MENU
klinika

'Kuvada' në gjuhën shkencore

‘Burri Mërkosh’/ Riti mijëra vjeçar që ruhet në Shpat të Elbasanit

15.10.2018 - 13:36

MOIKOM ZEQO (PJESE NGA LIBRI I SINOPSEVE)

Në vitin 1971 fillova punën si redaktor në gazetën letrare “Drita”. E kisha pasion reportazhin, ndaj shpesh bëja udhëtime në Shqipëri. Më tërhiqte sidomos krahina e Shpatit mbi qytetin e Elbasanit. Arsyet qenë të shumta, por kryesisht fakti që në Shpat kishte pikturuar dy kisha, një në Shelcan dhe një në Valsh, gjeniu i pikturës ikonografike, Onufri, në shek. XVI. Kisha skicuar një libër, ku gërshetoja studimin me trillin letrar për Onufrin. I kisha parë afresket e tij nëpërmjet fotografive por doja një shikim të drejtëpërdrejtë të tyre. U nisa nga Tirana me tren dhe mbas dy orësh e gjysëm isha në Elbasan.

Pastaj gjeta një kamion që ngarkonte trungje pemësh nga fshati Gjinar, ku ishte një pyll shumë i madh. Kamoni po nisej bosh nga Elbasani për në Gjinar. Shoferi (nuk më kujtohet emri i tij) qe një burrë gazmor dhe fliste papushim. Ishte dyzet vjeç dhe tullac. Kishte duar të mëdha dhe me to shtërngonte timonin butësisht, sikur e përkëdhelte. U nisëm. Rruga malore rrotullohej nëpër peisazh. Mua m’u kujtua ndjesia sikur po përjetoja lëvizjen e një valleje të çuditshme në lartësi. Gjatë rrugës bisedova me shoferin. I thashë se doja të ndaloja në fillim në fshatin Shelcan, që ishte para Gjinarit, pastaj të shkoja në fshatin Valsh.

Nuk mund të ndaloj dot në Shelcan, -ma ktheu shoferi. –Duhet patjetër të arrij në sharrat e Gjinarit, të ngarkohem me trungje. Unë vetë jam me orgjinë nga fshati Valsh. Nëse ke kohë të lirë shkojmë bashkë në Gjinar, pastaj zbresim në Valsh dhe mund të flemë në shtëpinë time. Në mëngjes mund të shikosh kishën e Onufrit tënd ( ai e theksoi pronorin tënd ) dhe nga dreka kthehemi në Elbasan.

Unë pranova. Më mahniti fshati Gjinar i rrethuar nga një kurorë pishash madhështore. Kisha me vete një aparat fotografik “Praktika”. Udhëtimi kaloi me një atmosferë gazmore, me biseda nga më të ndyshmet, por shumica e detajve të tyre nuk më mbetën në kujtesë. Në Gjinar na zuri muzgu. Perëndimi i diellit i dha tërë krahinës së Shpatit një inkadeshëncë kozmike. Mua m’u kujtua e kuqja proverbiale e Onufrit. Ndoshta dhe Onufri është frymëzuar nga perëndimet ekzotike që janë vërtitur si një cikël magjik gjatë shekujve në Shpat. Në mbrëmje mbasi e lamë kamionin e ngarkuar me trungje, u nisëm me këmbë drejt fshatit Valsh.

Fshati ishte më poshtë. Qelli ishte me yje të mëdhenj si në pikturat e Van Gogut. Po mendoja se nëse do të kishte qenë e mundur në imagjinatë që Onufri t’i shihte pikturat e Van Gogut shekuj më pas dhe të diskutoja së bashku me Onufrin, pa dyshim që dialogu ynë i përbashkët hipotetik do të qe plot të papritura interesante në rrafshin estetik. Mbërritëm në shtëpinë e madhe prej guri të shoferit. Aty ai jetonte me prindërit, me gruan e tij dhe dy femijë, dy vajza të vogla, kurse në këndin tjetër të shtëpisë jetonte vëllai i tij. Atë natë hëngrëm mbi sofër mish të pjekur qengji dhe pimë verë të kuqe.

Shoferi më kërkoi ndjesë për të vëllain, i cili nuk kishte mundësi të darkonte së bashku me ne. Nuk i vura rëndësi kësaj gjëje. Rashë për të fjetur pranë vatrës dhe më zuri një gjumë i thellë. Në mëngjes u zgjova herët. Edhe njerëzit e shtëpisë qenë ngritur, më dhanë qumësht të ngrohtë, djatthë, ullinj dhe bukë misri. Shoferi papritur më tha se donte të më njihte me të vëllain, i cili rrinte mbyllur në një nga dhomat e shtëpisë. Këtu nis çudia më e madhe dhe e pamendueshme kurrë nga ana ime, në fshatin Valsh. Hymë në dhomë. Mbi një dyshek të madh të bardhë ishte shtrirë një burrë i ri, afro 35 vjeç, më një fytyrë të hijshme dhe me sy të ndritshëm. Pranë burrit qe një djep i gdhendur druri dhe mbi të një foshnje që po flinte, e mbuluar me një pëlhurë të bardhë plot qëndisma. Burri ishe zgjuar por nuk u ngrit kur ne hymë në dhomë. Unë u habita. I vëllai (shoferi) iu afrua dhe e përshëndeti me dhembshuri.

-Si je sot, -e pyeti.

-Sot jam më mirë, por jam ende i lodhur dhe i këputur. Por dalëngadalë do ta marr veten.

Zëri i të shtririt çuditërisht dukej sikur arikulonte një dhëmbje të pakuptueshme. Hodha sytë rreth e qark për të parë gruan, nënën e foshnjës, por nuk e pashë. Doja ta pyesja se përse rrinte i shtrirë, mos vallë i kishte ndodhur diçka, përse pranë tij ndodhej djepi me fëmijën, por fjalët m’u zhdukën nga heshtja.

-Ky është vëllai im më i vogël,-më shpjegoi shoferi. Ai tani është Mërkosh.

-Mërkosh?

-Po Mërkosh. Ai do rrijë i shtrirë pa dalë nga dhoma për afro 40 ditë. Sapo ka lindur para dy ditësh këtë djalë që është në djep.

-Sapo ka lindur? Gruaja e tij ka lindur.

-Në anën tonë thuhet ndryshe. Është e vërtetë që gruaja e ka lindur fëmijën. Por ky pikërisht është Mërkosh, sepse tek ne është një traditë shumë e vjetër dhe e përhershme që ëshë pikërisht burri që e lind fëmijën, prandaj ai shtrihet dhe rri në shtrat siç i takon një lehone.
-Lehone?

-Po, prandaj dhe quhet Mërkosh. Mërkosh është burri që është bërë lehonë mbasi ka lindur.

Ky dialog qe për mua gati surrealist. Për një çast mendova se e gjitha kjo nuk qe gjë tjetër veçse një lojë teatrore komike. Ishte hera e parë në jetë time që dëgjoja një marrësi të tillë, njëkohësisht kaq serioze dhe rituale. U bëra dhe unë një kureshtar i papërmbajtur. U ulëm në dy frone të vegjël druri pranë Mërkoshit. Na solli kafe nëna e vëllezërve, një grua e thinjur me kostum popullor.

Ajo u afrua tek biri i saj Mërkosh, i ledhatoi me dorën e djathtë ballin, e puthi mbi ballë me kujdes të shenjtë dhe i mërmëriti disa fjalë përkëdhelëse duke i thënë se dukej shumë mirë, se po e merrte veten, se çdo gjë kishte shkrua mbarë, se fëmija kishte lindur i shëndetshëm dhe ishte një fat i madh për të gjithë që ishte djalë. Gjithçka ishte një mrekulli dhe të gjithë papërjashtim ishin të gëzuar.

Kishte në gjestet e plakës një delikatesë të dëlirë dhe një mirënjohje të pafund. Djali i saj kishte lindur më në fund djalin e parë të tij.
Kaq marramdëse dhe e tjetërfartë qe kjo skenë për mua, saqë nga çasti në çast më dukej se befas të gjithë do të qeshnin me të madhe duke më thënë se e gjitha kjo nuk ishte veçse një shaka e paqëllimtë, një mënyrë për ta bërë më interesante dhe më të paharrueshme mikpritjen e shkëlqyer të kësaj shtëpie.

