MENU
klinika

Ekspozitë

Admir Përvathi e Edi Rama na përfaqësojnë në Austri!

23.10.2018 - 11:40

Në Grac të Austrisë u hap ekspozita me piktura e skulptura nga një grup artistësh nga Shqipëria e Kosova.

Qëllimi i saj është që përmes artit të thyej kufijtë dhe të bashkoj vende e popuj pavarësisht nga largësia gjeografike.

Ekspozita e titulluar “Të zbulojmë të përbashkëat”, me organizator Karl Bauer, përfshinte disa lloje punimesh, që nga piktura në vaj, kolazhe, punime në letër dhe skulptura, të prezantuara nga artistët Destan Gashi, Haxhi Fejzullahu, Admir Përvathi, Edi Rama, Naim Spahiu etj.

Shqipëria është përfaqësuar në këtë ekspozitë nga piktori Admir Përvathi i cili operon me pikturën abstrakte dhe Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, me disa nga punimet e tij në letër.

Edhe pse Edi Rama prezantohet në këtë ekspozitë si një artist, është e pamundur të mos vihet re “Kostumi i Kryeministrit”.

Për Admir Përvathin nuk është hera e parë që ekspozon në Austri. Veprat e tij janë ekspozuar edhe në dy ekspozita të tjera.

kolana e librave

Këtë herë ai u paraqit me 5 tablo në vaj ndërsa Edi Rama u paraqit me 8 punime në letër.

Ky aktivitet ishte mjaft interesant pasi artistë nga Kosova e Shqipëria u prezantuan me punimet e tyre në këtë ekspozitë me rastin e Vitit Kulturor Austri-Shqipëri.

Të gjithë u prezantuan me punime të ndryshme, por ajo çka i bashkon në thelb këta artistë është arti. Kjo ekspozitë nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga mediat austriake, ndoshta edhe për vetë faktin se pjesmarrës ishte edhe Kryeministri Edi Rama.

Ekspozita, e hapur disa ditë më parë me rastin e Vitit Kulturor Austri-Shqipëri, por edhe për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, do të qëndrojë e hapur deri në datën 7 Nëntor.

Ekspozita është përshëndetur edhe nga Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, i cili është shprehur se “Iniciativa si këto nxisin dhe promovojnë dialogun kulturor”.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ekspozita Ndërkombëtare e Artit

Driant Zeneli përfaqëson Shqipërinë në Venecia