MENU
klinika

Legjenda e 17 Nëntorit

Agustin Kola: Lojtarët e viteve 80’, si Ronaldo sot

14.10.2018 - 17:30

Vitin tjetër mbush 60 vjeç, por edhe sot po të hyjë në fushën e lojës, ndaj tij është shumë e vështirë të fitosh. Me një fizik për t’u admiruar, Agustin Kola duket pak kontravers në fillim, por më pas kupton se ai flet gjithnjë në mënyrë të drejtpërdrejtë, në “sulm” gjithnjë, ashtu siç shënonte kur luante me 17 Nëntorin dhe ekipin kombëtar.

Në një intervistë ekskluzive për “Konica.al”, Agustin Kola rrëfen se si në fillimet e tija ishte marrë me cirk, not dhe në fund me futboll, por habit kur thotë që e ka nisur si portier. Ndërkohë, tregon vitet 80’, kulmin e sportit shqiptar, episodin e arratisjes së djalit të xhaxhait e deri te mbyllja e karrierës me të ndjerin Arben Minga.

Si nisi pasioni për futbollin?

Në fillim, me thënë të drejtën, merreshim me disa sporte. Jam marrë me cirk, me not (pasion që e kam edhe sot), por në shkollë dhe në lagje luhej vetëm futboll. Pra, futbolli ishte pjesë e fëmijërisë dhe i përfshirë totalisht.

agustin kola dhe eduard ilnica
agustin kola dhe eduard ilnica

Në nivele profesioniste e filluat me 17 Nëntorin (Tiranën)?

Jo, unë u regjistrova tek akademia e Shkëndijës, që në atë kohë ishte një ekip me emër, me të madhin Zyber Konçi trajner, që ndryshoi futbollin shqiptar, nga statik, e bëri total, ashtu siç luante Holanda e Gjermania e viteve 70’.

Nisa të luaj edhe me ekipin Shpresa dhe u shpallëm kampionë Ballkani. Duke qenë pjesë e ekipit kombëtar, kalova te 17 Nëntori, sepse rregulli i atëhershëm ishte që një futbollist i Kombëtareve nuk mund të luante në Kategorinë e Dytë, sepse Shkëndija ra.

Ishte i ashpër futbolli asokohe, kishte konkurrencë?

E kam nisur në kohën kur në futboll ishin kolosët si Din Zhega, Iljaz Çeço, Ilir Përnaska e shumë e shumë emra të tjerë, që kur përballeshe me ta, ishte shumë e vështirë. Në fillimin e viteve 80’ niveli u rrit shumë, stërviteshim shumë, thuajse ishim profesionistë, pasi kishte regjim.

tirana e viteve 1980
tirana e viteve 1980

Ndeshjet derbi me Partizanin dhe përfaqësimi me ekipin kombëtar…?

Flitej një muaj për derbin, por për ne njësoj ishte. Në fushë kishte përplasje, sharje, fyerje, kartonë e shumë episode, por pas ndeshjes derbi, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes të asokohe, ndalnin makinën kur më shihnin në rrugë dhe të përshëndesnin, edhe pse isha bardhblu. Pra, gjithçka mbetej në stadium.

Ndërsa me Kombëtaren ishte gjë tjetër. Nga ana e regjimit dhe stërvitjes, ne pothuajse ishim njësoj me vendet e tjera. Ajo që na mungonte ndoshta ishte eksperienca e të luajturit në ekipe të mëdha, infrastruktura dhe të qenit vend i vogël. Megjithatë, mesi i viteve 80’ ka shënuar kulmin e futbollit dhe të sportit shqiptar në tërësi.

Si trajtoheshin atëherë futbollistët?

Të them të drejtën, më shumë kam ndenjur me shokët e ekipit se sa me familjen dhe vëllezërit e mi. Futbollistët e viteve 80’, të Partizanit, Tiranës, Dinamos, Vllaznisë apo Flamurtarit ishin si Cristiano Ronaldo sot. Flitej vetëm për ta, kur ecnim rrugës njerëzit na përshëndesnin.

Trajtimi ushqimor, hoteli, gjithçka ishte mirë për ne. Sistemi i asokohe kishte njëmijë të zeza, por jo për sportistët elitarë. Ne, krahasuar me të tjerët, madje edhe më fëmijë të udhëheqjes, ishim të privilegjuar. Shumë janë ankuar, por sportistët merrnin shtëpi, ushqim, trajtim, respekt, etj. Nuk jam nostalgjik, por kjo është e vërteta.

Por ndërkohë, sistemi ju dënoi me 1 vit të mos luanit?

Po, sepse ashtu ishte koha, sistem që të binte në qafë më kot, jo vetëm mua. Djali i xhaxhait tim u arratis dhe normalisht që do prekej edhe familja ime, por edhe unë si sportist. Sajojnë një karton të tretë të kuq, sic ishte rregullorja dhe më detyrojnë të mos luaj për 1 vit. Gjithsesi, kurrë nuk e ndërpreva stërvitjen, u bëra më i fortë dhe u riktheva edhe më i fuqishëm, qoftë me Tiranën, qoftë me ekipin kombëtar.