E di që në fillim se ky episod që më ndodhim mua, një gazetari të ri, po t’ja tregoja të tjerëve do të qe i pabesueshëm dhe madje do të më konsideronin si një trillan ose mashtrues. Por e vërteta qe krejt ndryshme nga përshtypjet ose nga pakumptimësia tronditëse. Mund të them se atë mëngjes në fshatin Valsh kuptova një zakon, për të cilin duke studiuar më vonë librat e dijetarëve të etnografisë, mësova se njihej nga shkenca me emrin “kuvadë”.

Rrjedh nga termi frëngjisht “couvades”. Ky zakon është kaq i skajshëm në kohë, saqë konsiderohet para-indoevropian. Ky zakon është ruajtur deri në kohërat moderne vetëm te baskët në malet Pirenej dhe tek shqiptarët në krahinën e shpatit. Dijetari Konstandin Kristoforidhi e përmend zakonin e kuvadës me emrin Mërkosh, fjalë me prejardhje të panjohur, por që ka kuptimin “burri që lind foshnje”. Pse kishte lindur vallë një zakon i tillë?

Vite më vonë lexova në një libër të Klod Levy Strosit se kuvada është një ritual simbolik, kuptimi i së cilës është shumë i vështirë të përcaktohet përfundimisht. Mbase ky zakon vjen që nga koha e matriarkatit, por asgjë nuk është e sigurtë. Sipas Strosit, rituali i kuvadës është një veprim magjik. Babai konsiderohet se e ka lindur fëmijën dhe e luan rolin e lehonës në mënyrë që shpirtrat e këqij të mos kenë fuqi për t’i bërë keq fëmijës.

Ruaj akoma bllokun ku mbaja shënime për Mërkoshin e Valshit. Sapo lindi foshnja, plaka e shtëpisë mori një kazan bakri të zbrazët. E vari në çengelin mbi vatër ku ndezi një zjarr më një grumbull kashte. E përkundi kazanin mbi zjarrin e beftë duke thënë: “do gatuaj mish për katërqind vjet”. Pastaj e nxori kazanin nga vatra. Vendosi në fundin e tij një velenxë ku vuri foshnjën.

Më pas foshnjën e vendosën në djep, pranë shtrojave të babait. Ndërkohë gruaja që sapo e kishte lindur foshnjën, rrinte në një dhomë tjetër. Asaj i sollën një kopan që përdoret për larjen e lëvereve. Gruaja e vuri kopanin tek pragu i dhomës duke thirrur pesë herë “ejani, ejani, ju shpirtra të ligj, ejani merrni dhe hani kopanin, se tim bir nuk keni për ta gjetur kurrë.” Sipas gojëdhënës kishte ndodhur që shpirtrat e liq duke dashur të hynin tek dhoma e gruas, ishin vërsulur dhe kishin ngrënë kopanin. Ndërkohë, foshnja qëndronte i mbrojtur nga i ati që e ruante me përkushtim.

Mërkoshi e ruante tri ditë e tri net gati pa fjetur foshnjën, pastaj ditët e tjera rrinte i shtrirë. Pranë djepit Mërkoshi kishte vendosur një palë gërshërë, një drapër, një kokërr hudhër, një krehër dhe një fishek, të gjitha si mjete mbrojtëse të fuqishme kundër shpirtrave të liq.

Mbas dyzet ditësh ky ritual mbaronte. E ëma mund të hynte vetë një herë gjatë ditës në dhomën e Mërkoshit, vetëm për t’i dhënë qumësht foshnjës, pa u përshëndetur me të shoqin, pa biseduar me të, pastaj tërhiej në dhomën e saj krejt e vetme. Ajo më e pakonceptueshmja qe se Mërkoshit gjithë të afërmit i sillnin dhurata dhe ai i priste plot dinjitet, po në heshtje.

