MENU
klinika

Eric Klinenberg Sociolog

A është jashtë mode biblioteka publike?

10.10.2018 - 18:34

Ky institucion vendimtar po shpërfillet pikërisht atëherë kur na nevojitet më shumë.

Duket se zëra të fuqishëm të shoqërisë ndajnë të njëjtin mendim. Vitet e fundit, rëniet drastike të qarkullimit të librave në disa rajone të vendit, bënë që kritizerë të shquar të sillnin prova se tashmë bibliotekat nuk kryejnë më atë funksion të rëndësishëm të dikurshmëm.

Nëpunës të panumërt këmbëngulin se në shekullin e 21-të, kohë kur pjesa dërrmuese e librave mund të gjendet lehtësisht e digjitalizuar në internet, kur interneti na ofron kulturë ndërkombëtare, kur shumica e njerëzve komunikojnë virtualisht, nuk është e nevojshme ndihma që ofronte dikur biblioteka

Aktualisht burimet e bibliotekave thuajse po shterojnë. Në mjaft qytete, edhe në qytete të begata si Atlanta, degë të tëra po shkojnë drejt mbylljes. Në San Jose, Kaliforni, aplikacionet “Facebook”, “Google” dhe “Apple”, kanë bërë që buxheti i bibliotekave publike të ngushtohet jashtëzakonsiht shumë.

Mirëpo, problemi me të cilin po përballen bibliotekat në ditët e sotme nuk është i parëndësishëm. Në të vërtetë, në Nju Jork, por edhe në shumë qytete të tjera, tirazhi i bibliotekës, frekuentimi i programeve dhe orët që shpenzohen mesatarisht në to, janë gjithnjë në rritje.

Problemi i vërtetë me të cilin po ballafaqohen bibliotekat është se po frekuentohen nga shumë njerëz, për një shumëllojshmëri të gjerë qëllimesh, ngase sistemet e bibliotekave dhe punonjësit e tyre janë të mbingarkuar. Sipas një sondazhi kryer nga Qendra Kërkimore Pew, në vitin 2016, gati gjysma e amerikanëve mbi 16-vjeç frekuentonin një bibliotekë publike gjatë vitit të kaluar, ndërsa dy të tretat shprehen se mbyllja e degëve lokale do të kishte një “ndikim të madh në komunitetin e tyre”.

Bibliotekat po nënçmohen dhe braktisen pikërisht në momentin kur ato janë më të vlerësuara dhe të nevojshme.

Përse kjo ndërprerje? Pjesërisht vjen për shkak të parimit themelor të bibliotekës publike – që të gjithë njerëzit meritojnë shërbim falas, një hyrje të lirë në kulturën dhe trashëgiminë tonë të përbashkët – çka nuk përputhet me logjikën e tregut që sundon shoqërinë tonë.

Po ashtu, edhe për faktin se shumë pak njerëz me ndikim e kuptojnë funksionin e rëndësishëm që luajnë bibliotekat në komunitetet moderne.

Bibliotekat janë shembulli i asaj çfarë unë e quaj “infrastrukturë sociale”: hapësirat fizike dhe organizimet, të cilat modelojnë mënyrën se si bashkëveprojnë njerëzit.

Bibliotekat jo vetëm që sigurojnë qasje të lirë tek librat dhe materialet e tjera kulturore, por ofrojnë gjithashtu edhe shërbime të tilla, si shoqëri të reja për të rriturit, de fakto shërbim për fëmijët e prindërve të punësuar, mësimdhënie për emigrantët dhe hapësira publike në shërbim të të varfërve, të pastrehëve dhe të rinjve.

 

Gjithnjë më sillet ndërmend, se sa të rëndësishme janë bibliotekat, jo vetëm sa i përket gjallërisë në lagje, por edhe për ndihmesën në trajtimin e gjithfarëlloj problemeve personale.

Për të moshuarit, sidomos vejushave, vejanëve dhe ata që jetojnë vetëm, bibliotekat janë hapësira për kulturë dhe shoqëri, përmes klubeve të librit, netëve të filmave, kurset e qepjes dhe klasave të artit, ngjarjeve aktuale dhe informatikë.

Për shumë, biblioteka është vendi kryesor ku ata ndërveprojnë me persona të brezave të tjerë.

