‘’Të njohësh një njeri është si të njohësh një komb’’ është shprehur një nga personalitetet më të mëdhaja të psikologjisë klasike. Në fakt ai njihte më shumë se një komb dhe e shprehu gjenialitetin e kombit të vet, Shqipërisë. Nuk dihet përse disa emra gjithmonë përçojnë legjendë, rizgjohen me potencë të jashtzakonshme në shekuj.
I tillë ishte Aleksandër Moisiu, legjendë, edhe emrin edhe mbiemrin e kishte nga ky lëm i njerëzve të mëdhenj. Si emri Aleksandër që të kujton madhështinë e falangave të antikitetit, edhe Moisiu i madh që udhëhoqi një popull drejt të papriturave përçojnë dy legjenda.
Aleksandër Moisiu mori nga të dy këto legjenda emrin dhe u ngjiz në skenë. U end e u shkri në mes të shumë kombeve dhe të një qyteterimi perëndimor që shpërthente në duartrokitje kur dëgjohej zëri i tij në skenat europiane.
Si Aleksandri i madh, ai u gatua në shumë qytetërime, nga qytetërimi grek tek ai anglez, nga qytërimi rus në atë francez, austriak, gjerman, si Moisi përballë faraonit ai përballet përbrenda në vetveten e tij me Euripidin, Edipin e Sofokliut, përkrah Hamletit të Shekspirit dhe veprave të Tolstoit dhe loz me dramat e tyre në skenat teatrore europiane.
Duhet të jesh njeri i rallë të përballesh me baballarët e dramave, me fatkeqësitë universale të njeriut të hedhura brez pas brezi për t’i ditur pasardhësit, dhe ai ia doli. Nga jashtë plastika e tij përshkronte gjithë fatkeqësitë e botës mbarë në një fytyrë kur luante, nga brenda si tezgjah ndërgjegja zgjaste e thurrte përlhura shumëngjyrëshe të dramaturgëve të botës. Ai e quante veten ‘Qytetar i botës’ ashtu si gjenijtë duan të jenë po pa harruar vendin nga erdhi, Shqipërinë.
Njeriu i kulturës, Aleksandri Moisiu bëri bujë në gjithë Europën. Nuk do harruar që Europa në atë kohë ka qenë qytetërimi më i zhvilluar modern. Ai është një nga shqiptarët shpatarakë në kulturë që i dha famë diasporës, akoma më i famshëm se Rita Ora, Dua Lipa, Ermonela Jaho, etj personaliteteve të sotëm, por që në kushtet e hershme të komunikimit fama kalon më ngadalë, megjithatë ashtu ngeshëm në kohë fama në kulturë ngre një lapidar në mendjen dhe zemrat e njerëzve. Ajo piqet më mirë.
Ngrihet përkrah kolosve të tjerë të kulturës që nuk harrojnë se janë shqiptarë. Aleksandër Moisiu lindi më 2 prill të vitit 1879 në Trieste, me origjinë nga Durrësi dhe nga një familje tregëtarësh. U formua si aktor në Vjenë, aty ku kultura kishte kërthizën e saj dhe ku gatuheshin esencat zhvillimit të njerëzimit.
Aleksander Moisiu rend krah për krah personaliteteve të famshme që ka nxjerrë Shqipëria e vogël si Nënë Tereza, Elena Gjika, Karl Gega, Ibrahim Kodra, Eleni Qirici, Beki Fehmiu, etj., që plotësojnë kuadrin e plotë të qytetërimit shqiptar në diasporë për ta identifikuar atë si një vend nga ku dalin gjenijtë dhe kolosët. Ai e rrotullonte skenën e teatrit ashtu si donte vet dhe e bënte atë të mahnitej përballë zërit të tij të bukur.
Skenën e kthente në përbindëshin që shpall të gjitha dramat, të stisura apo të vërteta dhe me anë të interpretimit, mimikës së plastikës, pozicionimit, shprehive ai shpallte magji. Një interpret i padiskutueshëm dhe i pakapshëm në skenën teatrore që mahniste publikun. Në fillim të karrierës ai luan “Tartufi” i Molierit në Burgteater në sezonin 1899/1900, dhe aty fillon ëndrra e tij e shumëpritur.
E magjepsi aktorin e famshëm austriak, Jozef Kainz në shumësinë e atyre që mahniste në skenë. Me përkrahjen e tij fillon karrierën në Pragë në 1901, në Berlin në 1903 dhe në skenat europiane të fillim shekullit të XX.
Në 1911 ai hidhet në skenat ruse dhe nxjerr nga sirtari kolosin e antikitetit, Edipin e Sofokliut me një sukses të madh.
Futet në rolin e Hamletit dhe luan me të sikur ka kaluar në ato tragjedi ku gjaku është bërë ujë dhe uji në mbretëri fanepset para Hamletit si gjak.
Max Brod i magjepsuri i radhës shprehet për të ‘’Hamleti është shkruar për Moisiun, ndërsa Moisiu është i vetmi që ka lindur për ta interpretuar Princin e Danimarkës’’.
Dramën e Tolstoit ‘’Kufomë e gjallë’’ ai e ka interpretuar më shumë se 1400 herë në Europë dhe në Amerikë. Ai nuk jeton kohën kur jetonte, por mbijeton në dramat greke të kohëve antike e deri te ato moderne.
Në qoftë se teatri do të krahasohej me muzikën atëherë Aleksandri do të donte një shesh të madh Skënderbej e nuk do të mjaftonte, por teatri do mendimin jo rëmujën, entuziazmin e shfrenimit të njeriut, do frenimin t’i peshojë tragjeditë nga ku vuajnë njerëzit, teatri thurret për ndërgjegjen e njeriut. Nuk dihet përse Aleksandrët nuk mbahen dot me një shesh dhe me një shtet, ata janë unviersalë.
Gazeta “Daily mail” e vleresonte Moisiun: “Njeriu me zërin e artë” (Londër, 24, maj, 1930), gazeta “New York Evening Post e quante atë: “Moisiu i zërit të famshëm” (14, nëntor, 1927).
Zërin e Moisiut ishte sipas bashkëkohësve një zë i pastër, kumbues, melodik, i ngrohtë, i artikuluar mirë, i rrjedhshëm – kishte një shqiptim (diksion) të përkryer.
Ky ishte artisti magjik, i përjetshëm, i papërsëritshëm, gjeni, pak të thuash talent, i paparë, fenomeni, lapidar i teatrit botëror quhej Aleksandër Moisiu.
Shkrimtari Franc Kafka për të thoshte: “Zëri dhe gjestet e Moisiut na shfaqen si diçka e paparë gjer më tani në skenën europiane”. Dhe Kafka e njeh mirë nga buron e ndërgjegjshmja dhe e pandërgjegjshmja njerëzore kur sillet.
Cvajg e përshkruan kështu, “Shekulli ynë ishte në të hyrë, kur në skenën gjermane u dëgjua për herë të parë zëri i aktorit të panjohur; ishim në pritje të diçkaje të madhe, sepse ai zë nuk ishte si zërat e tjerë, në të kumbonin nota të reja, magjepsëse, origjinale, të tilla që të mbeteshin të paharruara në kujtesë po t’i dëgjoje qoftë edhe një herë të vetme. Zëri i tij ishte më harmonik, më depërtues, më melodioz, më i butë se zërat gjermanë, në të spikaste melodioziteti i ngrohtë, plot diell…”
Dramaturgu dhe shkritmari italian, Luigji Pirandello (1867 – 1936) është shprehur: “I bëj homazhe Moisiut, të cilit përjetë i jam mirënjohes si njëri nga interpretuesit me brilant të karaktereve të mia”. Dhe Pirandello e përshkruante një detaj si një roman, me një gur thurrte një novelë, kushedi sa Aleksandër i janë fanepsur në dramat e tij.
Konstantin Stanisllavski një regjizor i njohur rus shprehet se “Një artist dhe njeri kaq i madh sa Moisiu, i përket gjithë botës”. Dhe Rusët e dinë mirë se ç’është drama, janë babai i dramaturgjisë dhe i psikologjisë së ekzistencializmit. Por Aleksandrët i ka Shqipëria.
Në karrierën e vet ai shënon (1910 -1935) dhjetë filma, shtatë prej të cilëve pa zë. Megjithatë teatri është shtëpi që nuk braktiset dot aq lehtë nga aktorët, këtë më mirë e dinë ata që janë aktorë e vdesin në skenë.
Gjithashtu ai shkruan dhe një dramë,“I burgosuri”, ku merret me figurën e Napoleonit në ishullin Shën Helena pas kapjes si rob nga anglezët. Nuk mund ta linte dot këtë gjeni të fundit në artin e luftës që donte të pushtonte Europën.
Në 1933 ai nuk dëshiron të qëndrojë në Gjermani. Është koha ku rilindin tragjeditë me anë të nacionalizmave. Ai kërkon më 1934 të marrë nënështetësinë shqiptare.
“Unë nuk dua të vdes si aktor gjerman” – ka deklaruar Moisiu që sikur donte të parashikonte dramat që do të vinin më pas me luftën botërore dhe nazizmin.
Gjithashtu ai e ka marrë edhe shtetësine italiane. Aleksander Moisiu u nda nga jeta më 22 mars të vitit 1935 në Vjenë, ndërsa është i varrosur në varrezat Morcote në Lugano të Zvicrës.
Ai është një nga figurat më të ndritura të botës së artit.
Shqipëria ka teatër, universiteteve me emrin e tij por i mungojnë Aleksandrët e sotëm. Nuk ka më të dytë si ai. Ku janë futur Aleksandrët e rinj, ku po i vrasim, ku po enden ata, në cilët botë?
nga Eugent Kllapi