Fitorja me Belgjikën, barazimi me Poloninë dhe pasimet tuaja…?

Janë momente vërtet historike. Jo për mburrje, por ishim në kulmin e formës, së bashku me Mingën, Baçin, Josën, Demollarin, Targajn e shumë emra të tjerë. Nuk ishte e rastësishme, stërviteshim fort. Mbaj mend golin e Mingës pas pasimit tim, shkoj dhe njëherë dhe e përplas topin në rrjetë gjithë forcë.

U interpretua se unë isha i mërzitur se Minga nuk ma kishte pasuar mua, sepse isha vetëm, por nuk ishte kjo e vërteta. Isha shumë i lumtur madje dhe prandaj shkova dhe e gjuajta edhe njëherë topin në rrjetë. Edhe portieri Paff deklaroi se Minga më gënjeu, pasi nuk e priste ta gjuante, por Minga kishte gjuajtje potente.

Lojtarë si Minga nuk i vijnë këtij vendi. Ndoshta nuk është vendi, por ai për mua është një nga 11 lojtarët më të mirë të historisë së futbollit shqiptar. Nëse do të kishim menaxhuar më mirë situatat, siç ishte avantazhi 0-2 në Poloni (mbaroi 2-2), sot do të flisnim për një periudhë të artë.

Fillimi i viteve 90’ ju kapi në një moshë të madhe për futbollin, ku shkuat?

Në moshën 31-vjeçare shkova në Greqi. Nuk të merrte asnjë klub në atë moshë në Superligë, kështu që luajta me Egaleo në kategorinë e dytë. Një periudhë e mirë për nga ana ekonomike, sepse u stabilizova financiarisht.

Ku e mbyllët me futbollin e luajtur?

E ku tjetër, veçse te Tirana. Jam ndër futbollistët e paktë të brezit tim apo më herët që e nisa dhe e përfundova te një ekip. Të them të drejtën, më thanë të luaja diku tjetër, por nuk më bënin këmbët të ikja. E mbylla në vitin 1998, madje pak përpara kemi bërë një ceremoni lamtumire për Ben Mingën, që fatmirësisht, pamjet janë ruajtur.

Gjithsesi, ju nuk i tradhëtuar ngjyrat bardheblu edhe gjatë trajnimit?

Po, e vërtetë. Fillimisht me grupmosha të ndryshme, ku i stërvisja gjithë pasion. Më dukej sikur luaja akoma vetë. Pastaj mora të rinjtë dhe të paratërinjtë e Tiranës, për të ardhur në vitin 2009, ku u bëra trajner i parë. Mendoj se shkruajta një kapitull të shkurtër të historisë së Tiranës.

agustin kola dhe ilir meta

Sipas jush, cilat janë problematikat e futbollit shqiptar sot?

Në kampionatin tonë dy janë problemet kryesore. Së pari, privatizimi i të gjithë klubeve. Dhe së dyti, futbollistët mos kënaqen me 1 orë e gjysmë stërvitje në klub, por të mbajnë regjim dhe të stërviten edhe të paktën 1 orë vetëm, vrap, aerobi, palestër, etj.

Për ekipin kombëtar, problematika e vetme që shikoj aktualisht është forcimi i përfaqësueses së Kosovës. Shumë pak prurje cilësore ka nga Kosova dy vitet e fundit, ndryshe nga sa kishte më parë. Prandaj duhet të nisë një strategji e re.

Aktualisht me se merreni, ju shoh në një fizik perfekt, edhe pse 59 vjeç?

Stërvis ekipe fëmijësh te kompleksi “Dajti”. Pasi mbaroj me ta, i fus një palestër dy orëshe, pastaj bëj not, ecje, nuk përdor thuajse fare makinën. Në mbrëmje ulem me shokë shohim ndonjë ndeshje. Pra, jeta ime është toalisht e lidhur me sportin dhe futbollin.

agustin kola te konica
agustin kola te konica

Mesazhi juaj për ndjekësit e “Konica.al”?

Prindër, lërini fëmijët të gjejnë pasionin e tyre, nëse është te sporti, ndihmojeni të ndjekin ëndrrat, por kurrë duke ndërhyrë. Nuk bëhesh sportist me ndërhyrje dhe fjalë, por vetëm me stërvitje.

Fëmijëve dhe të rinjve u them të stërviten sa më shumë, fundja do t’u vlejë atyre në një aspekt tjetër. Mos u dorëzoni, luftoni, vraponi, luani, argëtohuni, një ditë jeta do t’u buzëqeshë. (Intervistoi për “Konica.al” nga Eduard Ilnica)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Speciale/Intervista me Ylli Shehun

“Babai me Dinamon, unë zgjodha Partizanin”

Intervista ekskluzive me legjendën Ela Tase

“Volejbollit i fala jetën, të arrish majat, duhet punë”