Në këtë botë ku jetojmë, qytetarët nuk dinë se çfarë të presin nga udhëheqësit e tyre dhe vendet nuk dinë se çfarë të presin nga aleatët e tyre. Një botë e tillë e paparashikueshme dhe e paqëndrueshme nuk është ajo që ne duhet ta pranojmë.
Më parë këtë muaj, Jamal Khashoggi, një kolumnist i Washington Post dhe kritik i shquar i qeverisë saudite, shkoi në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll për të marrë dokumente që do t’i mundësonin atij të martohej me të fejuarën e tij. Në vend që të merrte ndihmë nga qeveria e vendit të tij, ai u torturua e u vra aty.
Është një krim tronditës që ngre disa pyetje. Vrasja e Khashoggit nga qeveria Saudite e reagimi i dobët i liderave perëndimorë ka theksuar edhe një herë se sa mirë llogariten makinacionet gjeopolitike.
Transparenca është një virtyt që duhet inkurajuar. Besimi se parimet, vlerat dhe rregullat kanë disi peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ka një efekt stabilizues. Megjithatë ky besim është lëkundur. Helmimi i ish-agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Britani tregon se rendi global është dëmtuar,e ndoshta nuk mund të riparohet më.
Natyrisht, jo të gjitha këto ndryshime janë domosdoshmërisht të këqija. Vetëm se sjellja e liderave duhet t’i përmbahet disa vlerave e disa norma sjelljesh.
Për shembull që kur presidenti i SHBA Donald Trump është shfaqur në skenën politike, Trump ka shkelur totalisht këto rregulla e norma sjelljesh. Fyerjet e tij dhe sulmet e pabaza ndaj mediave dhe institucioneve të tjera demokratike po thellojnë ndarjet politike dhe sociale në vend.
Politika e jashtme e tij është po aq destabilizuese.
Përgjigja e Trump-it ndaj rastit Khashoggi, është shumë larg vlerave morale. Presidenti i SHBA, së bashku me udhëheqësit evropianë, mendimin për rastin e Arabisë Saudite e bazojnë tek interesat e tyre dhe jo në vlerat morale.
Nuk është tepër vonë për t’iu përgjigjur vrasjes brutale të Khashoggi në një mënyrë që të përforcohen, e jo të dëmtohen, rregullat nga të cilat të gjithë ne varemi. Kancelarja gjermane Angela Merkel që pezullon shitjen e armëve në Arabinë Saudite, është një fillim i mirë.
Por duhet bërë më shumë, duhet thënë qartë se ajo që ndodhi në Stamboll është e papranueshme. Përndryshe, ne do duhet të heqim dorë nga vlerat dhe rregullat, e rrjedhimisht edhe nga stabiliteti e rendi global.
Ana Palacio, një ish-ministre e jashtme spanjolle dhe ish nën-kryetare e lartë e Bankës Botërore, është anëtare e Këshillit Spanjoll të Shtetit, lektore në Universitetin Georgetown dhe anëtare e Këshillit Global të Agjendës Botërore të Forumit Ekonomik në Shtetet e Bashkuara .