Për fëmijët dhe adoleshentët, bibliotekat ndihmojnë në rrënjosjen e etikës së përgjegjësisë, për veten dhe për fqinjët e tyre, duke u mësuar se ç’do të thotë të marrësh hua dhe të kujdesesh për diçka publike, mandej ta rikthesh atë në mënyrë që ta marrin edhe të tjerë pas teje.

Për prindërit e rinj, gjyshërit dhe kujdestarët që ndihen të tensionuar, kur shikojnë një të mitur ose një foshnjë pranë vetes, bibliotekat janë një dhuratë hyjnore.

Për të vlerësuar rëndësinë e mirëfilltë të bibliotekave, mjafton të krahasojmë hapësirën shoqërore të bibliotekës me hapësirën shoqërore të qendrave tregtare. Vërtet janë pjesë të vlefshme të infrastrukturës sociale, por jo gjithkush mund t’ia lejoj vetes frekuentimin e tyre dhe jo të gjithë klientët që paguajnë janë të mirëpritur të qëndrojnë për një kohë të gjatë.

Të moshuarit dhe të varfrit shpesh do t’i shmangin absolutisht qendrat tregtare, sepse ushqimi është tepër i shtrenjtë dhe u duket sikur nuk i përkasin atij ambienti.

Frekuentuesit e kahmotshëm të bibliotekave që njoha në Nju Jork më kumtuan, se po ashtu nuk ndjeheshin të mirëpritur në kafenetë e reja në modë, bare dhe restorante që janë kaq të zakonshme në lagjet e mëdha të qytetit.

Të varfrit dhe të pastrehët dashamirës të librit, as që u vete në mendje të futen në këto vende. Përvoja u ka mësuar se thjesht qëndrimi jashtë një restoranti luksoz mund të nxisë menaxherët të thërrasin policinë. Gjithsesi, rrallëherë shohim një oficer policie të futet në një bibliotekë.

Çiltërsia dhe shërbimi që demonstrohej në bibliotekat e lagjes, dikur konsiderohej si shenjë dalluese e kulturës urbane. Por kjo ka ndryshuar. Edhe pse qytetet amerikane po rriten gjithnjë e më shumë etnikisht, nga pikëpamja racore dhe nga ana kulturore, rëndom mbeten të ndara dhe të pabarabarta, me disa lagje që po i largohen ndryshimit – nganjëherë qëllimisht, nganjëherë vetëm për shkak të rritjes së shpenzimeve – veçanërisht kur bëhet fjalë për racën dhe klasën sociale.

Bibliotekat janë llojet e vendeve ku njerëzit me prejardhje, pasione dhe interesa të ndryshme mund të përfshihen në gëlimin e kulturës demokratike. Ato janë vendet ku sektorët publikë, privatë dhe filantropikë mund të punojnë së bashku, për të arritur diçka më shumë sesa linja e kuqe.

Duhet të kemi kujdes. Sot, si qytetet, ashtu edhe rrethinat po vazhdojnë të ripërtërijnë veten, kërkesa e tyre cinike pohon se qeveria nuk ka asgjë të mirë për të kontribuar në këtë proces, si rrjedhojë është e rëndësishme që institucionet si bibliotekat të marrin vlerësimin që meritojnë.

Vlen të përmendet, se “liber”, rrënja e fjalës nga latinishtja “bibliotekë” nënkupton njëherazi “libër” dhe “të lirë”. Bibliotekat përfaqësojnë dhe shërbejnë si shembulli i diçkaje që i lypet mbrojtje: institucionet publike që – madje edhe në epokën e atomizmit, polarizimit dhe pabarazisë – shërbejnë si shtylla të shoqërisë civile.

Nëse kemi ndonjë shans për të ristrukturuar një shoqëri më të mirë, biblioteka si infrastrukturë sociale është pikërisht ajo që na nevojitet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sipas rrjetit të librarive Adrion

10 titujt më të shitur të javës


Pasurohet oferta turistike e qytetit

Hap dyert Muzeu Etnografik i Kavajës

Nga Athina në Rumani e kthimi në atdhe

Jeta e trazuar e Lasgush Poradecit!

Të lexosh do të thotë të jetosh, të zbulosh, të rritesh

Nis Panairi i Librit 2024