MENU
klinika

Xhek London

13 arsyet pse burrat pinë alkool!

17.10.2018 - 12:47

John Griffith London, i njohur për disa të tjerë si Jack London, i lindur më 12 Janar 1876 ishte një novelist amerikan, gazetar dhe aktivist shoqëror.

Një pionier në botën e revistës komerciale, ai ishte një nga shkrimtarët e parë që u bë një njeri i famshëm mbarëbotëror dhe fitoi një pasuri të madhe nga shkrimi. Ai ishte gjithashtu një novator në zhanrin që më vonë do të bëhej i njohur si “science fiction”.

Sipas Xhek Londonit, reflektimet e fytyrës, të gjesteve të meshkujve amerikano-veriorë në shishet dhe gotat e pijeve, veçanërisht të forta, në pijetoret e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tregonin këto mesazhe kryesore:

1. Ekspozimin e lartë të burrërisë, duke kthyer gotë pas gote, por edhe përpjekjet për të harruar lodhjet sfilitëse nga punët e rënda të ditës;

2. Demonstrimin e kundërkonformizmit në raport me normat kulturore tradicionale dhe sidomos ato ligjore dhe përkujtimin e një miku ose bashkëpunëtori të afërm të ndarë nga kjo jetë;

3. Mbytjen e mërzisë nga dështimi në ndonjë biznes, por shprehnin edhe optimizmin për të filluar një veprimtari tjetër me shpresën se do të ishte më fitimprurëse;

4. Prirjen për të thelluar njohjen më të imtësishme të miqve ose bashkëpunëtorëve, por edhe përpjekjet për të tejkaluar gjendjen e rënduar psikologjike nga sasia e madhe e pijeve alkoolike të konsumuara më parë;

5. Manifestimin e azganllëkut, të bujarisë, duke qerasur pijetarë miq, të njohur e të panjohur, por edhe përpjekjet për të harruar zënkat me fjalë e sherret e dhunshme me të tjerët;

6. Prirjen për të sfiduar në mënyrë të vrazhdë kundërshtarët, por edhe dëshirën për të arsyetuar në mënyrë filozofike;

7. Tejkalimin e zbrazëtisë që u provokonte ndarja me të dashurën ose divorci me bashkëshorten, por edhe gëzimin e përfitimeve të majme nga veprimet kontrabandiste;

8. Justifikimin për daljen nga vetja kur ishin të përmbajtur, por edhe përpjekjen për të tejkaluar dehjen, duke pirë përsëri pije alkoolike;

9. Sfidimin e fataliteteve të jetës së përditshme. Por edhe përkujtimin e aventurave të suksesshme;

10. Reflektimin e thellë për gabimet vetjake dhe të miqve të afërt, por edhe nxitjen e dëshirave për aventura të reja;

11. Rilevimin e krenarisë për shumëçka, por edhe nxitjen e shakave të shumëllojshme, nga më finet deri tek ato më vulgaret;

12. Parapëlqimin për pije alkoolike të ndryshme;

13. Shprehnin përpjekjet për të thelluar argumentimet rreth çështjes që diskutonin, por edhe për të “lubrifikuar” sportivitetin me të cilin tejkalonin situatat e ndërlikuara e kontradiktore.

Qelqet e gotave të pijeve ngriheshin si mure ndarës ndërmjet orëve të punës sfilitëse dhe atyre të dëfrimit, por ishin edhe respekte për banakierët që u ofronin pije pijetarëve, kur nuk kishin asnjë kokërr leku në xhep.

Kësisoj, komunikimi me gotën e pijeve alkoolike reflektonte mesazhe që kishin të bënim me aspektet kryesore të punës e të mënyrës së jetesës së shumicës së meshkujve amerikanë, me formimin e tyre psikokulturor, me veset e virtytet kryesore.

Veprat e tij më të famshme përfshijnë “Call of the Wild” dhe “White Fang”si dhe tregimet e shkurtra “Për të ndërtuar një zjarr”, “Një Odisea e Veriut” dhe “Dashuria e Jetës”. Ai gjithashtu shkroi për Paqësorin e Jugut në tregime të tilla si “The Pearls of Parlay” dhe “The Heathen”.

London vdiq më 22 Nëntor 1916.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN