MENU
klinika

Opinion

Albania-Maxiproces

23.10.2018 - 13:22

Nga Alban Daci

Aq shumë e fëlliqtë është bërë loja në Shqipëri, sa edhe gazetarët po bëjne garën e tyre se kush është lojtari i mirë. Në këtë llumë, nuk do të mungojnë edhe raste të arrestimeve të gazetarëve që janë kthyer në kancelarë të botës së krimit.

Zor se do të shpëtojë ndokush pa u ndëshkuar nga kjo fëlliqësirë e realitetit shqiptar.

Unë, kam shpresë e besim se kjo fëlliqësirë do të përfundojë me zhdukjen e një pjese të mirë të protagonistëve aktual dhe një dritë jeshile do të hapet për mijëra të rinj e të reja që janë të gatshëm t’i shërbejnë me devotshmëri vendit.

Nuk dua t’i përsëris ato që i kam thënë muaj më parë, por Shqipëria është në fazën e “Mani Pulite” e maxiproces do të vijojë në përfundim të kesaj historie.

Disa parti kryesore do të shuhen ose do të dalin jashtë ligjit. Fytyra e protagonistëve të saj nga 2013 e deri më sot është modeli jo vetëm më i shëmtuar, por më i rrezikshmi që ka pasur deri më sot Shqipëria.

Shpresoj e do të doja shumë që rasti i Shqipërisë të mos ishte i ngjashëm me atë të Italisë, ku Kryeministri u detyrua të ikte në ekzil, për tu mos u kthyer kurre më në Atdhe. Megjithatë, shumica meritojnë fundin që do të kenë,sepse kanë vite që tallen me qytetarët, të cilët përveç faktit se, varfëria nuk ju ndahet kurrë, kanë kohë që bashkëjetojnë edhe me frikën për të mos jetuar më!

Në kushtet aktuale, jam i mendimit se zgjedhjet lokale duhet të shtyhen, sepse fushata elektorale rrezikon të kthehet në një arenë përplasjesh edhe të armatosura në disa zona. Duhet të përfundoj procesi “Mani Pulite” duke shpresuar se Shqipëria do të pastrohet nga fëlliqësira e pastaj të mendohen për reformën zgjedhore dhe për zgjedhjet lokale e mund të bëhen së bashkë me zgjedhjet parlamentare në 2021.

A ka një dallim të madh me Shqipërinë nga viti 1990-2013 dhe nga 2013-2018? Po ka një dallim shumë të madh: në periudhën e parë nëse e quajmë kështu, kishte politikanë që donin me çdo kusht e pafundësisht pushtetin e ndonjëherë e perdornin rrugeçër për të arritur qëllimin. Në periudhën e dytë, kemi krimin që ka marr peng pushtetin dhe nuk dëshiron ta lëshojë.

Fundi i kësaj të dytës është më i rëndë, sepse interesat janë më të mëdha dhe po ashtu frika e një fundi të rëndë shton instiktin e tyre të ken zellin dhe gadishmërinë për sakrifica më të rënda.