MENU
klinika

La Liga, java 10

Barça triumfon me “manita” në “El Clasico”

28.10.2018 - 18:06

Barcelona lë pas krizën në kampionat, teksa ka fundosur 5-1 në “El Clasico” rivalin e përjetshëm, Real Madrid, me një super Suarez, që realizoi 3 gola. Një fitore e merituar e katalanasve, që marrin edhe vendin e parë në klasifikim, duke lënë në vendin e 9-të Real Madrid, me 7 pikë diferencë.

Vendasve iu deshën vetëm 11 minuta lojë në “Camp Nou” për të kaluar në avantazh. Pas një galopimi të Jordi Alba, spanjolli fut një top në qendër të zonës dhe aty Coutinho nuk fal. 1-0 dhe shpërthen stadiumi, ku gëzon edhe Lionel Messi, në rolin e spektatorit, si shkak i një dëmtimi.

Barcelona nuk e ndal ofensivën dhe për pasojë, në minutën e 30-të, vjen goli i dytë. Luis Suarez përfiton penallti dhe vetë uruguajani shënon nga pika e bardhë. Kaq ka mjaftuar për 45 minutat e para.

Në të dytën, loja ekuilibrohet disi. Real Madrid gjen golin dhe rihap ndeshjen, kur Marcelo përfiton nga një rrëmujë në zonë dhe shënon. Mirëpo ky gol më shumë zgjon vendasit se sa miqtë për të barazuar.

konica sportkonica sport mobile

Në minutën e 76-të, Suarez shënoi golin e tretë dhe të dytin personal. Nuk do të mbaronte këtu vuajtje e Real Madrid. Në minutën e 83-të është sërish Suarez ai që shënon, duke vënë në “kasafortë” fitoren.

Për “manita” mendon Vidal, teksa shënon golin e pestë dhe të shkatërrimit të Real Madrid, pas asistit të Dembele. Përfundon 5-1, me katalanasit në delir, ndërsa në kampin madrilen presin dorëheqjen e trajnerit Lopetegui, ose shkarkimin e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN