-400 Kina po kërkon teknologjinë moderne të nëndetëseve strategjike, sistemet raketore hipersonike dhe motoret RD-180 për fluturimet në hapsirë, për të cilat Rusia është në avantgardë.

Kina ka shumë nevoje për burimet natyrore ruse dhe po ndërmerr një fushatë investimesh masive në Rusi.
Projekti i Rrugës së Mëndafshit në një pjesë të madhe kalon në territorin rus. Gjithashtu Kina ka nevojë të përdorë Rrugën e Arktikut për të shkurtuar kalimin në Europë dhe këtë mund t’ja japë vetëm bashkëpunimi me Rusinë. Largimi i Eksonit nga venbdburimet ruse të Yamalit dhe Sahalinit ku edhe kishin investuar miliarda për shkak të sanksioneve po zëvëdësuhen me shpejtësi nga Kina, që do të investojë 29 miliard dollarë në këto vendburime gjigande.

Kina synon të zëvendësoje importin nga Lindja e Mesme që është 6000 km larg dhe ta kompensojë me Rusinë që është në kufi dhe është një nga 2 prodhuesit më të mëdhenj botërorë në nafte e gaz.

Biles duke përdorur edhe juan.
Sic duket, aleanca stategjike Kine- Rusi, është e destinuat të forcohet gjithnjë e më shumë me gjithë konseguencat gjeopolitike që ajo do të sjellë.

Për SHBA, kjo aleancë përbën shqetësimin e saj më të madh gjeopolitik. Trump ka synuar që ndaj Rusisë të ndjekë projektin e dekanit te diplomacisë amerikane Kizinger që e ka këshilluar që ai duhet të eci në drejtim e kundërt të kryeveprës së tij diplomatike të vitit 1972 kur Niksoni vizitoi Pekinin dhe ndau përfundimisht Kinën nga BS.

Kizinger mendon se në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet një aleancë strategjike Rusi- Kinë.
Trump gjate fushatës elektorale gjithmonë ka theksuar se kërkonte marrëdhënie të mira me Rusinë dhe kompromise me të.

Biles edhe takimi i fundit me Putinin në Helsinki synonte këte. Trump ka deklaruar qartë konceptin e tij se armiku i SHBA nuk është Rusia por Kina.

Por, në SHBA kundërshtarët e Trump, që nuk pranojnë anjëherë fitoren e tij, kundërshtojnë fuqishëm cdo afrim me Rusinë dhe me një valë sanksionesh të vendosura nga Kongresi e kanë detyruar Trump të mos kryejë asnjë përmirësim në marrëdhëniet amerikano-ruse që praktikisht janë në një pikë të vdekur siç nuk kanë qenë as gjatë Luftës së Ftohtë.
Dhe për rjedhojë Rusia po spostohet drejt Kinës.

Përballë kësaj aleance strategjike që po përvijohet SHBA po mundohet të forcojë aleancat të reja duke ndjekur teorinë e gjeometrisë variabel.

Në këtë kuadër ajo po mundohet të forcojë lidhje me Indinë dhe Japoninë. Këtë javë do të zhvillohet në Indi takimi 2+2 midis Ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, USA-Indi.

SHBA do të synojnë që t’i afrojnë Indisë një partnership të plotë ekonomiko-ushtarak duke synuar që të minimizojë lidhjet historike me Rusinë.

Por India e Modit nuk është një vend i lehtë për tu biseduar. 80% e armatimit ushtarak i Indisë është rus dhe ajo ka kundërshtur kërkesën amerikane për të mos blere 6 baterite e S-400 me një vlerë prej 7 miliard dollare. Sidoqoftë India lëviz me shume kujdes pasi ajo ka shumë nevojë për bashkëpunimin ekonomik me Kinën dhe bashkëpunimin ushtarak me Rusinë.

Aq më tepër që së bashku me to bën pjesë në organizatat e BRIKS dhe SCO të Shangait.

Japonia aleatja e SHBA nuk vë në dyshim aleancën me SHBA por është shumë e friksuar nga aleanca strategjike, Kine-Rusi, pasi është një rrezik i madh për sigurinë e saj kombëtare dhe një komplikim i marrëdhënieve me ta do të thotë të humb tregun aziatik që është jetik për ekonomine japoneze.

Jo më kot në ditën e nisjes së manovrave Vostok-2018, më 11 shtator, kryeministri Abe do të marrë pjesë në Forumin ekonomik të Vladivostokut, qyteti ku është qendra e komandës së manovrave ku do të takohet me Putinin.

Pra jemi përpara një situate mjaft të komplikuar që ndryshon me shpejtësi dhe ky vringëllim armësh nuk ndikon për të ulur tensionet por përkundrazi dëshmon se ekuilibrat e rinj që po vendosen mund të provokojnë deri në konfrontime luftarake sic ka treguar shpesh historia për krijimin e akseve dhe aleanca të këtyre dimensioneve.

Të gjithë stategët ushtarake kanë bindjen e plotë se zona ku mund te shpërthejë një konflikt botëror në këtë shekull me propabilitet shumë të lartë është Paqësori perëndimor, pikërisht vendi ku po bëhet ky demonstrim i vringëllimit të armëve.

Nga: Albert Çaçi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


'Lufta' për gazin

Marrëveshja e Kaspikut

Analiza/ Albert Çaçi

Plani i shekullit