Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se politika e ndjekur prej tij në këto 5 vite, për ta rikthyer çështjen e Kosovës në tryezën e bisedimeve, ka pësuar disfatë. Këto komente, ai i bëri në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Partisë Përparimtare Serbe.
“Politika ime, sipas së cilës Serbia duhet të ruajë shumë gjëra në Kosovë, qartazi nuk ka fituar në Serbi, sepse serbët duan të humbin gjithçka, më së shumti dëshirojnë të vajtojnë mbi fatin e tyre. Ata duan më shumë të qajnë për diçka që është e largët, sesa të kenë diçka në duart e tyre. Raundin e parë e fitoi Serbia e shkatërrimit, Serbia e vajit dhe jo Serbia që fiton”, tha Vuçiç.
Presidenti serb kishte shpalosur si politikë të tijën vendosjen e kufijve mes shqiptarëve dhe serbëve, gjë që nënkupton ndarjen tokësore të Kosovës.
“Ne jemi vetëlarguar nga OKB-ja në vitin 2010. Kemi gjykuar vetveten me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në vitin 2011 vendosëm kufirin mes serbëve në Jarinjë”, tha ai.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi këmbëngul në idenë e tij për korrigjim kufijsh, që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Si Vuçiç, ashtu dhe Thaçi, gjatë verës kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje normalizimi mes dy vendeve, përfshirë edhe mundësinë e korrigjimit të kufijve. Por, këto ide nxitën reagime edhe në skenën ndërkombëtare.