MENU
klinika

Albert Çaçi

Brazili ndryshon faqe

31.10.2018 - 15:43

Të dielën e shkuar Brazili, demokracia e katërt e botës, zgjodhi për president me rreth 55 % të votave një personazh mjaft të diskutueshëm që padyshim do të ndryshojë tashmë gjithë politikën ekonomike, të sigurisë sociale dhe të jashtme të tij. Padyshim si shteti më i madh i Amerikës Latine  zhvillimet në Brazil do të kenë padyshim ndikim edhe në gjithë këtë zonë të globit.

Brazili me 208 milionë banorë me një sipërfaqe 8,5 milion kilometra katrorë  dhe me një GDP prej rreth 2,2 trilionë dollarë është ekonomia e shtatë e botës.

Presedenti  Jair Bolsonaro, i ashtuquajtur “Trumpi brazilian”, që deklaron se pikat e tij të referimit janë Bibla dhe Trump, është një përfaqësues i të djathtës ekstreme braziliane dhe mjafton të shikosh disa deklarata të tij për të kuptuar se çfarë ndryshimesh e presin Brazilin.

Deklaratat e tij  se më mirë një djalë i vdekur se sa gay, ose se  diktatura ushtarake braziliane ka patur  vlerat e saj dhe aplikimi i torturës është i domosdoshëm në Brazil, por edhe se  Venezuela  mund të sulmohet nga Brazili nëse nuk garanton kufirin e saj,  do të alarmonin gjithë botën 5 vjet më parë.

Por kohët kanë ndryshuar dhe gjuha e vrazhdë tashmë  është kthyer në normalitet.

Por atëherë përse brazilianët votuan këtë personazh që nuk doli asnjëherë në debat televiziv  por takonte vetëm njerëzit  në mitingje dhe derë më derë?

Sepse ky njeri pavarësisht deklaratave ekstremiste, që për stadin aktual të demokracisë në Brazil do t’i ketë të vështirë t’i aplikojë, u tha brazilianëve  disa të vërteta, iu premtoi atyre si do të dilet nga kjo situatë, iu dha shpresën se Brazili ka nevoje për ndryshime radikale dhe se ai është i vendosur t’i zbatojë me çfarëdolloj kostoje.

Brazili në këto 20 vjet të qeverisjes së  majtë, pavarësisht një rritjeje  të fuqishme ekonomike, falë edhe globalizmit, rezulton një nga vendet më të korruptuara dhe më të kriminalizuara të gjithë kontinentit amerikan. Me  një president të majtë të  burgosur  për korrupsion, një tjetër të shkarkuar me impichment po për korrupsion, vendi  ka një situatë politike të fragmentarizuar me 20 parti në parlament.

Por mbi të gjitha Brazili ka një problem alarmant, atë të sigurisë në vend. Në Brazil çdo 10 minuta vritet një person dhe çdo ditë vriten 29 fëmijë. Në 5 vitet e fundit numri i vrasjeve në vend nuk ka zbritur nën 60 mijë në vit,më shumë se vrasjet vjetore në luftën e Sirisë. Në çdo 100 vrasje në botë 13 ndodhin në Brazil që renditet vetëm pas Meksikës. Dhe pastaj habiten globalistët se  pse brazilianët votojnë ekstremin e djathtë.

Në një miting elektoral  Bolsonaro iu drejtua brazilianëve: Unë e kuptoj se sa e rëndësishme është të kesh një punë dhe një nivel të mirë  arsimor dhe shëndetësor, por të gjitha këto nuk kanë asnjë vlerë kur të grabisin në vendin e punës dhe në shtëpi, kur para shkollave ndahet droga lirshëm, ku lagje të  tëra i ka ka marrë peng krimi i oragnizuar, kur niveli i sigurisë së jetës në Brazil është më i ulëti në botë. Dhe këto gjëra nuk mund t’i sistemojë më një e majtë e korruptuar dhe sterile por vendosmëria e të djathtës  me dorë të hekurt. Dhe këtë unë do ta bëj, të kushtojë sa të kushtojë.

Dhe është pikërisht ajo që brazilianët duan të dëgjojnë.

 A do t’ia dalë Bolsonaro kjo është një gjë që do ta vërtetojë koha por një gjë e dëshmuan këto zgjedhje, se  brazilianët  nuk e besojnë më të majtën. Dhe shpresojnë shumë tek ai.

Para 5 vjetësh në gjithë Amerikën Jugore vetëm Kolumbia qeverisej nga e djathta kurse sot dy shtetet me të mëdhenj të saj, Brazilin dhe Argjentinën i kanë marrë të djathtët.

Mjafton të shikosh Venezuelën, vendin e katërt në botë për prodhimin e naftës, për të kuptuar dështimin spektakolar të modelit kastrist dhe chavist të së majtës amerikano-latine.

Por fitorja e të djathtës ekstreme  në Brazil shikohet  edhe në një kontekst botëror. I pari që e përshëndeti Bolsonaron ishte idhulli i tij , Presidenti i SHBA Trump   që  deklaroi : Boll me këta ekstremistë të majtë të korruptuar  që i rrënuan këto vende që duhet të ishin nga më të pasurit në botë.

I dyti qe Salvini nga Italia pupuliste “par excellence”  i gjithë Europës.

Tashmë po bëhet e qartë që pas votimit në Britani për Brexit, të gjitha zgjedhjet në botë i fitojnë pupulistët ose avancojnë në mënyrë spektakolare sidomos në Europë. Programet e tyre sovraniste tashmë janë më pranë njerëzve, duke evidentuar qartë se globalizmi tashmë ka shkaktuar në këto 10 vitet e fundit çbalancime  të mëdha  social-ekonomike.

Ajo që evidentohet tashmë është jo vetëm një tkurrje e të djathtës tradicionale por një katastrofë e vërtetë e të majtës botërore, ku janë të paktat vendet ku ajo kalon 20% të elektoratit.

Pa ide, e çoroditur, pa lidera karizmatikë, e rënë nën prehrin e financës së lartë botërore, promotorja e globalizmit, e larguar nga shtresat e njerëzve në nevojë, që tashmë nuk ngurrojnë të votojnë edhe të djathtën ekstreme.

E majta botërore, që aq shumë i dha njerëzimit sidomos  në  shekullin e shkuar, tashmë është në një agoni alarmante. Padyshim  që është një fatkeqësi e madhe pasi vendin e saj po e zëvëndëson ekstremizmi gjithëfarë ngjyrash.

Trendi i dështimit të saj tashmë është bërë një normalitet që nuk habit më njeri.

Sidoqoftë Brazili, që synon të bëhet brenda 2030 ekonomia e pestë  e botës,  bëri një zgjedhje radikale, pasi problemet që shqetësojne aktualisht shoqërinë braziliane nuk mund të zgjidhen me metoda klasike.

 Ndoshta koha nuk do t’i zhgënjejë që për të zgjidhur problemet e mëdha që kanë, zgjodhën të djathtën ekstreme që historia botërore, por edhe ajo e tyre, nuk i fut në faqet e ndritura të saj.

Albert Çaçi