Motivi i Mërkoshit më ka tronditur më shumë sesa më ka habitur. Atëherë kur më ndodhi kjo ngjarje unë isha 22 vjeç. Kuptohet vështirësia për ta mikëpritur këtë zakon të quajtur popullor, por që në realitet më dukej një idiotësi dhe të them të drejtën ndjeva edhe trishtim, por edhe rebelim. Si ka mundësi që në shek.XX, në një fshat të Shqipërisë, ende mbijetonte kuvada? Vazhdimi i këtij përshkrimi nuk ka të bëjë me thelbin e ngjarjes.

Kuptohet, unë u ktheva në Tiranë, në fillim doja edhe të shkruaja një shkrim për ta botuar në gazetën ‘Dita’, bisedova me shumë njerëz, por për çudi të gjithë qeshnin me mua, nuk më besonin, dhe për më tepër më ironizonin. Madje më kujtohet që një poet i kryeqytetit mbasi dëgjoi historinë e Mërkoshit, më vështroi për një kohë të gjatë si i nemitur dhe duke i shqiptuar fjalët me një seriozitet të frikshëm, më tha se “…një histori e tillë është vetëm e shpikur, nuk ka asnjë kuptim, por t’i (ai m’u drejtua mua me një mllef lakonik) duhet të jesh i kujdesshëm, sepse kam vënë re në disa nga ciklet e poezive që ke botuar kohët e fundit, një prirje për metafora ekstravagante, hermetike dhe të pakuptueshme dhe kjo gjë vetëm do të dëmtojë, ndoshta edhe do të të rrezikojë krijimtarinë”. Fjalët e tij kishin një prirje ogurzezë dhe profetike për mua.

Kanë kaluar shumë vjet. Duke studiuar, e kam saktësuar më qartësisht zakonin e kuvadës, që njihet nga shkenca se ka ekzistuar tek popujt primitivë. Dijetarët kanë krijuar teori të ndryshme për kuvadën, por asnjëra nuk është mbushamendëse deri në fund. Përse vallë kuvada i jepte mashkullit atributin se gjoja ishte pikërisht ai që e lindte fëmijën dhe jo femra? Ky është kyçi i misterit. Por porta e kuptimeve dukej e bllokuar përjetësisht. Klod Levy Stroti e ka një shpjegim të përkorë. Ndoshta kuvada qe një lloj teatri zanafillor i magjisë së bardhë kundër magjisë së zezë. Kështu burri bëhej një actor i seksit tjetër. Ai paraqitej si një qenie androgjene, d.m.th biseksuale. Ai jo vetëm e ngjis fëmijën por edhe mund ta lindë, ndonëse lindjen e bën femra realisht.

Shpirtërisht burri qe i plotfuqishëm në të gjithë këtë proces shpëtimtar dhe ripërtëritës të natyrës së gjallë. Strosi guxon me ashpërsi të argumentojnë tezën se kuvada duhet të ketë lindur në fundin e matriarkatit dhe është një formë kultike e patriarkatit, ku burri konsiderohet gjithçka. Ky arsyetim duket tërheqës, por gjithsesi është i mangët. Filozofi Platon është shprehur në dialogët e tij të mahnitshëm se në fillim qenia njerëzore qe e vetme, por edhe e dyfishtë, pra qe edhe burrë edhe grua.

Por më pas hyjnitë, sipas një doktrine më racionale të vullneteve të tyre enigmatike, vendosën që qenia njerëzore të ndahej në dy pjesë për të krijuar kështu burrin dhe gruan veç e veç. Madje dhe në Bibël ka diçka të përafërt, diçka platonike. Bibla thotë se Zoti në fillim krijoi Adamin, pastaj mori një brinjë të Adamit dhe prej saj bëri Evën. Nëse Eva është brinja e Adamit, kuptohet se Adami kishte në vetveten e tij potencialisht edhe mashkulloritetin dhe femëroritetin, pra vërtetohej se qenia njerëzore e zanafillës qe në substancë androgjene. Bibla pa mëdyshje thotë se Zoti e krijoi Adamin sipas shëmbëlltyrës së tij, çka lë të nënkuptohet qartë se natyra e dyfishtë androgjene është transmetuar nga Zoti tek njeriu i parë. Kjo semantikë është deri diku e rrezikshme dhe është ftilllesë për shumë herezi të mëvonshme, të kundërshtuara egërsisht nga kisha. Nuk duhet harruar se hyjnitë e mëdha të Egjiptit ishin gjithashtu androgjene. Ky koncept universal i biseksualitetit ka përshkruar mijëvjeçarët, mitet, himnet e lashta, arsyetimet, teologjitë, debatet e pafundme etj.

Sinopsi i Mërkoshit ka qëndruar shumë gjatë në dorëshkrimet e mia. Ai nuk përbënte më një fakt gazetaresk, apo motivin e një reportazhi që nuk u shkrua kurrë. Ky motiv përfshinte mijëvjeçarë të tërë dhe ndryshonte nga të gjithë motivet e tjera grishëse dhe të pazakonta. Jam munduar të shtoj disa argument plotësuese. Jam munduar të qartësoj mjegullën mitike. Jam munduar ndoshta edhe të poetizoj skajshmërisht, por edhe marrëzisht këtë motiv të pashmangshëm. Sa herë që kërkoja një pohim, pas tij më shfaqej përsëri një mohim. Si ka mundësi që jo vetëm burri Mërkosh, por tërë pjesëtarët dhe familjarët e shtëpisë në Valsh, e luanin seriozisht për dyzet ditë dhe net (numër profetik) këtë ritual? Mos vallë burri Mërkosh nuk qe gjë tjetër veçse qenie androgjene, fillestare, parake e krejt lindjes së jetës së gjallë në planetin tonë? Apo mos vallë tek ky burrë mbijetonin format e padukshme, të shumëfishta dhe të ndryshme të hyjnive që e kishin plotfuqishmërinë e tyre pikërisht tek natyra androgjene.

Sinopsi për këtë rast është gjithashtu me karakter androgjen.

Ai mund të lindë një tregim ose një roman dhe në rastin konkret shkrimtari, në këtë rast unë, do të isha pikërisht burri Mërkosh, duke i shpallur të gjithëve se jam unë pikërisht njeriu që duhet të rri dyzet vjet lehonë, sepse jam njëkohësisht edhe babai edhe nëna e të gjitha krijesave të mia rrëfimore. Në këtë rast figura e burrit Mërkosh në Valsh futet brenda trupit tim, nën lëkurën time. Unë përsëris të njëjtat lëvizje, vetkuptohet dhe të njëjtin ritual. Por më një përjashtim, sepse nuk besoj që lexuesit do më sjellin ndojnëherë dhurata. Por kjo nuk e ndryshon substancën e ritualit. Në të gjithë librat e mi unë jam autori Mërkosh. Fjala vjen kam botuar tre libra për Onufrin. Askush nuk mund të thotë dot se unë e kam lindur Onufrin, kuptohet një Onufër të fjalëve dhe të nocioneve, një personazh që kapërcen shekujt, trupi i tij i dikurshëm nuk dihet se ku ka humbur, por në një farë mënyre tërë figurën e tij e kam krijuar nga mëmësia e fshehtë e vetvetes.

Por një gjë e tillë mund të thuhet edhe për vetë piktorin Onufër. A nuk ka lënë ai, në afresket dhe ikonat e tij, një univers figurash. Ai ka pikturuar Shën Mërinë dhe Krishtin fëmijë. A nuk është ai ati i tyre? Kështu , në këto hulli të ngatarruara të ballafaqimit dhe të dialektikës mendore, mund të krijohet niveli i një kuptimshmërie të re. Kjo do të thotë që kuptimshmëritë rutinore mund të përkthehen lehtësisht.

Sinopsi i Mërkoshit të çon lehtësisht tek infiniti. Krijon mundësi të panumërueshme të pjellshmërisë. Të gjitha kuptimshmëritë, sado në kundërshtim me njëra tjetrën në pamje të parë, nuk janë gjë tjetër veç një plotëri e pafundme ose janë si ajo sfera të cilën e ka përshkruar Blez Paskali, që e ka qendrën në çdo pikë të saj. Pra një sferë e skajshme ku secila pikë, në secilin pozicion, në çfarëdolloj hapësire është përherë qendra e sferës, vetkuptohet që janë një pafundësi sferash gjithmonë të pakufishme, por që në konceptin tonë bëjnë gjithsesi një sferë të vetme.

3 gusht 2000

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit