MENU
klinika

Rriten eksportet

Bilanci tregtar i vendit, më mirë se parashikimet

17.10.2018 - 11:53

Bilanci tregtar i vendit u përmirësua gjatë muajit shtator, falë rritjes së eksporteve dhe rënies së njëkohshme të importeve. Instituti i Statistikave bën të ditur se deficiti tregtar gjatë muajit të kaluar ra me afro 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për nëntëmujorin, deficiti tregtare i vendit ishte 235 miliardë lekë, rënie me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ulja e deficitit tregtar nënkupton një kontribut më të lartë të sektorit të jashtëm në rritjen ekonomike të vendit. Deri tani, ecuria e tregtisë së jashtme po rezulton më e mirë se projeksionet e Bankës së Shqipërisë. Banka qendrore parashikon një zgjerim të deficitit gjatë gjysmës së dytë të vitit, për shkak të rritjes së importeve dhe përmirësimit të kërkesës së brendshme. Por, gjatë shtatorit, në rritje të ndjeshme rezultuan eksportete, me afro 9% më shumë krahasuar me shtatorin e një viti më parë. Për 9-mujorin, Shqipëria eksportoi mallra në vlerën e 231 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 15%.

Rritja e eksporteve këtë vit i detyrohet pjesërisht kushteve të favorshme hidrike për prodhimin e energjisë. Eksportet e grupit “minerale, lëndë djegëse, energji” u rritën me 34% krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar.

Por, grupi që dominon gjithnjë e më shumë eksportet shqiptare është “tekstile dhe këpucë”, me eksporte në vlerën e 93 miliardë lekëve ose rreth 740 milionë euro. Fasonet po lulëzojnë më shumë se kurrë dhe sjellin mbi 40% të eksporteve totale të Shqipërisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN